Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, janë takuar të premten në New York.
“Është nder të kemi një president këtu me ne dhe ai ka kaluar në shumë gjëra”, ka thënë Trumpi në krah të të cilit qëndronte Zelensky.
“Ai po kalon shumëçka”, ka shtuar Trumpi. “Do të flasim dhe do të shohim çfarë mund të arrijmë”.
E presidenti ukrainas ka thënë se ai dhe Trumpi kanë qëndrim të njëjtë se lufta në Ukrainë duhet të ndalet dhe se e ka konsideruar të rëndësishëm faktin që i ka takuar të dy kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Takimi i Zelenskyt në New York ndodhi një ditë pasi lideri ukrainas takoi të nominuarën e Partisë Demokratike për presidente, Kamala Harris.
Takimi i Zelenskyt me Trumpin u bë çështje ditëve të fundit pasi ish-presidenti amerikan e kritikoi Ukrainën për refuzim të marrëveshjes me Rusinë pushtuese.
Trump po ashtu ka premtuar se po që se bëhet president do të arrinte shpejt marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës.