Ministri i Financave të ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich, ka përshkruar në mënyrë eksplicite përpjekjen e tij aktive për të aneksuar Bregun Perëndimor në Izrael.
Duke folur në një takim të partisë së tij “Sionizmi Fetar”, Smotrich u ka thënë kolegëve se ai "po krijonte fakte në terren për t'i bërë Judenë dhe Samarinë (një term izraelit për Bregun Perëndimor të pushtuar) një pjesë integrale të shtetit të Izraelit, raporton The Guardian.
“Ne do të vendosim sovranitetin … fillimisht në terren dhe më pas përmes legjislacionit. Kam ndërmend të legalizoj vendbanimet e reja. Misioni im i jetës është të pengoj krijimin e një shteti palestinez”, ka deklaruar Smotrich.
Aneksimi dhe përvetësimi i territorit me pushtim ushtarak është i ndaluar si një nga parimet themeluese të së drejtës ndërkombëtare duke përfshirë edhe kartën e OKB-së.
The Guardian ka raportuar javën e kaluar se ushtria izraelite kohët e fundit u dorëzoi në heshtje kompetenca të rëndësishme ligjore në Bregun Perëndimor të pushtuar, nëpunësve civilë pro-kolonëve që punojnë për Smotrich.
Një urdhër i postuar nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në faqen e saj të internetit më 29 maj tregon për transferimin e përgjegjësisë për dhjetëra akte nënligjore në Administratën Civile, nga ushtria tek zyrtarët e udhëhequr nga Smotrich në ministrinë e Mbrojtjes.
Smotrichi dhe aleatët e tij e kanë parë prej kohësh kontrollin e Administratës Civile, ose pjesë të rëndësishme të saj, si një mjet për të zgjeruar sovranitetin izraelit në Bregun Perëndimor. Qëllimi i tyre përfundimtar është kontrolli i drejtpërdrejtë nga qeveria qendrore dhe ministritë e saj.