Botë

Ndalohet grupi i dyshuar terrorist që planifikonte sulm ndaj kryeministrit belg

Kryeministri belg

Foto: Associated Press

Një grup i dyshuar terrorist është zbuluar dhe ndaluar nga Prokuroria Federale e Belgjikës të enjten, nën dyshimin se po planifikonte sulm kundër kryeministrit të vendit, Bart De Wever, raportoi të enjten “Euronews”.

Sipas mediave lokale, gjatë një kontrolli në lagjen Deurne të qytetit Antwerp, hetuesit gjetën një mjet shpërthyes që dyshohet se do të vendosej në një dron për të kryer sulmin.

Tre të rinj – të lindur në vitet 2001, 2002 dhe 2007 – që jetojnë në Antwerp, janë arrestuar.

Prokuroria ka njoftuar se janë hapur hetime për “tentativë për vrasje terroriste” dhe “pjesëmarrje në veprimtari të një grupi terrorist”.

Gjatë kontrollit u sekuestruan edhe një printer 3D dhe pajisje elektronike. Nuk është bërë e ditur se cilit grup terrorist mund t’i përkisnin të dyshuarit.

“Ky rast tregon se policia, prokuroria dhe shërbimet e sigurisë duhet të jenë gjithmonë vigjilente për rrezikun nga sulmet terroriste”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Bart De Wever u bë kryeministër i Belgjikës në muajin shkurt, pas negociatave të gjata për formimin e një koalicioni që e zhvendosi vendin më djathtas. Ai është kryeministri i parë nga rajoni flaman që udhëheq Belgjikën.