Duke mos pasur ide se ku gjenden burri dhe i djali i madh e duke u përballur me traumat e përdhunimit të vazhdueshëm, Bahar është lodhur më, fizikisht dhe emocionalisht. Fëmijët e tjerë janë ende me të, mirëpo ajo tregon se ata ende janë të tronditur e të frikësuar gjatë gjithë kohës. “Bija ime ka lëndime nga rrahjet që ka duruar”, thotë ajo. “Më duhet të vazhdoj të luftoj. Por për momentin, siç jemi tani, është si të jesh e vdekur për së gjalli”.
Në vitin 2014, mijëra gra dhe fëmijë jazidi janë skllavëruar nga grupi i Shtetit Islamik (IS) në Irak dhe Siri. Bashkëvendësit jazidi nisën një përpjekje shpëtimi pothuajse menjëherë, por gati një dekadë më vonë, detyra e tyre është ende e papërfunduar.
Në nëntor 2015, Bahar dhe tre fëmijët e saj të vegjël sapo ishin shitur për herë të pestë.
Ajo kishte qenë një nga shumë gra jazide të robëruara nga IS-i, e cila kishte hyrë në fshatin e saj në rrethin Sinjar të Irakut verior 18 muaj më parë. Një pakicë fetare që jetonte në Irak për gati 6000 vjet, jazidët konsideroheshin të pafe nga luftëtarët e ISIS-it.
Ia kishin marrë burrin dhe djalin e madh. Ajo beson se ata u qëlluan për vdekje dhe u varrosën në një varr masiv.
Bahar kujton se si ajo dhe tre fëmijët e saj ishin të gjithë të strukur në një dhomë, duke qarë sepse mendonin se do t'ua prisnin kokat. Por në vend të kësaj, ata po shiteshin.
Në atë moment filloi tmerri.
Bahar thotë se ajo duhej t'u shërbente luftëtarëve të ISIS-it, pronë e të cilëve ishte bërë tashmë. “Më duhej të sillesha si gratë e tyre, kur të donin. Ata do të më rrihnin po të donin”. Fëmijët e saj, të gjithë nën moshën 10 vjeç, u rrahën gjithashtu. Njëra prej vajzave të saj është goditur në fytyrë me kondak të pushkës.
“Pronari” i saj i katërt ishte një tunizian i quajtur Abu Khattab. “Kemi qëndruar në shtëpinë e tij, por ai më jepte hua edhe për të punuar si pastruese në dy baza të tjera të ISIS-it. Në të gjitha këto vende shkoja në punë, pastroja dhe më përdhunonin.
“Dhe kishte sulme ajrore gjatë gjithë kohës. Luftëtarët e ISIS-it vraponin përreth, merrnin armë ose fshiheshin nga bombardimet. Ishte kaos, ishte më keq se një makth”.
Rruga e shpëtimit
Një ditë, kur Bahari dhe fëmijët e saj ishin në shtëpinë e Abu Khattabit, një makinë e bardhë me xhama të zi erdhi. Shoferi ishte i veshur me të zeza me mjekër të gjatë dhe nuk dukej ndryshe nga shumë luftëtarë të tjerë të ISIS-it.
Bahar kuptoi se ajo dhe fëmijët e saj po shiteshin edhe një herë. E mbingarkuar nga situata, Bahar i bërtiti burrit që thjesht ta vriste - nuk mund të duronte më. Por ajo që ndodhi më pas ndryshoi gjithçka.
Teksa po largoheshin, shoferi tha: “Po ju çoj diku tjetër”. Bahar nuk e dinte se çfarë po ndodhte apo nuk i besonte burrit dhe filloi të tërbohej. Ai ndaloi makinën dhe thirri dikë në telefonin e tij. Më pas ia dha telefonin Baharit. Ishte zëri i Abu Shujas, një burri që dihet se kishte organizuar shpëtimin e shumë grave dhe fëmijëve. Tani ajo e kuptoi se shoferi e kishte blerë, kështu që ajo dhe fëmijët e saj mund të shpëtoheshin gjithashtu.
Bahar u çua në një kantier ndërtimi diku afër Raqqa, në Siri. Aty i thanë të zbresë dhe të priste një burrë, që do të vinte dhe do të thoshte fjalën e koduar “Sayeed”. Pastaj, ajo duhej të shkonte me të.
Sigurisht, dikush mbërriti me një motoçikletë dhe e shqiptoi fjalën. Ai u tha Baharit dhe tre fëmijëve të saj të hipnin në motoçikletën e tij, si dhe: “Dëgjo, jemi në territorin e ISIS-it, e këtu ka postblloqe. Nëse të pyesin ndonjë gjë, mos thuaj asnjë fjalë, që të mos e dallojnë theksin tuaj jazid”.
Bahar thotë se burri i ka çuar në shtëpinë e tij: “Aty u sollën shumë mirë me ne - bëmë dush, na dhanë ushqim dhe qetësues dhe na thanë: ‘Tani jeni në duar të sigurta’”.
Një burrë tjetër i fotografoi Baharin dhe fëmijët e saj dhe i dërgoi tek Abu Shuja për ta vërtetuar se kishte njerëzit e duhur. Më pas, rreth orës 03:00 të mëngjesit të nesërm, familjen e zgjuan dhe iu kërkuan të bëheshin gati për të lëvizur përsëri. Burri, në shtëpinë e të cilit po qëndronin, ia dha Baharit kartën e identitetit të nënës së tij dhe tha se nëse dikush të ndalon dhe të pyet, ajo duhej të thoshte se po e çonte djalin e saj për ta vizituar mjekun. “Kaluam me makinë nëpër shumë pika kontrolli të ISIS-it, por askush nuk na ndaloi”.
Më në fund ata arritën në një fshat në kufirin mes Sirisë dhe Irakut dhe Bahar u takua nga Abu Shuja dhe vëllai i saj. “Isha në prag të kolapsit”, ka treguar ajo. “Nuk mbaj mend shumë gjëra të tjera që ndodhën pas kësaj”.
Më shumë se 6.400 gra dhe fëmijë jazidi mendohet se janë shitur për skllavëri pasi ISIS-i pushtoi Sinjarin. 5000 jazidi të tjerë u vranë në atë që një komision i OKB-së e quajti gjenocid.
Shitja e grave dhe fëmijëve online
Abu Shuja, i cili organizoi shpëtimin e Baharit, nuk ishte i vetmi që shqetësohej për gratë dhe fëmijët e rrëmbyer nga ISIS-i. Biznesmeni Bahzad Fahran, i cili jetonte jashtë zonave të kontrolluara nga ISIS-i, kishte krijuar një grup të quajtur Kinyat - për të shpëtuar gratë dhe fëmijët jazidi dhe për të regjistruar krimet e luftëtarëve të ISIS-it.
Kinyat mori fjalë se luftëtarët e ISIS-it po blinin dhe shisnin gra dhe fëmijë të rrëmbyer jazidi në internet, veçanërisht në Telegram. “Ne do të depërtonim në këto grupe online me emra të huazuar ose duke përdorur emrat e luftëtarëve të ISIS-it”, ka treguar Bahzad.
Në murin e zyrës së tij në zonën kurde të Irakut, ai tregon pamjet e printuara të ekranit të bisedave në Telegram. Njëra prej tyre është në anglisht, duke reklamuar një vajzë për shitje: “12 vjeçe, jo e virgjër shumë e bukur”. Ajo kushtoi 13 mijë dollarë dhe ishte në Raqqa të Sirisë. Më pas më tregon një foto të vajzës që pozonte në një divan lëkure.
Bahzad thotë se këto biseda në Telegram do të jepnin detaje se ku ndodheshin jazidët e rrëmbyer: “Ne do të kontaktonim me njerëzit që jetonin atje përreth dhe do t’u kërkonim atyre që të kërkonin këtë fëmijë”.
Ishte më e lehtë të gjeje djem të rinj, sepse ata lejoheshin të dilnin më shumë nga shtëpia.
“Kur po shpëtonim familjet, si gratë me fëmijët e tyre, duhej të kishim një sërë kodesh, ose sinjale për t'i njoftuar se ishim atje për t'i shpëtuar dhe për të na njoftuar kur ishin vetëm”.
Procesi ndryshonte në çdo rast, por secili përfshinte para dhe dokumente false për të kaluar nëpër pikat e kontrollit të grupit ISIS.
Ishte shumë e rrezikshme për jazidët të hynin në zonat e ISIS-it, kështu që akti i shpëtimit duhej të kryhej nga kontrabandistët lokalë, të cilët ishin mësuar më shumë me ndërrimin e cigareve dhe alkoolit të ndaluar.
“Këta djem i bënë të gjitha për para të gatshme”, ka theksuar Bahzad. “Ky ishte motivi i tyre i vetëm. Shumë njerëz u paguan mijëra dollarë për t’i blerë këto vajza”.
E ardhmja e pasigurt
Kinyat thotë se 6.417 jazidi u kapën robër, por 3.568 ose shpëtuan ose ikën. Vetë Bahzad shpëtoi 55 njerëz, por sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të mbështetur nga OKB-ja, rreth 2.700 gra dhe fëmijë jazidi janë ende të zhdukur. Shumë prej tyre mund të ishin ende me rrëmbyesit e tyre.
Bahzad thotë se është bërë gjithnjë e më i ndërlikuar gjurmimi i viktimave. Pasi IS-i u mund, luftëtarët dhe familjet e tyre u larguan në zona të tjera. Disa janë në Turqi, Irak, Siri dhe disa shkuan edhe në Evropë.
Bahzad thotë se ka fëmijë jazidi që ishin pesë ose gjashtë vjeç kur u rrëmbyen dhe që e kanë harruar plotësisht gjuhën e tyre ose kush janë: “Ata nuk dinë asgjë për të qenit jazidi. Madje harruan edhe familjet e tyre”.
E ardhmja më e gjerë për popullin jazidi gjithashtu mbetet e pasigurt.
“Jazidët kanë qenë nën sulm për shumë shekuj, dhe shumë nga popullata myslimane, më e re apo më e vjetër, ende besojnë se duhet të konvertohen ose të vdesin”, thotë Haider Elias, kreu i organizatës më të madhe të avokimit jazidi, Yazda. “Dhe kjo është arsyeja pse ne besojmë se nuk po zvogëlohet shtrirja e IS-it, apo se po i vjen fundi, dhe kjo është një frikë e madhe për jazidët”.
Nga 300 mijë jazidi që u larguan nga shtëpitë e tyre në Sinjar nga IS-i, pothuajse gjysma - si Bahar - ende jetojnë në kampe me tenda në rajonin kurd të Irakut. Ata nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre në distriktin Sinjar, sepse është shkatërruar pothuajse plotësisht dhe pozicioni i tij strategjik në kufirin Irak/Siri e bën atë territor të rrezikshëm - me milicitë që erdhën për ta luftuar IS-in tani që luftojnë njëri-tjetrin për supremaci.
Elias ka theksuar se komuniteti është i frikësuar se do të jetë subjekt i një masakre tjetër në çdo kohë dhe se shumë jazidi tani po migrojnë. “Ndjenja e sigurisë është vërtet e rëndësishme për ta. Është një gjë e madhe. Ata nuk ndihen të sigurt”.
Kushtoi rreth 20 mijë dollarë për të blerë lirinë e Baharit. Ajo është 40 vjeçe tani, por duket më e vjetër se mosha e saj - poshtë shamisë së saj flokët e saj tani janë kryesisht gri.
Ajo ka jetuar në kamp për tetë vjet që nga shpëtimi i saj. Ulur në një dysheme të hollë në tendën e saj, ajo tregoi albumin me fotot të familjarëve të humbur.
Duke mos pasur ide se ku gjenden burri dhe i djali i madh e duke u përballur me traumat e përdhunimit të vazhdueshëm, Bahar është lodhur më, fizikisht dhe emocionalisht.
Fëmijët e tjerë janë ende me të, mirëpo ajo tregon se ata ende janë të tronditur e të frikësuar gjatë gjithë kohës. “Bija ime ka lëndime nga rrahjet që ka duruar”, thotë ajo. “Më duhet të vazhdoj të luftoj. Por për momentin, siç jemi tani, është si të jesh e vdekur për së gjalli”.
Përktheu: Blerta Haxhiu