Disa vende të NATO-s po dërgojnë një numër të vogël personeli ushtarak në Grenlandë për të marrë pjesë në ushtrime të përbashkëta me Danimarkën, në kohën kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shtuar kërcënimet e tij për të aneksuar me forcë ishullin Arktik.
Deklaratat e Trumpit e kanë futur në krizë aleancën e sigurisë të udhëhequr nga SHBA-ja, e cila është dekada e vjetër, duke ngritur mundësinë që anëtari më i madh dhe më i fuqishëm i NATO-s të aneksojë territorin e një tjetri.
Danimarka, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e Grenlandës, ka paralajmëruar se një sulm ndaj Grenlandës do t'i jepte fund NATO-s dhe ka njoftuar të mërkurën se po zgjeron praninë e saj ushtarake "në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s".
Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar se po dërgojnë personel ushtarak në Grenlandë këtë javë. Kanadaja dhe Franca gjithashtu kanë thënë se planifikojnë të hapin konsullata në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës, në javët e ardhshme.
Nuk është e pazakontë që vendet e NATO-s të dërgojnë trupa për t'u trajnuar në vende të tjera të NATO-s dhe ka pasur një shtytje prej vitesh nga aleatët, përfshirë SHBA-në, për të shtuar ushtrimet e përbashkëta në Rrethin Arktik.
SHBA-ja ka rreth 150 trupa të stacionuara në Bazën e saj Hapësinore Pituffik në Grenlandën veriperëndimore.
Por si koha ashtu edhe simbolika e njoftimeve të fundit nga kombet evropiane janë një shfaqje e rëndësishme solidariteti në një kohë tensioni të paparë brenda NATO-s, shkruan CNN.
Trumpi ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm në lidhje me ambiciet e tij për të marrë kontrollin e ishullit më të madh në botë, përfshirë edhe me forcë nëse është e nevojshme, duke thënë se "do të bënte diçka në Grenlandë, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo", gjatë një konference për shtyp me drejtuesit e naftës të premten.
Në një deklaratë të mërkurën, ministria gjermane e Mbrojtjes, ka thënë se po dërgon një "ekip zbulimi" prej 13 personeli ushtarak në Grenlandë të enjten për "një mision eksplorimi" së bashku me kombe të tjera partnere, me ftesë të Danimarkës.
Suedia ka dërguar gjithashtu një numër të paspecifikuar trupash në Grenlandë të mërkurën me kërkesë të Danimarkës, ka njoftuar kryeministri Ulf Kristersson në X. Oficerët suedezë do të jenë pjesë e një grupi trupash nga vende të tjera aleate të cilët së bashku do të përgatiten për një stërvitje të ardhshme të quajtur Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë, ka shtuar ai.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Franca do të marrë pjesë gjithashtu në Operacionin Arktik të Qëndrueshmërisë.
"Njësitë e para ushtarake franceze janë tashmë në rrugë. Të tjera do të pasojnë", ka shkruar ai në X.
Norvegjia po dërgon gjithashtu dy personel mbrojtës në Grenlandë, ka konfirmuar një zëdhënës i ministrisë Norvegjeze të Mbrojtjes për CNN.
NATO-ja, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, është një aleancë ushtarake e gjatë midis 30 shteteve evropiane, si dhe SHBA-së dhe Kanadasë.
Ajo është ndërtuar mbi parimin se një sulm ndaj çdo anëtari duhet të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve, gjë që i bën kërcënimet e SHBA-së kundër Grenlandës - e cila është pjesë e NATO-s nga shoqërimi i saj me Danimarkën, kaq të jashtëzakonshme.
Ministri danez i Mbrojtjes e ka quajtur një sulm të mundshëm të SHBA-së ndaj Grenlandës "krejtësisht hipotetik".
“Është e pamundur që një vend anëtar i NATO-s të sulmojë një vend tjetër të NATO-s”, u ka thënë Troels Lund Poulsen gazetarëve në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Lajmi për vendosjen e trupave evropiane në Grenlandë erdhi ndërsa zyrtarët danezë dhe të Grenlandës u takuan me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio dhe zëvendëspresidentin JD Vance të mërkurën, disa orë pasi Trump ka shkruar në Truth Social se "çdo gjë më pak sesa kontrolli amerikan i Grenlandës është i papranueshëm".
"NATO-ja bëhet shumë më e fuqishme dhe efektive me Grenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Trumpi të mërkurën herët, duke argumentuar se nga kontrolli amerikan i Grenlandës do të përfitonte gjithashtu NATO-ja.
Takimi ka thënë pak rezultate të prekshme, pasi ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, ka vërë në dukje se ai dhe kolegu i tij i Grenlandës patën "një diskutim të sinqertë, por edhe konstruktiv" me Rubion dhe Vance, por se një "mosmarrëveshje themelore" vazhdon.
Megjithatë, Rasmussen ka thënë se palët kanë rënë dakord të formojnë "një grup pune të nivelit të lartë për të eksploruar nëse mund të gjejn një rrugë të përbashkët përpara.
E ministrja e Jashtme kanadeze, Anita Anand, ka thënë të dielën se kishte telefonuar homologët e saj të Grenlandës dhe Danimarkës për të "përsëritur mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për
Mbretërinë e Danimarkës dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Grenlandës".
Anand ka bërë të ditur se do të udhëtojë për në Grenlandë "në javët e ardhshme" për të hapur konsullatën zyrtare të Kanadasë në Nuuk dhe për të përcjellë "angazhimin e thellë të Kanadasë për sigurinë dhe mbrojtjen rajonale" në Arktik.
Franca do të hapë një konsullatë në Grenlandë më 6 shkurt, një veprim që ka qenë në përgatitje që nga viti i kaluar, ka thënë ministri i Jashtëm, Jean-Noel Barrot të mërkurën.
Barrot i ka kërkuar SHBA-së të ndalojë kërcënimin ndaj Grenlandës.
"Sulmi ndaj një anëtari tjetër të NATO-s nuk do të kishte kuptim, madje do të ishte në kundërshtim me interesat e Shteteve të Bashkuara... dhe kështu ky shantazh duhet të ndalet padyshim", ka thënbë Barrot në RTL.