Një hebre nga Jemeni e vuri në lëvizje mekanizmin për ekzekutimin e Adolf Eichmannit, një fotograf shqiptar shkrepi fotografitë më ikonike të procesit gjyqësor, kryeprokurori vinte nga Lembergu (Lvivi) i Ukrainës së sotme, kryesuesi i trupit gjykues ishte nga qyteti Gdanjsk i Polonisë së sotme. Por kush ishte Fritz Bauer dhe ç’rol luajti ai? Portrete protagonistësh të procesit të shekullit 20-të.
1. Vrasësi para gjyqit
Adolf Eichmanni ishte organizatori kryesor i gjenocidit kundër hebrenjve. Një nazist me bindje. Një burokrat që me infrastrukturën e tij vrastare pamëshirshëm asgjësoi 6 milionë hebrenj. Pas Luftës së Dytë Botërore jetoi fshehurazi në Argjentinë. U kidnapua nga shërbimi sekret izraelit Mossad. Pastaj u nxor para gjyqit. Pamjet e Adolf Eichmannit në sallën e gjyqit në Jerusalem janë ndër më të njohurat e shekullit 20-të. Procesi kundër Eichmannit filloi më 11 prill 1961. Mbi 500 gazetarë raportuan nga ky proces, raportuesja më e famshme ishte filozofia hebraike Hannah Arendt.
Në librin e saj “Eichmanni në Jerusalem” ajo e përshkroi Eichmannin si “banalitet të së keqes”. Përdorimi i fjalës “banalitet” në raport me vrasësin masiv Eichmann ngjalli kritika – si nga një pjesë e botës akademike ashtu edhe nga të mbijetuarit e krimeve naziste.
Gazeta amerikane “New York Times” botoi në ballinë një fotografi të Eichmannit gjatë një kontrolli mjekësor. Reporteri i gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” shkruante se për një moment e vetmja gjë e veçantë që i kishte rënë në sy ishin sytë e Eichmannit, “sy të ftohtë akull”. Njëra ndër pamjet e para nga gjykatorja është kjo: Eichmanni në një kafaz prej xhami. Në vijim disa portrete të shkurtra të njerëzve që luajtën rol në këtë proces të shekullit – me rastin e 60-vjetorit të ekzekutimit të Adolf Eichmannit.
2. Ekzekutuesi Shalom Nagar

Aktgjykimi kundër Eichmannit u lexua nga data 11 dhjetor 1961 deri më 15 dhjetor 1961. Kjo ishte dita e 121-të e procesit gjyqësor. Dhe ajo ditë mbaroi me shpalljen e dënimit me vdekje. Eichmanni do të ekzekutohej me varje në litar. Ekzekutimi do të kryhej më 1 qershor 1962. Më parë ishte hedhur short se kush do ta vinte në lëvizje mekanizmin për ekzekutimin e inxhinierit të masakrës më të madhe në histori mbi një popull, mbi popullin hebraik.
Shorti i ra Shalom Nagarit, i cili atëbotë ishte 24-vjeçar. Ai ishte një hebre që në moshën 15-vjeçare kishte emigruar nga Jemeni në Izrael. E quanin “jemenasi i vogël”. Kur autoritetet kishin kërkuar vullnetarë për ekzekutimin e Eichmannit, Shalom Nagar ishte i vetmi që nuk ishte lajmëruar. “Le ta bëjë dikush që ka qenë në kamp apo ka humbur familjarë”, kjo ishte ideja e tij. Propozimi i tij. Por shorti është short dhe urdhri – urdhër. Dy minuta pas mesnatës, më 1 qershor 1962, Shalom Nagar preku sustën dhe Eichmannit i mbetën këmbët në ajër. Si roje burgu Nagar e kishte provuar ushqimin e Eichmannit për të shmangur një helmim eventual. E kishte shoqëruar kreun nazist në tualet. Dhe në fund ia kishte marrë jetën. Hiri i kufomës së vrasësit masiv u derdh në ujërat e Mesdheut, përtej territorit izraelit. Pas ekzekutimit Nagar mori tri ditë pushim, 17 vjet më vonë u pensionua. Para ekzekutimit Eichmanni u rrëfye para një prifti gjerman. Për darkën e fundit kërkoi vetëm një gotë verë. Nuk pranoi t’i mbulohen sytë gjatë ekzekutimit. “S’ka nevojë”, tha.
3. Fotografi shqiptar Gjon Mili

Në Korçë ka shumëçka për të parë. Për shembull: Muzeu “Gjon Mili”. Në këtë muze janë ekspozuar 240 fotografi të Gjon Milit, shqiptarit të lindur në Korçë, i cili vlerësohet si njëri prej fotografëve më të njohur të shekullit 20-të. Dhe i njohur u bë Mili, mes tjerash, edhe me fotografitë nga procesi gjyqësor kundër Adolf Eichmannit në Jerusalem. Shumica e fotografive ikonike nga ky proces janë shkrepur nga Gjon Mili. Edhe fotografia e Eichmannit gjatë kontrollit mjekësor që u botua në ballinën e “New York Times” është vepër e Gjon Milit.
Ai u lind më 28 nëntor 1904 në Korçë, emigroi në Rumani dhe nga atje tutje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku bëri një karrierë mahnitëse si fotograf, veçanërisht në shërbim të revistës së famshme amerikane “Life”. Për këtë revistë Mili punoi nga viti 1939 deri kur vdiq më 1984.
4. Kryeprokurori Gideon Hausner

Fjalën hyrëse në procesin gjyqësor kundër Eichmannit e mbajti prokurori i përgjithshëm i Izraelit, Gideon Hausner. Juristi brilant Hausner u lind më 1915 në një familje hebraike në Lemberg (Lviv) të Ukrainës së sotme. Më 1927 emigroi me prindërit e tij në Palestinë. Pak para kidnapimit të Eichmannit, Hausner u emërua kryeprokuror i Izraelit. 15 pikat e aktakuzës u seleksionuan në katër kategori: krime kundër popullit hebraik, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe anëtarësi në një organizatë armiqësore. Në pledoajenë e tij Hausner tha: “Qëndroj këtu dhe me mua janë edhe 6 milionë akuzues”. Pasi braktisi drejtësinë, Hausner u kyç më 1965 në politikë. Ishte 12 vjet anëtar i Knesetit (parlamentit izraelit), pastaj ministër (1972-74) dhe nga 1968 deri më 1988 kryetar i Këshillit Botëror të Qendrës Hulumtuese dhe Përkujtimore të Holokaustit, Yad Vashem, në Jerusalem. Hausner vdiq më 1990 në moshën 75-vjeçare.
5. Gjykatësi Moshe Landau

Kryesues i trupit gjykues ishte Moshe Landau (1912-2011), ndërsa gjykatës ndihmës ishin Benjamin Halevi (1910–1996) dhe Jicak Raveh (1906–1989). Që të tre gjykatësit ishin lindur dhe arsimuar në Gjermani dhe pas marrjes së pushtetit nga nazistët qenë të shtyrë të braktisnin vendin dhe të emigrojnë në Palestinë. Kryesuesi i trupit gjykues Moshe Landau ishte lindur në Gdanjsk (Danzig), një qytet në Detin Baltik, i cili sot i përket Polonisë, atëbotë ishte pjesë e Rajhut Gjerman.
Në pyetjet e gjykatësit Landau se a ndihet fajtor, Eichmann u përgjigj 15 herë me “jo në kuptim të aktakuzës”. Sipas reporterit të “Süddeutsche Zeitung” Eichmann u përgjigj “pa nervozizëm, pa dridhje zëri”. Në një letër që ia dërgonte burrit të saj, filozofia Hannah Arendt e përshkruante gjykatësin Landau si të mahnitshëm, ironik dhe sarkastik, por edhe të përzemërt. Landau braktisi Gjermaninë më 1930 dhe shkoi në Londër për të studiuar drejtësi. Pas emigrimit në Palestinë punoi fillimisht avokat, por ishte aktiv edhe në Haganah, armatën e fshehtë hebraike.
Më 1953 Landau u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë të Izraelit, ishte gjykatësi më i ri në këtë organ juridik. Më vonë do të bëhej kryetar i kësaj gjykate. Landau nuk e pranoi arsyetimin e Eichmannit se në sistemin nazist ka qenë vetëm një rrotë e vogël dhe vetëm ka zbatuar urdhrat nga lart.
6. Fritz Bauer, prokurori që dinte shumë

Që nga viti 1952 Shërbimi Sekret Gjerman e dinte se Adolf Eichmanni gjendej në Argjentinë. Pas luftës Eichmann kishte punuar si pylltar në trevën Lüneburger Heide me emrin e rrejshëm Otto Heninger, mandej kishte ikur në Argjentinë – i pajisur me një pasaportë të Kryqit të Kuq dhe me një emër tjetër të rrejshëm: Ricardo Klement. Këtë e dëshmojnë edhe aktet e Shërbimit Sekret Gjerman. Por për arrestimin e tij mungonte vullneti politik.
Prokurori i përgjithshëm në Frankfurt, juristi hebraik Fritz Bauer, nuk i besonte autoriteteve gjermane, andaj informatat mbi vendndodhjen e Adolf Eichmannit i dërgoi në Izrael. Kështu nisi përndjekja dhe në fund kidnapimi i Eichmannit. Fritz Bauer sot konsiderohet hero në Gjermani, në vitet 50-të dhe në fillim të viteve 60-të nuk shihej si i tillë. Ai pengohej në punën e tij për t’i nxjerrë para gjyqit nazistët. Më 1963, pas përpjekjeve të mëdha të Fritz Bauerit, në Frankfurt filloi procesi i madh gjyqësor kundër rojeve të kampit të Auschwitzit. Pa këtë proces gjyqësor shoqëria gjermane edhe një kohë të gjatë nuk do të ishte ballafaquar me krimet e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Kështu do të ishte zvarritur edhe ballafaqimi me të kaluarën.
Më 2015 në kinematë gjermane është shfaqur filmi “Shteti kundër Fritz Bauerit”, i cili trajton jetën dhe veprën e prokurorit Bauer. Edhe në filmin tjetër gjerman “Në labirintin e heshtjes” trajtohet periudha para fillimit të procesit gjyqësor kundër nazistëve në Frankfurt. Fritz Bauer u lind më 1903 në Stuttgart. Babai i tij ishte një tregtar hebre i tekstileve. Më 1930, në moshën 27-vjeçare, Fritz Bauer u bë gjykatësi më i ri në Gjermani. Më parë kishte studiuar drejtësi në Heidelberg, München dhe Tübingen.
Për shkak se ishte hebre dhe socialdemokrat, Bauer u përjashtua nga shërbimi publik më 1933, atë vit nazistët morën pushtetin. Për 9 muaj u dërgua në një kamp përqendrimi dhe në një burg, bashkë me mikun e tij Kurt Schumacher, i cili pas Luftës së Dytë Botërore u bë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Më 1936 Fritz Bauer braktisi Gjermaninë. Në ekzil në Danimarkë dhe Suedi shkroi librin “Kriminelët e luftës para gjyqit”. Më vonë këtë titull libri ai do ta bënte realitet si kryeprokuror në Frankfurt.