Botë

Rreth 500 fëmijë vdiqën prej urisë në Sudan që nga prilli

“Save the Children” ka raportuar se midis majit dhe korrikut të sivjetmë, të paktën 316 fëmijë, kryesisht nën 5 vjeç, kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes apo të sëmundjeve që lidhen me të, në provincën jugore të Nilit. Më shumë se 2.400 fëmijë të tjerë janë pranuar në spitale në tetë muajt e fundit, shkaku i kequshqyerjes së rëndë akute – forma më vdekjeprurëse e kequshqyerjes

Rreth 500 fëmijë kanë vdekur nga uria në Sudan, përfshirë edhe dhjetëra foshnja në një jetimore të udhëhequr nga Qeveria në kryeqytetin Khartoum, që nga prilli kur shpërthyen luftimet në vendin e Afrikës Lindore, ka bërë të ditur organizata bamirëse “Save the Children”.

Sipas kësaj organizate, të paktën edhe 31 mijë fëmijë nuk kanë qasje në trajtim shkaku i kequshqyerjes dhe sëmundjeve të lidhura me të, pasi “Save the Children” është detyruar që t’i mbyllë 57 qendrat e saj të ushqyerjes në Sudan.

Sudani është përfshirë në kaos, pasi që tensionet midis ushtrisë dhe një force rivale paraushtarake shpërthyen dhe u shndërruan në luftime të hapura më 15 prill. Konflikti e ka kthyer Khartoumin dhe zonat e tjera urbane të vendit në fushëbeteja. Shumë banorë të këtyre pjesëve jetojnë pa furnizim me ujë dhe me energji elektrike, ndërsa sistemi i kujdesit shëndetësor është pothuajse i rrënuar.

“Asnjëherë nuk e kishim menduar se do të shihnim fëmijë që vdisnin nga uria në një numër të tillë, por ky është realiteti në Sudan”, është shprehur Arif Noor, drejtor i “Save the Children” për Sudanin. “Po shohim fëmijë që vdesin nga uria”.

Të paktën 4 mijë njerëz vlerësohet se kanë vdekur si pasojë e dhunës në Sudan, sipas Liz Throssell, një zëdhënëse e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut. Megjithëkëtë, aktivistët dhe mjekët në terren thonë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Më shumë se 4.4 milionë njerëz janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre në drejtim të zonave më të sigurta në Sudan apo që të kalojnë në vende fqinje, kanë treguar të dhënat e agjencisë së migracionit të OKB-së.

“Save the Children” ka raportuar se midis majit dhe korrikut, të paktën 316 fëmijë, kryesisht nën 5 vjeç, kanë vdekur nga kequshqyerja apo sëmundjet e lidhura me të, në provincën jugore të Nilit. Më shumë se 2.400 fëmijë të tjerë janë pranuar në spitale në tetë muajt e fundit, si pasojë e kequshqyerjes së rëndë akute, që është forma më vdekjeprurëse e kequshqyerjes, ka shtuar organizata.

Në provincën lindore Qadarif, midis muajit prill dhe korrik kanë vdekur të paktën 132 fëmijë nga kequshqyerja në Spitalin e Fëmijëve, i cili menaxhohet nga qeveria. Dhe të paktën 50 fëmijë, duke përfshirë dhjetëra foshnje, kanë vdekur nga uria apo sëmundjet e lidhura me të, në një jetimore në Khartoum në gjashtë javët e para të konfliktit, pasi si pasojë e luftimeve stafi i “Save the Children” u pengua që të hynte në objekt për t’u kujdesur për ta, ka bërë të ditur organizata.

“Save the Children” ka paralajmëruar gjithashtu se furnizimet e veçanta ushqimore për trajtimin e kequshqyerjes janë në numër shumë të ulët e madje kritik, në 108 objekte që ende operojnë në të gjithë Sudanin.

Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar, agjencia e udhëhequr nga OKB-ja, përgjegjëse për klasifikimet e urisë, ka bërë të ditur se konflikti dhe rënia ekonomike e Sudanit kanë bërë që rreth 20.3 milionë njerëz – apo më shumë se 42 për qind e popullsisë së vendit prej mbi 46 milionë banorësh – të preken nga sëmundje të kequshqyerjes akute. Prej tyre, rreth 6.3 milionë njerëz jetojnë në zona që janë një hap larg nga klasifikimi zyrtar i urisë, sipas agjencisë.

Përleshjet kanë shpërthyer këtë javë edhe rreth një kampi ushtarak në jug të Khartoumit, derisa Forcat e Mbështetjes së Shpejtë Paraushtarake janë përpjekur që të kapin objektin vendimtar, raportuan palët ndërluftuese.

Beteja të ashpra u raportuan javën e kaluar në Nyala, kryeqyteti provincial i Darfurit Jugor. Rajoni i gjerë i Darfurit ka përjetuar disa nga periudhat më të këqija të dhunës me luftimet që u kthyen në përleshje etnike.

Përktheu: Forca Jashari