Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kthim te librat - Shkollat e Suedisë po reduktojnë mësimin digjital

Suedia - shkollat

Qeveria shpreson se rikthimi te metodat tradicionale do të përmirësojë renditjen e Suedisë në testet PISA - standardi i OECD për arsimin. Dikur një vend me rezultate të shkëlqyera, Suedia u përball me rënie të fortë në vitin 2012 dhe më pas, pas një rikuperimi të shkurtër, një rënie tjetër në matematikë dhe lexim në vitin 2022.

Qeveria e Suedisë po promovon një fokus të ri te librat fizikë, letrat dhe stilolapsat në klasa, me qëllim për të përmbysur nivelin në rënie të shkrim-leximit.

Por ky rikthim te mjetet analoge është kritikuar nga kompanitë e teknologjisë, mësuesit dhe shkencëtarët kompjuterikë, të cilët argumentojnë se mund të ndikojë në perspektivat e punësimit të nxënësve dhe madje të dëmtojë ekonominë e vendit nordik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një shkollë të mesme në Nacka, pranë Stokholmit, nxënësit e vitit të fundit po nxjerrin laptopët nga çantat, së bashku me sende që thonë se i përdornin më rrallë disa vite më parë.

“Tani shpesh kthehem nga shkolla në shtëpi me libra dhe fletore të reja”, thotë Sophie, 18 vjeç. Ajo shton se një mësues “ka filluar të printojë të gjitha tekstet që përdorim gjatë orës”, ndërsa një platformë digjitale në matematikë është zëvendësuar me mësim vetëm me libra.

Kjo pamje bie ndesh me reputacionin e Suedisë si një nga shoqëritë më të përparuara teknologjikisht në Evropë, falë nivelit të lartë të aftësive digjitale dhe një skene të lulëzuar të start-up-eve teknologjike.

Laptopët u bënë të zakonshëm në klasat suedeze në fund të viteve 2000 dhe fillim të viteve 2010. Deri në vitin 2015, rreth 80% e nxënësve në shkollat e mesme shtetërore kishin qasje individuale në pajisje digjitale, sipas të dhënave zyrtare.

Përdorimi i detyrueshëm i tabletëve në parashkollorë u përfshi në kurrikulë në vitin 2019, si pjesë e qeverisë së mëparshme socialdemokrate për të përgatitur edhe fëmijët më të vegjël për një jetë gjithnjë e më digjitale.

Por koalicioni aktual i djathtë, që erdhi në pushtet në vitin 2022, po e ndryshon drejtimin e arsimit.
“Ne po përpiqemi, në fakt, të heqim sa më shumë ekranet”, thotë Joar Forsell, zëdhënës për arsimin në Partinë Liberale, udhëheqësi i së cilës është ministër i Arsimit i Suedisë.

“Në moshat më të larta mund t’i përdorësh pak më shumë, por në moshat e ulëta, ose në shkollë, nuk mendoj se duhet të përdoren fare ekranet”, shton ai. 

Qeveria përdor shpesh sloganin “från skärm till pärm”, që në suedisht tingëllon tërheqës dhe përkthehet “nga ekrani te dosja/lidhësi”.

Ajo argumenton se mësimet pa ekrane krijojnë kushte më të mira për përqendrim dhe zhvillimin e aftësive të të lexuarit dhe të shkruarit.

Që nga viti 2025, parashkollorët nuk janë më të detyruar të përdorin mjete digjitale, dhe tabletët nuk u jepen fëmijëve nën moshën dy vjeç.

Më vonë këtë vit hyn në fuqi edhe një ndalim i telefonave celularë në shkolla, madje edhe për përdorim edukativ.

Shkollave u janë ndarë tashmë më shumë se 2.1 miliardë krona (rreth 200 milionë dollarë) në grante, për të investuar në libra shkollorë dhe udhëzues për mësuesit. Një kurrikulë e re, që synon të forcojë mësimin me libra, pritet në vitin 2028.

“Leximi i librave të vërtetë dhe shkrimi në letër të vërtetë, si dhe llogaritja me numra në letër të vërtetë, është shumë më mirë nëse dëshiron që fëmijët të marrin njohuritë që u duhen”, argumenton Forsell.
Ky ndryshim qasjeje erdhi pas një konsultimi në vitin 2023 me studiues akademikë, organizata mësimdhënieje, agjenci publike dhe bashki.

“Ka pasur një ndërgjegjësim në rritje për ndërprerjet që teknologjia po shkakton në klasa”, thotë Dr. Sissela Nutley, neuroshkencëtare e lidhur me Institutin Karolinska në Stokholm, e cila është ndër ata që kanë ngritur shqetësime për përdorimin e mjeteve digjitale.

Nutley thotë se nxënësit mund të humbasin përqendrimin duke parë çfarë bëjnë fëmijët e tjerë në ekran. Ajo gjithashtu i referohet një numri studimesh ndërkombëtare që sugjerojnë se leximi në pajisje digjitale e bën më të vështirë përpunimin e informacionit dhe se përdorimi i tepërt i ekraneve mund të ndikojë edhe në zhvillimin e trurit te nxënësit e vegjël.

Rezultati i keq në PISA 

Qeveria shpreson se rikthimi te metodat tradicionale do të përmirësojë renditjen e Suedisë në testet PISA - standardi i OECD për arsimin. Dikur një vend me rezultate të shkëlqyera, Suedia u përball me rënie të fortë në vitin 2012 dhe më pas, pas një rikuperimi të shkurtër, një rënie tjetër në matematikë dhe lexim në 2022.

Megjithëse ende pak mbi mesataren e OECD-së, vendi performoi më keq në shkrim-lexim sesa Britania e Madhe, SHBA-ja, Danimarka dhe Finlanda. Rreth një e katërta (24%) e nxënësve 15–16 vjeç nuk arritën nivelin bazë të të kuptuarit të leximit.

“Ne e dimë se fëmijët që kanë kaluar gjithë sistemin shkollor me shumë ekrane janë prapa në krahasimet ndërkombëtare”, thotë Forsell.

Një raport i OECD për arsimin në Suedi, i publikuar në janar të këtij viti, përfundoi se në përgjithësi nxënësit suedezë përfitojnë nga mjetet digjitale.

Megjithatë, ai theksoi se ka shumë shpërqendrim digjital në klasa dhe se përdorimi i lartë i pajisjeve digjitale në matematikë lidhet me rezultate më të ulëta. Megjithatë, këto rezultate ishin ende më të larta sesa te nxënësit që nuk përdorin fare mjete digjitale.

Andreas Schleicher, drejtor për arsimin në OECD, paralajmëron kundër nxjerrjes së lidhjeve të thjeshta “shkak dhe pasojë”, por thotë se përdorimi më “ekstrem” i teknologjisë nga Suedia ka ndikuar në rezultatet e saj.

“Ata thjesht futën shumë pajisje në klasa pa një qëllim të qartë pedagogjik”,  argumenton ai.

Shqetësimi për punët e së ardhmes 

Por në Suedi, strategjia e qeverisë për t’u kthyer te librat ka ndezur debate të forta në komunitetin e biznesit.

Një raport i ri nga shoqata “Swedish Edtech Industry” paralajmëron se një arsim më analog mund t’i përgatisë më keq nxënësit për punët e së ardhmes.

“Të gjithë kanë nevojë për aftësi bazë digjitale për të hyrë në tregun e punës”, thotë shefja ekzekutive e saj, Jannie Jeppesen, ish-mësuese. Ajo përmend një raport të BE-së që vlerëson se 90% e vendeve të punës së shpejti do të kërkojnë aftësi digjitale.

Jeppesen është gjithashtu e shqetësuar për ndikimin në sipërmarrje dhe inovacion.

Suedia është aktualisht vendi kryesor në Evropë për krijimin e “unicorn-ëve” teknologjikë (kompani me vlerë mbi 1 miliard dollarë), në raport me popullsinë.

Këtu përfshihen Spotify dhe Legora, një platformë AI për profesionin ligjor. Këto kompani “do të zhvendosen diku tjetër” nëse nuk gjejnë kompetencat e duhura IT në Suedi, argumenton ajo.
Gjithashtu ekziston çështja e përdorimit në rritje të inteligjencës artificiale (AI).

Qeveria suedeze dëshiron që shkollat e mesme të japin mësime mbi mundësitë dhe rreziqet e AI-së, por disa kritikë thonë se AI-ja duhet të përfshihet edhe në arsimin e fëmijëve më të vegjël.
Pa këto masa, fëmijët nga familje më të pasura, prindërit e të cilëve mund t’i ndihmojnë me teknologjinë, do të kenë avantazh, duke krijuar një “ndarje digjitale”, paralajmëron profesoresha Linnea Stenliden nga Universiteti i Linköpingut.

Por në parlament, Forsell këmbëngul se fëmijët nuk duhet të mësojnë AI-në pa pasur më parë aftësi bazë, dhe refuzon idenë se qasja më tradicionale rrit pabarazinë.

“Ju mund t’u jepni njerëzve mundësi që pabarazia ua ka marrë, vetëm duke u dhënë arsim të duhur”, thotë ai.

Megjithatë, Jeppesen e quan këtë një qëndrim “populist”. Ajo thotë se debati “digjitalizmi kundër librave” largon vëmendjen nga probleme të tjera si shpërndarja e pabarabartë e burimeve arsimore dhe aftësive të mësuesve.

Në Nacka, edhe vetë nxënësit e vitit të fundit janë të ndarë në mendime.

“Interneti e ka marrë pak kontrollin te gjeneratat e reja dhe kam vënë re që ata humbin përqendrimin më lehtë”, thotë Alexis, 18 vjeç, i cili nuk dëshiron që vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël të përdorin kaq shumë mjete digjitale sa gjenerata e tij.

Por të tjerë, si Jasmine 19 vjeç, janë në favor të arsimit digjital, madje edhe për fëmijët e shkollës fillore.

“Le të fokusohemi më shumë te kompjuterët. Sepse nëse jemi realistë, gjithë bota po përdor kompjuterë”.