Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ishte informuar se vrasjet gjatë goditjes së regjimit iranian ndaj protestave po zbuten dhe se ai beson se aktualisht nuk ka plane për ekzekutime në shkallë të gjerë, duke mbajtur një qëndrim “prit e shiko” pas kërcënimeve të mëparshme për ndërhyrje.
Mediat shtetërore iraniane raportuan të enjten se një burrë 26-vjeçar, i arrestuar gjatë protestave në qytetin e Karajt, nuk do të dënohet me vdekje, pasi një grup për të drejtat e njeriut kishte raportuar më herët këtë javë se ai pritej të ekzekutohej të mërkurën.
Komentet e Trumpit erdhën pasi frika u rrit në Lindjen e Mesme se Uashingtoni mund të niste sulme, pas kërcënimeve të tij të përsëritura për të ndërhyrë në mbështetje të protestuesve iranianë. Megjithatë, Trumpi nuk e përjashtoi mundësinë e një veprimi ushtarak amerikan.
Në komente të veçanta, Trumpi i ka thënë Reutersit në një intervistë ekskluzive se figura e opozitës iraniane Reza Pahlavi “duket shumë i mirë”, por shprehu pasiguri nëse Pahlavi do të ishte në gjendje të siguronte mbështetje brenda Iranit për të marrë përfundimisht pushtetin.
Trumpi ka thënë se është e mundur që qeveria në Teheran të bjerë si pasojë e protestave, por se në të vërtetë “çdo regjim mund të dështojë”.
“Nëse bie apo jo, do të jetë një periudhë kohe interesante”, ka thënë ai.
Tensionet u përshkallëzuan të mërkurën, pasi Irani tha se kishte paralajmëruar fqinjët se do të godiste bazat amerikane në rajon në rast të sulmeve amerikane, ndërsa një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara po tërhiqnin një pjesë të personelit nga bazat në rajon.
Të mërkurën, disa zyrtarë perëndimorë kanë thënë se ndërhyrja ushtarake amerikane mund të ishte e afërt.
Katari ka njoftuar se reduktimet në bazën ajrore Al Udeid, baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, po kryheshin “si përgjigje ndaj tensioneve aktuale rajonale”.
Irani ka lëshuar raketa drejt Al Udeid vitin e kaluar në përgjigje të sulmeve ajrore amerikane ndaj instalimeve të tij bërthamore gjatë luftës 12-ditore mes Teheranit dhe armikut të tij të përbetuar, Izraelit.