Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ambasada e SHBA-së në Izrael i jep leje stafit të largohet, rrezik për sulm ndaj Iranit

Mike Huckabee

Ambasada e SHBA-së në Izrael njoftoi të premten stafin e saj se mund të largohej nga vendi dhe i bëri thirrje kujtdo që po mendon të largohej ta bëjë menjëherë, për shkak të kërcënimit të një sulmi amerikan ndaj Iranit.

Ambasadori amerikan, Mike Huckabee u tha punonjësve të ambasadës me email se pas diskutimeve me zyrtarët në Washington ishte marrë vendimi që lejon largimin për ata që dëshironin të iknin nga Izraeli, raporton AP.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Emaili, që iu referua agjencisë Associated Press nga një person i përfshirë në misionin e SHBA-së, por i paautorizuar për të dhënë detaje, ishte dërguar para orës 10:30 dhe e këshillonte stafin që të bënin menjëherë plane për të dalë nga Izraeli dhe më pas të udhëtonin drejt Washingtonit.

“Ata që dëshirojnë të marrin lejen e largimit duhet ta bëjnë këtë sot” shkroi Huckabee, duke përdorur akronimin “AD” për “authorized departure” (lirim i autorizuar).

Huckabee tha se nuk ka nevojë për panik, por për ata që duan të largohen është e rëndësishme të bëjnë planet sa më shpejt.

Ky njoftim u bë një ditë pasi Irani dhe SHBA-ja nuk arritën marrëveshje në negociatat bërthamore.

Disa kompani aviacioni, si KLM nga Holanda, kanë njoftuar që do të pezullojnë fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv.

Po ashtu, edhe disa ambasada të tjera kanë bërë plane për largime të autorizuara nga Izraeli dhe vendet përreth.

Australia të mërkurën “udhëzoi largimin e të gjithë familjarëve të zyrtarëve australianë në Izrael për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme”. India dhe disa vende evropiane gjithashtu këshilluan qytetarët të mos udhëtojnë drejt Iranit.

Në një takim të premten pas dërgimit të emailit, Huckabee tha se po inkurajon linjat ajrore të vazhdonin fluturimet.

Këto autorizime për largim tregojnë se SHBA-ja po merr masa serioze, ndërkohë që një flotë e madhe avionësh dhe anijesh amerikane po grumbullohet në Lindjen e Mesme.