Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë publikuar përbërjen e plotë të delegacionit të tyre, i cili do të marrë pjesë në bisedimet me Rusinë në Alaskë gjatë ditës së premte.
Pjesë e këtij delegacioni janë: (1) Marco Rubio, Sekretari i Shtetit; 2) Scott Bessent, Sekretari i Thesarit; (3) Howard Lutnick, Sekretari i Tregtisë; (4) John Ratcliffe, Drejtori i CIA-s; (5) Susie Wiles, Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Atyre do t’u bashkohet gjithashtu një grup zyrtarësh të tjerë të lartë, përfshirë zëvendësshefat e stafit dhe zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, si dhe të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff dhe shefen e protokollit Monica Crowley.
Delegacioni rus do të përfshijë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Andrey Belousov, ministrin e Financave Anton Siluanov, kreun e fondit sovran rus, Kirill Dmitriev dhe ish-ambasadorin e Rusisë në SHBA, Yuri Ushakov.
Zelensky: Është koha t’i japim fund luftës, kemi shpresa tek Amerika
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të premten para fillimit të samitit historik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, se pret që prej këtij takimi të hapet rruga për paqen si dhe të ketë diskutim substancial për formatin e mundshëm trepalësh mes tij, presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Gjëja kyç është që ky takim duhet të hapë një rrugë reale drejt paqes së drejtë dhe diskutimit thelbësor midis liderëve brenda një formati trepalësh - Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pala ruse”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social X.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se tashmë ka ardhur koha që t’i jepet fund luftës, duke e hedhur topin në fushën e Rusisë.
“Është koha t’i japim fund luftës, ndërsa hapat e nevojshëm duhet të bëhen nga Rusia”, ka thënë më tutje Zelensky.
Për fund, lideri ukrainas është shprehur se “ne (populli i Ukrainës) i kemi shpresat tek Amerika. Jemi gati, si gjithmonë, për të punuar në mënyrë sa më produktive”.
Trump: Mendoj se diçka do të dalë nga takimi me Putinin
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, përpara takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ai ka thënë se Putini është “një djalë i zgjuar” dhe se ata “kuptohen mirë”, tek ka shtuar se ekziston “nivel i mirë i respektit nga të dyja palët”.
Trumpi ka theksuar se “mendon se diçka do të dalë nga ky takim”.
Teksa ka folur rreth përbërjes së delegacionit rus, ai ka deklaruar se “vura re që ai (Putini) po sjell shumë biznesmenë nga Rusia, dhe kjo është shenjë e mirë. Më pëlqen kjo sepse ata duan të bëjnë biznes, por nuk do të ndodhë derisa ta ndalojmë luftën”.
Sa i përket sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës, Trumpi është shprehur se Putini “po përpiqet të përgatisë terrenin” dhe “në mendjen e tij, kjo e ndihmon për të arritur një marrëveshje më të mirë”.
Por, sipas tij, kjo veç sa e dëmton shefin e Kremlinit, dhe se kjo temë do të diskutohet ndërmjet tyre gjatë samitit.
Mes tjerash, ai e ka konfirmuar kërcënimin e tij të mëhershëm, se Rusia do të përballet me “pasoja shumë të rënda” në rast se dështon të tregojë gatishmëri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Pasoja të rënda ekonomike, do të jenë shumë të rënda. S’po e bëj për shëndetin tim, në rregull, s’kam nevojë. Do të doja të përqendrohesha në vendin tonë, por po e bëj këtë për të shpëtuar më shumë jetë”.
Ndërkaq, i pyetur nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë garanci të sigurisë për Ukrainën, Trumpi s’e ka përjashtuar këtë mundësi.
“Ndoshta, së bashku me Evropën dhe vende të tjera. Jo në formën e NATO-s, sepse kjo nuk do të ndodhë, e dini, ka disa gjëra që nuk do të ndodhin. Por po, së bashku me Evropën, ekziston një mundësi”, ka thënë më tutje shefi i Shtëpisë së Bardhë.