Botë

Tunelet deri në 500 kilometra, fole të militantëve të Hamasit

Pas konfliktit të vitit 2021, IDF-ja ka shembur 100 kilometra tunele me bombardimet ajrore. Hamasi ka pretenduar se tunelet shtrihen deri në 500 kilometra dhe se vetëm pesë për qind e tyre janë shkatërruar nga bombardimet. Sa për krahasim, metroja e Londrës është e gjatë 400 kilometra

Izraeli ka njoftuar se ushtria është duke bombarduar pjesë të mëdha të tuneleve që janë ndërtuar nën Rripin e Gazas nga grupi militant i Hamasit. Sulmet izraelite kanë vazhduar edhe të premten si shenjë hakmarrjeje për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit që ka nisur më 7 tetor.

“Rripin e Gazas e shoh si një shtresë për civilët dhe një tjetër shtresë për Hamasin. Po provojmë të gjejmë shtresën e dytë që ka ndërtuar Hamasi”, kanë njoftuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

“Tunelet nuk janë bunkerë për civilët. Janë vetëm për Hamasin dhe terroristët e tjerë që mund të vazhdojnë të lansojnë raketa drejt Izraelit, të planifikojnë operacione dhe të nisin terroristë në drejtim të Izraelit”, kanë pretenduar Forcat Mbrojtëse.

Është shumë e vështirë të llogaritet gjerësia e rrjetit të tuneleve, të cilin Izraeli e ka cilësuar si “Metroja e Gazas”, sepse besohet se shtrihet në krejt territorin që ka 41 kilometra gjatësi dhe 10 kilometra gjerësi.

Pas konfliktit të vitit 2021, IDF-ja ka shembur 100 kilometra tunele me bombardimet ajrore. Hamasi ka pretenduar se tunelet shtrihen deri në 500 kilometra dhe se vetëm pesë për qind e tyre janë shkatërruar nga bombardimet. Sa për krahasim, metroja e Londrës është e gjatë 400 kilometra.

Ndërtimi i tuneleve në Gaza ka nisur para se Izraeli të tërhiqte ushtrinë në vitin 2005. Ndërtimi i këtyre tuneleve ishte përshpejtuar kur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës dy vjet më vonë. Shkaku i tyre Izraeli dhe Egjipti ndalën transportin e mallrave brenda dhe jashtë Gazas për arsye të sigurisë.

Gati 2 mijë e 500 tunele janë nën kufirin me Egjiptin dhe janë përdorur për trafikimin e mallrave, karburanteve dhe armëve nga Hamasi dhe grupet e tjera militante.

Trafikimi nuk kishte fort rëndësi për Gazan pas vitit 2010, kur Izraeli lejonte importimin e mallrave. Egjipti më vonë shkatërroi tunelet duke i mbushur me ujë.

Hamasi dhe fraksionet e tjera nisën gërmimin e tuneleve të reja për të sulmuar forcat izraelite.

Në vitin 2006, militantët përdorën një tunel në kufi me Izraelin për të vrarë dy ushtarë izraelitë dhe për të kapur ushtarin Gilad Shalit, të cilin e mbajtën peng për pesë vjet.

Në vitin 2013, IDF-ja zbuloi një tunel të gjatë 1.6 kilometra dhe 18 metra të thellë. Tuneli ishte me mure prej betoni. Niste nga Rripi i Gazës dhe përfundonte andej kufirit me Izraelin. Banorët vazhdimisht kishin dëgjuar zhurmë të çuditshme.

Një vit më vonë Izraeli duke e përmendur si arsye kërcënimin nga sulmet e militantëve që përdornin këto tunele, nisën ofensivën e madhe ajrore dhe tokësore në Gaza.

Ushtria izraelite gjatë luftës së vitit 2014 kishte deklaruar shkatërrimin e 30 tuneleve. Mirëpo grupi i militantëve gjithashtu kishte përdorur një tunel për të kryer sulmin në të cilin u vranë katër ushtarë izraelitë.

“Tunelet kufitare janë të dobëta, që do të thotë se nuk janë të fortifikuara. Ato janë gropuar për një përdorim – pushtimin e Izraelit”, thotë Daphné Richemond-Barak, eksperte e llogoreve ushtarake.

“Tunelet brenda Gazas janë të tjera, sepse Hamasi i përdor vazhdimisht. Ato janë më të fortifikuara dhe shërbejnë për kohë më të gjatë. Janë të pajisura për prezencë më të gjatë dhe më të qëndrueshme”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se Hamasi “e ka përkryer artin” e ndërtimit të tuneleve në vitet e fundit, pasi ka mësuar shumë nga përvoja me rebelët sirianë në Aleppo dhe ata të ISIS-it në Mosul.

Përktheu: Gent Mehmeti