Botë

Në “duart e Kim Jong Unit”

Gjatë kohës në robëri, familja e tij tha se shëndeti iu përkeqësua si pasojë e kushteve të këqija dhe punës së vështirë. Një pjesë të robërisë së tij e kaloi në kamp pune për të huajt, ku ai ishte i vetmi i burgosur

Që kur armët e Luftës Koreane nuk u dëgjuan më, më 27 korrik 1953, dhjetëra mijëra trupa amerikane kanë mbetur në Korenë e Jugut si vëzhgues përgjatë paralelit të 38-të me Korenë e Veriut.

Së bashku me aleatët e tyre të Koresë së Jugut, forcat amerikane kryejnë rregullisht stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë në gadishull, duke i shkaktuar shpesh zemërim qeverisë së Phenianit.

Pavarësisht këtyre tensioneve dhe mungesës së marrëdhënieve zyrtare diplomatike midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut, një grup i vogël amerikanësh kanë vizituar vendin në turnetë e organizuara - ndonjëherë me rezultate të rrezikshme.

“Mos udhëtoni në Korenë e Veriut për shkak të rrezikut serioz të vazhdueshëm, të arrestimit dhe ndalimit afatgjatë të shtetasve amerikanë”, thuhet në një paralajmërim në faqen e internetit të Departamentit të shtetit të SHBA-së. “Qeveria amerikane nuk është në gjendje të ofrojë shërbime emergjente për qytetarët amerikanë në Korenë e Veriut”.

Shtetasit amerikanë janë arrestuar disa herë në Korenë e Veriut që nga viti 1996, duke përfshirë turistë, studiues dhe gazetarë.

Në korrik të 2017-s, Qeveria amerikane i ndaloi qytetarët amerikanë të vizitojnë vendin - një masë që ka vazhduar të paktën deri në gusht të vitit 2022.

Këtu janë disa nga rastet e dekadës së fundit.

Otto Warmbier, 2016

Otto Warmbier, një student në Universitetin e Virginias, u arrestua gjatë vizitës së tij në Korenë e Veriut, si pjesë e një grupi turistësh në janar të vitit 2016. Vizita e organizuar nga një operator turistik me bazë në Kinë, i specializuar në destinacionet jashtë rrezikut, ishte një udhëtim pesëditor, për të përjetuar Korenë e Veriut gjatë periudhës së Vitit të Ri. Babai i tij më vonë i tha “Washington Post” se ai ishte “kurioz për kulturën e tyre dhe dëshironte të takonte njerëzit e Koresë së Veriut”.

Rreth dy muaj pas ndalimit të tij më 2 janar, një gjykatë e Koresë së Veriut dënoi Otto Warmbierin me 15 vjet burgim me punë të rëndë, me akuzën se ai u përpoq të vidhte një poster propagandistik. Menjëherë pas dënimit, Warmbier pësoi një sulm neurologjik në rrethana të paqarta.

Ai u lirua - i sëmurë rëndë - 17 muaj pas arrestimit dhe vdiq në spital gjashtë ditë pasi u kthye në SHBA, në qershor të 2017-s.

Mjekët amerikanë e përshkruan Warmbierin me gjendje “të zgjuar, por që nuk reagon”, ndërsa familja Warmbier cilësimin e kësaj gjendjeje si koma e cilësonte “të padrejtë”.

Babai i tij tha se kur e panë djalin e tij, ai “po lëvizte pa kontroll dhe po dridhej, ai lëshonte ulërima dhe tinguj çnjerëzor”.

“Koka e tij ishte e rruar, ai ishte i verbër dhe i shurdhër, krahët dhe këmbët e tij ishin totalisht të deformuara dhe ai kishte një plagë të madhe në këmbë”, tha ai. “Otto u torturua sistematikisht dhe u lëndua qëllimisht nga Kim dhe regjimi i tij. Kjo nuk ishte rastësi”.

Një gjykatë federale amerikane më vonë e shpalli Korenë e Veriut përgjegjëse për torturimin dhe vdekjen e Otto Warmbierit.

Edhe pse Koreja e Veriut nuk i kundërshtoi zyrtarisht akuzat, ajo ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve pretendoi se atij iu ofrua kujdes mjekësor “me gjithë sinqeritetin” pavarësisht se nuk kishte “asnjë arsye për të treguar mëshirë ndaj një krimineli të tillë të shtetit armik”.

Agjencia gjithashtu pretendoi se Koreja e Veriut ishte viktima më e madhe e vdekjes dhe “fushatës e shpifjes” nga SHBA-ja.

Bruce Byron Lowrance, 2018

Në tetor të 2018-s, Koreja e Veriut njoftoi se Bruce Byron Lowrance - një 60-vjeçar nga Michigani, ishte arrestuar ndërsa hynte ilegalisht në vend nga Kina.

Autoritetet amerikane më vonë zbuluan se një burrë, të dhënat e të cilit përputheshin me emrin dhe përshkrimin e tij, ishte arrestuar në zonën e çmilitarizuar që ndan Korenë e Veriut nga ajo e Jugut. Burri dyshohet se u kishte thënë hetuesve se besonte se vizita e tij do të ndihmonte në zbutjen e tensioneve gjeopolitike midis dy vendeve.

Lowrance u lirua rreth një muaj pasi u ndalua, gjë që zyrtarët amerikanë sugjeruan se mund të ketë qenë një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në pas bisedimeve të profilit të lartë midis Kim Jong Un dhe presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.

Ai nuk ka komentuar publikisht për ndalimin dhe lirimin e tij.

Matthew Miller, 2014

Matthew Miller, një mësues 24-vjeçar nga Kalifornia, u arrestua nga autoritetet koreano-veriore dhe u akuzua për akte armiqësore spiunazhi, ndërsa ishte në një turne të organizuar në prill të vitit 2014.

Ai u dënua me gjashtë vjet burgim me punë të rënda në shtator të 2014-s. Në intervistat para dhe pas lirimit të tij, ai tha se kaloi pjesën më të madhe të kohës duke gërmuar në fusha e duke bartur gurë të rëndë, dhe se mbahej kryesisht në izolim të rreptë.

Miller u lirua muajin pasardhës me një tjetër të burgosur amerikan, Kenneth Bae.

Në një intervistë të mëvonshme me gazetarin Nate Thayer, të faqes NK News, të fokusuar në Korenë e Veriut, Miller tha se ai shkoi në Korenë e Veriut me qëllim që të fliste me një person të zakonshëm koreano-verior për gjëra normale, pavarësisht nga politika.

“Unë po përpiqesha të qëndroja në vend”, tha zoti Miller. “Ata donin që unë të largohesha. Natën e parë më thanë: ‘Duam që të largohesh me fluturimin tjetër’. Por unë refuzova, thjesht nuk u largova”.

Në intervistë, Miller tha se ai përfundimisht ndryshoi mendje për të kërkuar azil dhe kërkoi ndihmë nga Qeveria amerikane.

Kenneth Bae, 2012

Burri i liruar me Millerin, banor i shtetit të Washingtonit, Kenneth Bae, u arrestua në nëntor të 2012-s. Bae, misionar i krishterë ungjillor koreano-amerikan e kishte vizituar vendin shumë herë. Me këtë rast ai u ndalua dhe iu zbulua një hard disk me material të krishterë.

Koreja e Veriut ngriti një sërë akuzash për ato që i quajti “aktet armiqësore” të Bae, duke përfshirë përpjekjen për të krijuar baza për aktivitete antiqeveritare, kontrabandën e literaturës së ndaluar dhe inkurajimin e disidentëve. Ai u dënua me 15 vjet me punë të rëndë, me mediat shtetërore që sugjeruan se ai i shpëtoi dënimit me vdekje vetëm si rezultat i një “rrëfimi të sinqertë”.

Gjatë kohës në robëri, familja e tij tha se shëndeti i tij iu përkeqësua si pasojë e kushteve të këqija dhe punës së vështirë. Një pjesë të robërisë Bae e kaloi në kampin e punës për të huajt, ku ai ishte i vetmi i burgosur.

Bae u lirua dhe u kthye në SHBA së bashku me Millerin pas një vizite sekrete në Phenian nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper.

Pas lirimit të tij, Bae shkroi një libër kujtimesh, “Not Forgotten: The True Story of My Imprisonment in North Korea”, në të cilin ai përshkroi se si u mor në pyetje nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 ose 23:00 të natës çdo ditë për katër javët e para të burgimit të tij.

Hetuesit kërkonin qindra faqe rrëfime nga Bae.

Bae tha se një hetues i thoshte vazhdimisht: “Askujt nuk i bie ndër mend për ty. Ty të kanë harruar njerëzit, qeveria juaj. Nuk do të ktheheni. Do të jeni këtu edhe 15 vjet. Do të bëheni 60 vjeç para se të shkoni në shtëpi”.

Eura Lee dhe Laura Ling, 2009

Në mars të vitit 2009, Koreja e Veriut arrestoi dy gazetarë me bazë në Kaliforni, Eura Lee dhe Laura Ling, të cilët po filmonin një dokumentar për kushtet humanitare në kufirin e Kinës me Korenë e Veriut. Dy anëtarë të tjerë të grupit të tyre, një kameraman amerikan dhe një udhërrëfyes kinez, shpëtuan dhe gati sa nuk u arrestuan nga autoritetet kineze.

Ling më vonë pranoi se ata kaluan kufirin, megjithëse ajo tha se ata kaluan më pak se një minutë në Korenë e Veriut përpara se të përpiqeshin të ktheheshin në Kinë.

Lee dhe Ling u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe në qershor të 2009-s u dënuan me 12 vjet burgim dhe punë të rëndë.

“Unë u përpoqa të përgatitesha për një dënim të gjatë, por asgjë nuk mund të më përgatiste për vendimin”, tha Ling më vonë për Radion Publike Kombëtare. “Po pyesja veten nëse ato fjalë nënkuptonin se fati im ishte vulosur”.

Megjithatë, në gusht të atij viti, të dyja u liruan pas një vizite të paparalajmëruar më parë në Phenian nga ish-presidenti Bill Clinton.

Edhe pse vizita erdhi mes një stuhie negociatash ndërmjet Qeverisë së Koresë së Veriut dhe administratës së Obamas, Shtëpia e Bardhë tha se vizita e presidentit Clinton ishte një “mision privat”.

“Asnjë shumë parash nuk u këmbye dhe nuk bëhej fjalë për asnjë diplomaci”, tha Ling, për NPR. “Ishte vërtet një mision humanitar privat”.

Përktheu: Forca Jashari