Administrata e Bidenit me shumë vështirësi po gjen mënyra për të ndihmuar Ukrainën, siç është kjo e fundit, kur armët e sekuestruara të Iranit ia transferoi shtetit që po lufton ndaj Rusisë. Bideni gjithashtu të mërkurën ka thënë se do të bënte një fjalim të madh për nevojën e financimit të Ukrainës. Ai ka paralajmëruar se ka plot opsione të tjera në tavolinë
Dhoma e Përfaqësuesve ka mbetur pa kryetarin Kevin McCarthy duke nisur krizën në Dhomën e Ulët të Kongresit. Ligjvënësit amerikanë janë në pushim deri në fund të javës së ardhshme. Një numër i madh i republikanëve hapur dhe privatisht ia kanë mësyrë garës për pozitën e kryetarit. Pasojat e krizës po bëhen edhe më të qarta dhe paqartësitë në Kongres kanë ndikim në dy çështje të mëdha.
Ndihma për Ukrainën
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, me javë të tëra ka paralajmëruar se fondet e ofruara nga Kongresi për ndihmat amerikane për Ukrainën janë duke u shteruar.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, ka parashikuar pengesa që prej fillimit të muajit tetor nëse Kongresi nuk autorizon miliarda dollarë për pjesën e mbetur të vitit. Nën të njëjtin presion nga anëtarët e krahut të djathtë të Dhomës – konservatorët e njëjtë që shkarkuan McCarthyn – nuk kanë miratuar fondet shtesë për Ukrainën.
Tani kur ka ikur McCarthy, gjasat për ndihmat e reja që mund të niseshin drejt Ukrainës në javët e ardhshme janë zbehur.
Dhoma do ta ketë të pamundur të bëjë diçka të rëndësishme derisa të zgjedhë kryetarin e ri. Në këtë pikë vendimi më i shpejtë që mund të merret mund të realizohet kah mesi i javës së ardhshme.
Përtej kësaj çdokush që merr postin e kryetarit do të ketë të njëjtin presion dhe do të përballet me të njëjtat dilema si McCarthy.
Republikanët si Matt Gaetz, i cili nuk kurseu as karrigen e kryetarit, dhe Marjorie Taylor Greene, janë kundërshtuesit më të zëshëm ndaj ndihmave për Ukrainën. Dhe çdo kryetar që nis votimin për këtë çështje do të përballet me kryengritjen e njëjtë nga krahu i djathtë i republikanëve.
Kryetari i ri do të mund të bëjë përpjekje që pakon e ndihmave për Ukrainën ta përfshijë në prioritetet konservatore siç janë fondet për kufi që anojnë më shumë kah e djathta. Mirëpo kjo mund të rrezikojë përkrahjen demokratike në dhomë, turma të cilës po i prijnë Gaetz e Greene që më parë kanë refuzuar përpjekjet e tilla.
Administrata e Bidenit me shumë vështirësi po gjen mënyra për të ndihmuar Ukrainën, siç është kjo e fundit kur armët e sekuestruara të Iranit ia transferoi shtetit që po lufton ndaj Rusisë. Bideni gjithashtu të mërkurën ka thënë se do të bënte një fjalim të madh për nevojën e financimit të Ukrainës. Ai ka paralajmëruar se ka plot opsione të tjera në tavolinë.
“Mund ta përkrahim Ukrainën në këstin e radhës që na nevojitet. Ka edhe të tjera mundësi me të cilat mund të gjejmë fonde, mirëpo nuk po flas për këtë tani”, ka thënë Bideni.
Ai mund t’i jetë referuar një procedure parlamentare që rrallë është përdorur. Kjo mund të bëhet duke tejkaluar lidershipin republikan në Dhomë dhe çështjen e Ukrainës ta hedhë menjëherë në votim.
Edhe nëse ka rezistencë nga republikanët, Bideni ka thënë se ka shumicë në Dhomë dhe në Senat që e përkrahin ndihmën e vazhdueshme për Ukrianën. Mirëpo mënyra që ligji të arrijë në tavolinën e presidentit dita-ditës po bëhet edhe më e vështirë.
Shkaku kryesor i shkarkimit të McCarthyt ishte vendimi i tij për ta vënë në votim ligjin të shtunën. Demokratët e përkrahën shtyrjen e mbylljes së qeverisë deri më 17 nëntor.
Sa i përket fatit të McCarthyt, kryetari i ri mund të bëjë më shumë lëshime ndaj krahut të djathtë të partisë së tij dhe do të jetë i gatshëm të bëjë oferta për pakicën demokrate në Dhomë, shumicë në Senat ose Bidenin në Shtëpinë e Bardhë.
Pasojat te kryetari i ri
Do të jetë edhe më e vështirë për kryetarin e ardhshëm që të arrijë marrëveshje për shpenzimet federale me republikanët e Dhomës. Gaetz dhe aleatët e tij kanë bërë thirrje për tkurrje të madhe të shpenzimeve teksa anëtarët më centristë të partisë po bëjnë përpjekje që të financojnë prioritetet legjislative.
Senati i kontrolluar nga demokratët do të duhej të miratonte pakon e vet të shpenzimeve qeveritare dhe nuk do ta ketë të lehtë miratimin e ligjit të përkrahur vetëm nga një parti e Dhomës së Përfaqësuesve.
Teksa kompromisi nuk ka gjasa të arrihet, mundësitë për mbyllje – ndoshta një që do të zgjasë deri në fund të vitit – janë shumë të mëdha.
SHBA-ja u ka mbijetuar disa mbylljeve të qeverisë në dekadat e fundit dhe tashmë është mësuar me efektet. Punëtorët qeveritarë dhe kontraktuesit do të vuajnë më së shumti, ashtu siç ndalen rrogat në shumë raste.
Disa programe të qeverisë për të varfrit mund të kufizohen, teksa zyrat e tjera dhe shërbimet mbyllen krejtësisht.
Krejt këto do të kenë pasoja të thella ekonomike që mund ta nisin SHBA-në drejt recesionit – dhe kjo, natyrisht, do të ketë pasoja për ekonominë botërore.
Keqfunksionimi i vazhdueshëm i Kongresit mund të zbehë besimin publik në institucionet qeveritare. Sondazhet e javës së fundit tregojnë për ulje të besimit si kurrë më parë.
Teksa demokratët shikonin dramën që po zhvillohej të martën në Dhomën e Përfaqësuesve, disa të kënaqur dhe të tjerë të zhgënjyer, rezultati i fundit i kësaj krize do të jetë vështirë i parashikueshëm.
Teksa zgjedhjet presidenciale dhe ato në Kongres do të mbahen në fund të vitit të ardhshëm, pakënaqësia e elektoratit mund të ketë pasoja të mëdha politike për të gjithë ata që garojnë, nga të dy partitë.
Përktheu: Gent Mehmeti