Botë

Trumpi përsërit: Do ta marrim Grenlandën, në një mënyrë apo tjetër

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të dielën se Shtetet e Bashkuara do ta “kenë” Grenlandën, “në një mënyrë ose në një tjetër”.

“Nëse ne nuk e marrim Grenlandën, atëherë do ta marrin Rusia ose Kina, dhe unë nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë,” u ka thënë ai gazetarëve në bordin e avionit Air Force One.

Trumpi ka thënë megjithatë se do të donte të bënte një marrëveshje për të blerë Grenlandën, një rajon gjysmëautonom që është pjesë e Danimarkës, aleate e NATO-s.

Ai ka thënë se, nëse SHBA-ja nuk e zotëron atë, atëherë Rusia ose Kina do ta marrin nën kontroll dhe se SHBA-ja nuk i dëshiron ato si fqinjë.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se një marrje nën kontroll e Grenlandës nga ana e Amerikës do të shënonte fundin e NATO-s.

“Ndoshta NATO-ja do të mërzitej nëse do ta bëja këtë...Më pëlqen NATO-ja. Thjesht pyes veten nëse, nëse do të na duhej NATO-ja, a do të ishte ajo aty për ne?”, ka thënë Trumpi.

Edhe pse Grenlanda është ishulli më i madh në botë, ajo ka një popullsi prej rreth 57,000 banorësh dhe nuk ka ushtrinë e saj.

Mbrojtja sigurohet nga Danimarka, ushtria e së cilës është shumë më e vogël krahasuar me atë të SHBA-së.

Nuk është e qartë se si do të reagonin anëtarët e tjerë të NATO-s nëse SHBA-ja do të vendoste të merrte me forcë kontrollin e ishullit, apo nëse ata do t’i vinin në ndihmë Danimarkës.