Shqetësime rreth praktikës së përshkrimit të barnave për qëllime të tjetra përdorimi dhe për shitjen e tyre edhe pa recetë kanë shprehur në Odën e Mjekëve dhe në atë të Farmacistëve. KOHA pati raportuar gjatë javës se ilaçi Ozempic, i autorizuar vetëm për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe që përdoret me përshkrim të mjekut po shitet nëpër barnatore pa recetë dhe për qëllim të humbjes së peshës. E pas kësaj, në Inspektoratin Farmaceutik kanë thënë se kanë realizuar 20 inspektime
Kërkesat për blerjen pa recetë dhe për humbjen e peshës së ilaçit Ozempic – që është i aprovuar vetëm për trajtimin e diabetit – janë shtuar kohëve të fundit, ka pranuar farmacistja Laureta Berisha-Kosumi.
KOHA pati raportuar gjatë javës se ky ilaç, në formë injeksioni, po shitet në Kosovë edhe pa përshkrim të mjekut dhe për qëllim të rënies në peshë, ani se nuk është i aprovuar për këtë.
Berisha-Kosumi thotë se përgjegjësia për këtë u bie si mjekëve, që në shumë raste edhe e përshkruajnë për dobësim, por edhe farmacistëve.
“Praktika është mjaft e gabuar, sepse ne si farmacistë nuk duhet ta shohim barin vetëm si mjet material për përfitime materiale, mirëpo si mjet për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të pacientëve. Jo vetëm për këtë, mirëpo pacientët duhet të vetëdijesohen dhe të kërkojnë prezencën e farmacistit në barnatore. Fatkeqësisht në barnatoret tona punojnë teknikë të farmacisë, me gjithë respektin për ta, që janë dora e djathtë e çdo farmacisti, ata nuk e kanë të drejtën të punojnë pa prezencën e farmacistit”, ka thwnw Berisha-Kosumi.
E përshkrimin e barnave për qëllime të tjera trajtimi, veçmas atyre për të cilat janë të licencuara, në Odën e Mjekëve dhe në atë të Farmacistëve e kanë vlerësuar si fenomen shqetësues.
Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, thotë se çdo përshkrim i ilaçeve jashtë destinimit të paraparë të përdorimit mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve, gjë kjo që e vlerësoi si vepër penale.
“Kohëve të fundit është alarmuar paksa kjo çështje me disa barna specifike, por qëndrimi ynë është shumë i qartë. Një, Ministria e Shëndetësisë gjegjësisht dikasteri i cili merret me çështjen e barnave do të duhej menjëherë deri më tani që bashkërisht me odat e profesionistëve shëndetësorë të përshpejtojnë çështjen e protokolleve të trajtimit të pacientëve, d.m.th. sëmundjeve specifike”, ka deklaruar Sejdiu.
E Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve, thotë se problemi është institucional dhe se mungojnë kushtet për zbatimin rigoroz të rregullit për dhënien e barit me recetë.
“Aspekti tjetër ka të bëjë me furnizimin me receta që gjithashtu sipas të dhënave të fundit rezulton se nuk ka receta në sistemin shëndetësor. Duke u nisur nga të gjitha këto shihet se kjo është një çështje shumë komplekse, e cila kërkon një qasje të plotë sistemike dhe jo parciale pasi në fund pacienti është e domosdoshme që ta ketë barin e duhur në kohën e duhur për indikacionin të cilin e ka. Prandaj si Odë e Farmacistëve jemi shumë të shqetësuar që ne jemi në një situatë ku praktikisht është e pamundur të zbatohet në plotni legjislacioni dhe për këtë kemi kërkesa të vazhdueshme që kjo të rregullohet”, wshtw shprehur Jakupi.
Në Inspektoratin Farmaceutik thonë se që nga java e kaluar, kur janë informuar nga KOHA për shitjen e Ozempicut, kanë realizuar 20 inspektime dhe kanë bërë konfiskime. Por, nuk kanë dhënë sqarime nëse kanë identifikuar raste, kur ky bar është shitur edhe pa recetë.
“Inspektorati Farmaceutik është duke e trajtuar me prioritet të lartë rastin e produktit Ozempic. Nga java e kaluar janë realizuar 20 inspektime, ku produkti Ozempic është gjetur në dy barnatore. Njëri rast është ku produkti është pranuar me dokumentacion të rregullt, i dispenzuar me raport specialistik nga ana e mjekut. Dhe rasti i dytë, është gjetur produkti farmaceutik Ozempic i paautorizuar për tregun e Republikës së Kosovës, me ç’rast Inspektorati farmaceutik ka marrë masa konform dispozitave ligjore në fuqi”, ka thwnw Remzije Thaçi, nga Inspektorati Farmaceutik.
E Lulzim Adili, përfaqësues në Kosovë i kompanisë prodhuese të ilaçit, Novo Nordisk, ka thënë se ka kërkesa më të mëdha sesa që pritej për Ozempicun.
“Ozempic indikohet vetëm për trajtimin e diabetit të tipit 2. Novo Nordisk u përmbahet standardeve të larta etike, si dhe të gjitha rregulloreve dhe nuk promovon ose nxit asnjë promovim jashtë informacionit të aprovuar për produktet e saj. Vendimi se si të përshkruhen barnat, sipas informacionit të aprovuar ose jashtë tij, varet tërësisht nga profesionistët e kujdesit shëndetësor. Ne po përjetojmë kërkesë më të lartë sesa pritej për Ozempic. Ndërkohë që ne vazhdojmë të rrisim ndjeshëm prodhimin tonë, furnizimi ynë aktual nuk e plotëson gjithmonë këtë kërkesë të rritur”, ka deklaruar Adili.
Agjencitë më të mëdha farmaceutike në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian i kanë konfirmuar KOHËS se bari Ozempic është i aprovuar vetëm për diabet të tipit 2 dhe se mund të sigurohet vetëm me recetë nga mjeku.