Të paktën 11 palestinezë kanë mbetur të vrarë të hënën në Gaza, si pasojë e dy sulmeve ajrore izraelite, të cilat kishin cak furnizimet me ndihma.
Tanket izraelite janë futur më thellë në Rafah, duke u kthyer në zonat në veri që i kishin marrë nën kontroll muaj më parë, raporton Reuters.
Pranë kampit historik të refugjatëve Shati në Gaza, tre persona u vranë si shkak i sulmit izraelit në qendrën e shpërndarjes së ndihmave ushqimore.
Sulmi tjetër pranë qytetit Bani Suhaila la të vrarë tetë persona të tjerë, duke përfshirë rojet që shoqëronin kamionët me ndihma.
Gjatë natës të hënën, sulmet ajrore izraelite kanë goditur edhe një klinikë mjekësore në qytetin e Gazës, duke lënë të vdekur drejtorin e Departamentit të Emergjencave të Gazës, Hani al-Jaafarawi. Ushtria izraelite ka thënë se në shënjestër kishte komandantin e lartë të Hamasit, Mohammad Salah.
500 pjesëtarë të stafit mjekësor janë vrarë që nga 7 tetori në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të vendit.
Asnjë marrëveshje për armëpushim
Kanë kaluar më shumë se tetë muaj që nga fillimi i luftës, dhe ndonëse janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga ndërmjetësit ndërkombëtarë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, asnjë marrëveshje për armëpushim nuk është arritur.
Hamasi kërkon që të arrihet një marrëveshje e cila shënon fundin e luftës, ndërsa Izraeli thotë se do të pajtohet vetëm për pauza të përkohshme në luftime derisa Hamasi të çrrënjoset.
Të hënën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ai mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes për armëpushim, të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në muajin maj.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj propozimit izraelit që presidenti Biden e ka mirëpritur. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Gjëja e dytë, që nuk bie në kundërshtim me të parën, është se ne nuk do t’i japim fund luftës derisa të eliminojmë Hamasin”, ka thënë Netanyahu.
Në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, forcat izraelite raportohet të kenë vazhduar luftimet e ashpra në zonat perëndimore dhe veriore.
Të dielën, banorët bënë të ditur se tanket izraelite kanë avancuar në skajin e kampit Mawasi në veriperëndim të Rafahut, duke detyruar shumë familje që të largohen drejt veriut, në qytetet e Khan Younisit dhe Deir Al-Balahit në Gazën qendrore.
Ushtria izraelite ka thënë se ka vazhduar operacionet në Rafah, dhe ka gjetur armë e raketahedhës dhe ka vrarë militantët “të cilët përbënin kërcënim për ta”.
Banorët kanë njoftuar se forcat ushtarake izraelite po zhvillojnë luftime edhe në zonën Zeitoun, në veri të Gazës, zonë ku Izraeli kishte deklaruar se i ka dhënë fund operacioneve të tij muaj më parë.
Netanyahu thotë se luftimet intensive mund të përfundojnë së shpejti
Pothuajse 37.600 njerëz janë vrarë si pasojë e luftës Izrael-Hamas që filloi më 7 tetor.
Që nga fillimi i majit, luftimet janë fokusuar në Rafah, në skajin jugor të Gazës, ku rreth gjysma e 2.3 milionë banorëve të vendit ishin strehuar pasi ishin larguar nga zona të tjera.
Netanyahu ka paralajmëruar se faza e luftimeve intensive kundër Hamasit do të përfundojë “shumë shpejt”.
Ai ka thënë se forcat izraelite të cilat po veprojnë në Gaza, do të lëvizin drejt veriut, ku Izraeli ka paralajmëruar luftë të mundshme kundër lëvizjes Hezbollah të Libanit.
“Pas përfundimit të fazës intensive, ne do ta kemi mundësinë që të zhvendosim një pjesë të forcave në veri. Dhe ne do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Netanyahu.