Botë

Si të shpëtohet gazetaria?

Mësimi i parë: kush s’paguan për informacion, i mbetet të ushqejë mendjen me bërllok. Po mësimi i dytë? Beteja kundër Google, Facebook dhe platforma të ngjashme, të cilat po pasurohen me punën e mediave profesioniste. Disa mendime nga gazetari i njohur gjerman Christoph Schwennicke.

Nuk është fshehtësi: gazetaria ndodhet në një krizë të thellë – strukturore dhe financiare. Dikur, shkruan Christoph Schwennicke në një tekst për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, licenca për të shtypur gazetë ka qenë edhe licencë për të shtypur para. Ky model i gazetarisë është financuar nga reklamat. Ndërmarrjet që dëshironin të reklamonin prodhimet dhe shërbimet e tyre, ishin të panumërta. Botuesit e gazetave kanë jetuar me dekada tepër mirë nga ky model. Ndërsa kanë fituar para, nuk janë zgjuar nga gjumi. Nuk kanë vërejtur se sa shpejt ndryshimi dhe modernizimi teknik do të ndryshojnë gjithçka dhe gati do ta varrosin modelin e vjetër të gazetarisë.

Shtypshkronja sot është zëvendësuar nga hapësira digjitale. Ndryshimi ka ndodhur më shpejt se ç’është paramenduar. Tash është algoritmi i Google që vendos se cili tekst për Putinin dhe cili për Bidenin do të shfaqet i pari në makinën e kërkimit. Edhe Facebooku me algoritmin e tij vendos se cili postim i prin listës së popullaritetit dhe intensitetit. Google, Facebook dhe platformat e ngjashme gëzojnë monopol në përhapjen e përmbajtjeve publicistike. 80 deri 90 për qind e reklamave janë zhvendosur në botën digjitale. Kjo tendencë është në rritje.

Gazetari i njohur gjerman Christoph Schwennicke shkruan se ekziston një model për t’i detyruar gjigantët digjitalë që të paguajnë për përmbajtjet që i marrin nga gazetat. Sipas tij, gabimi i parë i botuesve të gazetave ka qenë shpërndarja falas e teksteve në platformat digjitale. Nëse gazetaria profesionale synon të mbijetojë, ajo duhet të evitojë gabimin e radhës. Duhet të veprohet, shkruan Christoph Schwennicke, duke u bazuar në modelin e ndërmarrjes për menaxhimin e fondeve, Blackrock Inc. Kjo ndërmarrje e ka zbuluar se ku është thesari: te të drejtat autoriale. Fondi Hipgnosis i Blackrock Inc. ka filluar të blejë të drejtat autoriale në fushën e muzikës. Tashmë të drejtat e tyre autoriale i kanë shitur Fleetwood Mac, Red Hot Chili Peppers, Leonard Cohen, Bob Dylan, Sting, Bruce Springsteen. Të gjithë këta e kanë kuptuar se sa para mund të fitohen nga të drejtat e krijimeve të tyre.

Botuesit gjermanë të gazetave nuk e kanë kuptuar ende tamam se kundrejt platformave si Facebooku dhe Google kanë një thesar fitimprurës të ngjashëm me muzikantët. Ky thesar janë përmbajtjet e hulumtuara dhe aktuale, të cilat pas botimit shpërndahen miliona herë. Botuesit, shkruan gazetari gjerman, ende nuk janë larguar nga mendësia e vjetër analoge, sipas të cilës gazeta s’ka më vlerë pasi të shitet njëherë. Kjo nuk është e vërtetë. Që nga qershori i vitit të kaluar në Gjermani dhe në shumë vende të tjera europiane ekziston një ligj, i cili ua mundëson botuesve që nga platformat digjitale të kërkojnë para për përhapjen e përmbajtjeve të tyre. Ligji bazohet në një direktivë europiane. Modeli i biznesit i Facebookut, Google dhe të tjerëve deri më tani bazohej në shpërndarjen falas të përmbajtjeve të mediave në shërbimet e tyre. Kësisoj oferta përmbajtësore e Google dhe Facebookut është bërë më atraktive duke shfrytëzuar përmbajtjet e mediave.

Botuesit, shkruan Christoph Schwennicke, deri më tani kanë qenë aq naivë, saqë kanë menduar se duhet të jenë mirënjohës ndaj Google dhe të tjerëve që po ua shpërndajnë përmbajtjet. Edhe pas miratimit të ligjit të ri, shumë botues nuk janë ende të vetëdijshëm mbi vlerën e vërtetë të përmbajtjeve të tyre. Sipas Schwennicke, shërbimet e streamingut si Netflix dhe Amazon tashmë i kanë mësuar njerëzit në modelin e abonimit. Pa abonim, s’ka përmbajtje.

Pa përmbajtje Google nuk funksionon. Askujt nuk i duhet makina e kërkimit nëse s’ke çfarë kërkon në të. Çdokujt i duhen rezultate kërkimi. Shumica e tyre vijnë nga mediat. Pa përmbajtje mediale edhe Facebooku është një trevë monotone dhe e dënuar me vdekje. Me kalimin e kohës, nëse mungojnë përmbajtjet thelbësore, në Facebook mbetet vetëm shundi e kiçi. Në pjesën më të madhe Facebooku jeton nga njerëzit që shpërndajnë përmbajtjet e mediave. Mbijetesa e mediave tradicionale është ekzistenciale edhe për platformat si Google dhe Facebook.

Synimi i ligjit për mbrojtjen e kontributeve mediale është ruajtja e vlerës së shtuar të përmbajtjeve mediale. Ky ligj ka për qëllim t’i detyrojë monopolistët digjitalë që të paguajnë në mënyrë paushalle për përmbajtjet mediale të cilat këto platforma i kanë shfrytëzuar për hesap të tyre. Ky ligj është arma më e fuqishme që ligjvënësi ia ka dhënë mediave në luftën e tyre për mbijetesë me ndërmarrjet digjitale. Christoph Schwennicke është drejtor i Corint Media, një ndërmarrje europiane, e cila mbron të drejtat autoriale të 180 kanaleve private dhe 300 ofertave digjitale të shtëpive botuese.

Përgatiti: Enver Robelli