Tensionet mes dy popujve u përkeqësuan kur komuniteti ndërkombëtar i dha Britanisë së Madhe detyrën për themelimin e “shtëpisë kombëtare” në Palestinë për popullin hebre. Për hebrenjtë Palestina ishte vendlindja e paraardhësve të tyre, por edhe arabët palestinezë pretendonin këtë tokë dhe kundërshtuan vendimin
Grupi militant i Hamasit më 7 tetor nisi sulmin e paprecedentë ndaj Izraelit, duke hyrë në territorin izraelit qindra militantë.
Së paku 1 mijë e 300 izraelitë janë varë teksa, qindra ushtarë e civilë, po mbahen në Gaza si pengje.
Më shumë se 1 mijë e 300 palestinezë gjithashtu janë vrarë nga sulmet ajrore në Gaza të cilat janë realizuar në shenjë reagimi nga Izraeli. Shteti izraelit ka bllokuar në tërësi Gazan, duke ua mohuar palestinezëve ushqimin, karburantet dhe gjërat tjera esenciale.
Izraeli gjithashtu është duke mbledhur forcat në kufi me Gazan dhe palestinezët po bëhen gati për operacionin tokësor që mund të kushtojë me vdekje të tjera.
Izraeli para vitit 1948
Çfarë ishte Izraeli para vitit 1948 dhe çfarë është Deklarata e Balfourit? Britania mori kontrollin e zonës që njihej si Palestinë pasi sunduesja e kësaj pjese të Lindjes së Mesme, Perandoria Osmane, u mposht në Luftën e Parë Botërore.
Në këtë tokë jetonin minoriteti hebre dhe shumica arabe, por edhe disa grupe të vogla etnike.
Tensionet mes dy popujve u përkeqësuan kur komuniteti ndërkombëtar i dha Britanisë së Madhe detyrën për themelimin e “shtëpisë kombëtare” në Palestinë për popullin hebre.
Kjo doli nga Deklarata e Balfourit e vitit 1917, zotim i bërë nga atëherë sekretari i jashtëm Arthur Balfour për komunitetin hebre të Britanisë.
Deklarata ishte përfshirë në mandatin e Britanisë mbi Palestinën dhe u miratua nga Lidhja e Kombeve që sapo ishte krijuar – pararendëse e Kombeve të Bashkuara – në vitin 1992.
Për hebrenjtë Palestina ishte vendlindja e paraardhësve të tyre, por edhe arabët palestinezë pretendonin këtë tokë dhe kundërshtuan vendimin.
Mes viteve 1920 dhe 1940, numri i hebrenjve që arritën në këtë territor shkoi duke u rritur. Shumë prej tyre erdhën duke i ikur persekutimit në Evropë, sidomos gjatë Holokaustit nazist në Luftën e Dytë Botërore.
Dhuna mes hebrenjve dhe arabëve dhe kundër sundimit britanik, gjithashtu shkoi duke u ngritur.
Në vitin 1947, Kombet e Bashkuara votuan që Palestina të ndahej në dy shtete, hebre dhe arabe. Jerusalemi u bë qytet ndërkombëtar.
Plani ishte pranuar nga liderët hebre, por u refuzua nga pala arabe dhe kurrë nuk u realizua.
Si u krijua Izraeli dhe përse?
Në vitin 1948, pasi e kishte të pamundur të zgjidhte problemin, Britania u tërhoq dhe liderët hebre deklaruan krijimin e Shtetit të Izraelit. Kishte për qëllim që të shërbente si vendmbrojtje për hebrenjtë që po iknin nga persekutimi, por gjithashtu edhe si tokë kombëtare për ata.
Luftimet mes hebrenjve dhe milicive arabe ishin intensifikuar për muaj dhe një ditë pasi Izraeli deklaroi shtetësinë, pesë shtete arabe sulmuan.
Mijëra palestinezë ikën ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë në atë që ata e quajnë “Al Nakba” ose “Katastrofa” në shqip.
Në kohën kur luftimet u ndalën pas armëpushimit një vit më vonë, Izraeli kontrollonte pjesën më të madhe të territorit. Jordania okupoi tokën që tani njihet si Bregu Perëndimor ndërkaq Egjipti okupoi Gazan. Jerusalemi u nda mes forcave izraelite në Perëndim dhe forcave jordaneze në Lindje.
Për shkak se kurrë nuk kishte marrëveshje të paqes, dekadat shkuan me luftëra dhe luftime. Në luftën e vitit 1967, Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor, por edhe Lartësitë e Golanit në Siri, Gazan dhe gadishullin egjiptian të Sinait.
Shumica e refugjatëve palestinezë dhe pasardhësit e tyre jetojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Ata janë edhe në Jordani, Siri dhe Liban.
As ata dhe pasardhësit e tyre nuk janë lejuar nga Izraeli që të kthehen në shtëpitë e tyre. Izraeli ka deklaruar se kjo do të ngarkonte shtetin dhe do të kërcënonte ekzistencën e tij si shtet hebre.
Izraeli ende ka nën kontrollon Bregun Perëndimor dhe e ka shpallur krejt Jerusalemin si kryeqytet, teksa palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytet i shtetit të ardhshëm palestinez. SHBA-ja është një prej shumë shteteve që e kanë njohur qytetin si kryeqytet të Izraelit.
Në pesëdhjetë vjetët e shkuara Izraeli ka ndërtuar vendbanime në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Në këto vendbanime tani jetojnë më shumë se 700 mijë hebrenj.
Vendbanimet janë të jashtëligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare – ky është pozicion i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe qeverisë britanike – ani pse Izraeli i mohon këto qëndrime.
Çka është Rripi i Gazës?
Gaza është rrip i ngushtë i tokës mes Izraelit dhe Detit Mesdhe, por është në kufi me Egjiptin në jug.
Vetëm 41 kilometra i gjatë dhe 10 kilometra i gjerë, në këtë territor jetojnë më shumë se 2 milionë njerëz dhe është një prej vendeve më të dendura në Tokë.
Para luftës 1948-1949 – Gaza ishte e pushtuar nga Egjipti për 19 vjet. Izraeli e pushtoi Gazan në vitin 1967 dhe e kontrolloi deri në vitin 2005, gjatë kohës kur po ndërtonte vendbanimet për hebrenjtë.
Izraeli tërhoqi ushtrinë dhe kolonët në vitin 2005, ani posë ka kontrollin e hapësirës ajrore, kufirit të përbashkët dhe bregut të detit. OKB-ja ende e cilëson si territor të okupuar nga Izraeli.
Problemi mes izraelitëve dhe palestinezëve
Ka numër të madh të çështjeve për të cilat dy palët nuk mund të merren vesh. Ato janë: çfarë do të ndodhë me refugjatët palestinezë, a duhet të jenë apo të hiqen vendbanimet e hebrenjve në Bregun Perëndimor, nëse dy palët duhet të ndajnë Jerusalemin dhe ndoshta çështja më problematike prej të gjithave – nëse shteti palestinezë duhet të krijohet përkrah atij izraelit.
Zgjidhja e problemeve
Bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve janë organizuar dhe ndalur mes viteve ’90 dhe 2010. Vazhdimisht janë ndërprerë shkaku i shpërthimit të dhunës.
Në ditët e para paqja e negociuar dukej e mundshme. Seria e bisedimeve sekrete në Norvegji u shndërrua në proces i paqes në Oslo, e simbolizuar përgjithmonë me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1993 që e organizoi presidenti Bill Clinton.

Në momentin historik të vitit 1993, palestinezët njohën Shtetin e Izraelit dhe Izraeli e njohu armikun historik, Organizatën për çlirimin e Palestinës (PLO) si përfaqësuese e vetme e popullit palestinez. U ngrit edhe Autoriteti Palestinez për vetëqeverisje.
Të çarat mes dy palëve nisën të shfaqen. Atëherë lideri opozitar Benjamin Netanyahu e quajti Oslon si kërcënim vdekjeprurës për Izraelin. Izraelitët përshpejtuan projektin e tyre për vendosjen e hebrenjve në territoret e pushtuara palestineze. Grupi i sapothemeluar i “Hamasit” dërgoi sulmues vetëvrasës për të vrarë njerëzit në Izrael dhe për të shuar mundësitë e marrëveshjes.
Atmosfera në Izrael ishte e rëndë dhe kulmoi me vrasjen e kryeministrit izraelit Yitzhak Rabin nga një ekstremist hebre më 4 nëntor të vitit 1995.
Në fillim të viteve 2000 pati përpjekje për ngjalljen e procesit të paqes – përfshirë atë të vitit 2003 kur fuqitë botërore vendosën për pikat me të cilat do të bëhej zgjidhja dy-shtetërore, po as ky plan nuk u realizua.
Përpjekjet për paqe përfundimisht u ndalën në vitin 2014 kur dështuan bisedimet mes izraelitëve dhe palestinezëve në Washington.
Plani i fundit i paqes – i përgatitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur Donald Trumpi ishte president – ishte cilësuar si “marrëveshje e shekullit” nga kryeministri Benjamin Netanyahu, por ishte refuzuar nga palestinezët si plan i njëanshëm dhe kurrë nuk u realizua.
Lufta e tanishme
Gaza sundohet nga Hamasi, grup militant që ka kryer vazhdimisht sulme ndaj Izraelit dhe është shpallur grup terrorist nga Britania e Madhe dhe shumë fuqi të tjera.
Hamasi i ka fituar zgjedhjet e fundit të vitit 2006 dhe ka marrë kontrollin e Gazas duke rrëzuar lëvizjen rivale Fatah të presidentit Mahmoud Abbas me bazë në Bregun Perëndimor.
Që atëherë, militantët në Gaza kanë luftuar disa herë me Izraelin që së bashku me Egjiptin kanë bllokuar rripin për të izoluar Hamasin dhe për të ndalur sulmet, sidomos raketat në drejtim të qyteteve izraelite.
Palestinezët në Gaza thonë se kontrolli i ashpër i Izraelit dhe bombardimet në zonat e populluara janë ndëshkim kolektiv.
Viti 2023 ishte më vdekjeprurësi për palestinezët në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Ata janë ankuar ndaj aksioneve ushtarake që janë realizuar si shenjë hakmarrjeje për sulmimin e izraelitëve. Këto tensione janë një prej arsyeve të sulmit të javës që shkoi.
Mirëpo militantët mund të kërkojnë të forcojnë popullaritetin mes palestinezëve të zakonshëm, duke përdorur pengjet si presion ndaj Izraelit për të liruar më shumë se 4 mijë e 500 palestinezë që mbahen nëpër burgje.
Përkrahja për Izraelin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shtetet tjera perëndimore kanë dënuar sulmet e Hamasit ndaj Izraelit.
SHBA-ja, aleatja më e afërt e Izraelit, i ka kushtuar vëmendje shtetit hebre dhe ka shpenzuar më shumë se 260 miliardë dollarë në ndihma ushtarake dhe ekonomike për Izraelin. Gjithashtu ka dërguar aeroplanëmbajtëse dhe anije të tjera në lindje të Mesdheut.
Rusia dhe Kina kanë refuzuar të dënojnë sulmet e Hamasit, duke insistuar se do të mbajnë kontakte me të dyja palët e konfliktit.
Presidenti rus Vladimir Putin ka fajësuar politikat amerikane për bllokimin e paqes në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, fuqia rajonale Irani, është përkrahëse e madhe e Hamasit dhe e lëvizjes tjetër armike të Izraelit, atë të Hezbollahut në Liban.
Janë ngritur dyshime për rolin e Iranit në këto sulme pas raportimeve se Republika Islamike kishte dhenë lejen për sulmet disa ditë më herët. Mirëpo Teherani ka mohuar çfarëdo përfshirje.
(Përktheu: Gent Mehmeti)