Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka hedhur poshtë një ofertë për bisedime të reja nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Ai po ashtu ka mohuar se Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar aftësitë bërthamore të Iranit. Teherani dhe Uashingtoni u angazhuan në pesë runde negociatash të tërthorta bërthamore që përfunduan me luftën ajrore 12-ditore në qershor, në të cilën Izraeli dhe SHBA-ja bombarduan vendet bërthamore iraniane.
"Trumpi thotë se është një negociator, por nëse një marrëveshje shoqërohet me shtrëngim dhe rezultati i saj është i paracaktuar, nuk është një marrëveshje, por më tepër një imponim dhe ngacmim", ka thënë Khamenei sipas mediave shtetërore.
Javën e kaluar, Trumpi i ka thënë parlamentit izraelit se do të ishte shumë mirë nëse Uashingtoni do të mund të negocionte një "marrëveshje paqeje" me Teheranin, pas fillimit të një armëpushimi në Gazë midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.