Botë

Ukrainasit “nazistë” të Kanadasë

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, miliona ukrainas shërbyen në Ushtrinë e Kuqe Sovjetike, por mijëra të tjerë luftuan në anën gjermane nën Divizionin Galicia. Ata që luftuan me Gjermaninë besonin se kjo do t'u jepte atyre një shtet të pavarur të lirë nga sundimi sovjetik

Kur parlamenti i Kanadasë e lavdëroi veteranin ukrainas të luftës, i cili kishte luftuar me Gjermaninë naziste, qendra e vëmendjes u rikthye në një pjesë të diskutueshme të historisë së Ukrainës dhe përkujtimin e saj në Kanada.

Yaroslav Hunka, veterani ukrainas që u duartrokit në parlament këtë javë, ka shërbyer në njësinë naziste të quajtur Divizioni i 14-të Waffen Grenadier i SS - i njohur gjithashtu si Divizioni Galicia - që u formua në vitin 1943.

Paraqitja e tij në parlament u kritikua nga grupet hebraike dhe deputetë të tjerë. Kryeparlamentari Anthony Rota, i cili e ftoi atë, që atëherë ka dhënë dorëheqje, duke thënë se i vjen shumë keq për gabimin.

Por kjo nuk është hera e parë që roli i Ukrainës në Luftën e Dytë Botërore ka ndezur debat në Kanada, e cila është shtëpia e diasporës më të madhe ukrainase jashtë Evropës.

Në të gjithë vendin ekzistojnë disa monumente dedikuar veteranëve ukrainas të Luftës së Dytë Botërore që shërbyen në Divizionin e Galicias. Grupet hebraike i kanë denoncuar prej kohësh këto monumente, duke argumentuar se ushtarët në Divizionin e Galicias u betuan për besnikëri ndaj Adolf Hitlerit dhe ishin ose bashkëpunëtorë në krimet e Gjermanisë naziste ose kishin kryer krime vetë.

Por për disa ukrainas, këta veteranë shihen si luftëtarë të lirisë, të cilët luftuan vetëm përkrah nazistëve për t’u rezistuar sovjetikëve në synimin e tyre për Ukrainën e pavarur.

Histori kontestuese

Divizioni Galicia ishte pjesë e Waffen-SS, njësi ushtarake naziste që në përgjithësi u zbulua se ishte përfshirë në mizori të shumta, duke përfshirë masakrimin e civilëve hebrenj.

Gjatë luftës, më shumë se një milion hebrenj në Ukrainë u vranë. Shumica e tyre u qëlluan për vdekje pranë shtëpive të tyre nga gjermanët nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Divizioni Galicia është akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës, por anëtarët e tij nuk janë shpallur kurrë fajtorë në gjykatë.

Grupet hebraike kanë dënuar monumentet kanadeze të veteranëve ukrainas që luftuan në Waffen-SS, duke thënë se ato janë “lavdërim dhe festë e atyre që morën pjesë aktivisht në krimet e Holokaustit”.

Një monument i tillë ndodhet në një varrezë private ukrainase në Oakville të Ontarios, dhe përmban shenjat e Divizionit të Galicias. Një tjetër u vendos nga veteranët ukrainas të Luftës së Dytë Botërore në Edmonton të Albertas.

E treta, gjithashtu në Edmonton, përshkruan bustin e Roman Shukhevych, udhëheqës nacionalist ukrainas dhe bashkëpunëtor i nazistëve, njësitë e të cilit akuzohen për masakrimin e hebrenjve dhe polakëve. Monumentet, të cilat datojnë në vitet 1970 dhe 80, janë vandalizuar të gjitha vitet e fundit, me fjalën “Nazi” me ngjyrë të kuqe.

Mosmarrëveshja për monumentet

Nis me historinë e Ukrainës në luftë, si dhe në përbërjen e diasporës së madhe ukrainase të Kanadasë, ka thënë David Marples, profesor i historisë së Evropës Lindore në Universitetin e Albertas.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, miliona ukrainas shërbyen në Ushtrinë e Kuqe Sovjetike, por mijëra të tjerë luftuan në anën gjermane nën Divizionin Galicia.

Ata që luftuan me Gjermaninë besonin se kjo do t'u jepte atyre një shtet të pavarur të lirë nga sundimi sovjetik, ka sqaruar Marples.

Në atë kohë, ukrainasit kundërshtuan sovjetikët për rolin e tyre në urinë e madhe ukrainase të viteve 1932-33, e njohur gjithashtu si Holodomor, e cila la të vdekur rreth pesë milionë ukrainas.

Ideologjitë e ekstremit të djathtë po fitonin përkrahje të madhe në shumicën e vendeve evropiane në vitet 1930 - duke përfshirë Britaninë e Madhe - dhe Ukraina nuk ishte përjashtim, ka treguar Marples.

Pas humbjes së Gjermanisë, disa nga ushtarët e Divizionit të Galicias u lejuan të hyjnë në Kanada pasi u dorëzuan te forcat aleate – vendim që u kundërshtua nga grupet hebraike në atë kohë.

Disa kanadezë me origjinë ukrainase i shohin këta ushtarë dhe divizionin më të gjerë të Galicias si “heronj kombëtarë” që luftuan për pavarësinë e vendit.

Ata gjithashtu argumentojnë se bashkëpunimi i tyre me Gjermaninë naziste ishte jetëshkurtër dhe se ata përfundimisht kishin luftuar si sovjetikët ashtu edhe gjermanët për një Ukrainë të lirë. Por komuniteti hebraik e sheh këtë ndryshe.

“Përfundimi është se kjo njësi, njësia e 14-të SS, ishin naziste”, ka thënë kreu i B’nai Brith Kanada, Michael Mostyn, për BBC-në.

Kanadaja është mbështetur në këtë histori në të kaluarën përmes një komisioni në vitin 1985, i cili kishte për detyrë të hetonte pretendimet se Kanadaja ishte bërë një strehë për kriminelët nazistë të luftës.

Një raport i lëshuar nga komisioni vitin e ardhshëm arriti në përfundimin se nuk ka prova që lidhin ukrainasit që luftuan me Gjermaninë naziste me krime specifike lufte.

Dhe “anëtarësimi i thjeshtë në Divizionin e Galicisë është i pamjaftueshëm për të justifikuar ndjekjen penale”, shtoi raporti.

Gjetjet e raportit që atëherë janë kundërshtuar nga grupet hebraike dhe disa historianë.

Marples ka thënë se në kohën e raportit, disa arkiva të Luftës së Dytë Botërore në Ukrainë dhe Rusi nuk ishin të qasshme dhe që atëherë janë bërë publike, duke nxitur kërkime të reja mbi këtë çështje.

Më pas u zbulua përmes këtij hulumtimi shtesë se disa nga ata që shërbyen brenda Divizionit të Galicias ishin të përfshirë në krime lufte, tha ai, megjithëse asnjë nuk ishte dënuar ndonjëherë.

Propaganda ruse

Gjersa ky debat historik hyri në shekullin e 21-të, ai u ndërlikua nga propaganda moderne ruse, e cila etiketoi në mënyrë të rreme qeverinë ukrainase si naziste për ta justifikuar pushtimin e saj të vendit.

Marples ka treguar se teksa ekstremizmi i ekstremit të djathtë ekziston ende në Ukrainë, ai është shumë më i vogël se sa propaganda ruse përpiqet t’i bëjë njerëzit të besojnë. Dhe zyrtarët e zgjedhur ukrainas nuk janë të lidhur me ndonjë grup të ekstremit të djathtë në vend.

“Rusia e ka thjeshtuar shumë narrativen”, ka theksuar profesori Marples.

Grupet ukrainase në Kanada thonë se mosmarrëveshja për monumentet dhe paraqitja e Hunkas në parlament është rezultat i kësaj propagande.

Që në vitin 2017, para pushtimit, por kur tensionet Rusi-Ukrainë ishin të larta, ambasada ruse në Kanada e ka kritikuar ekzistencën e monumenteve ukrainase në Kanada, duke i akuzuar ata për nderim të “bashkëpunëtorëve nazistë”.

Taras Podilsky, zëdhënës i Kompleksit të Unitetit të Rinisë Ukrainase në Edmonton, që strehon bustin e Shukhevychit, ka theksuar se heqja dorë e shpejtë e Hunkas nga politikanët kanadezë është efekti i fundit i fushatës së dezinformimit të Rusisë.

Ai shtoi se nuk ka prova që e lidhin veteranin me krimet e luftës.

“Pa ndonjë proces të rregullt, ky person është viktimë e një narrative ruse që tani ka qenë e suksesshme”, ka thënë Podilsky.

Mostyn nga B’nai Brith ka thënë se ai e pranon natyrën e ndërlikuar të kësaj historie, veçanërisht për disa brenda diasporës ukrainase. Mirëpo ka theksuar se çdo lidhje me nazizmin “nuk është diçka që ne mund t'u lejojmë brezave të ardhshëm ta festojnë ose ta zbardhin”.

Më gjerësisht, studiuesit e Holokaustit kanë thirrur disa vende të Evropës Lindore në vitet e fundit për minimizimin e rolit të tyre në masakrën e popullit hebraik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të dyja grupet hebraike në Kanada dhe kanadezët me origjinë ukrainase pas këtyre monumenteve thanë se kanë pasur biseda për këtë çështje.

Megjithatë, të dy thanë se nuk ishin në gjendje të binin dakord për një rrugë përpara.

“Është në pronën tonë private, nuk është në pronë publike dhe është për ne që të kemi një simbol të lirisë së Ukrainës”, ka thënë Podilsky për bustin e Shukhevychit në Edmonton. “E dimë se nuk ka pasur keqbërje”.

Mostyn ka thënë se, për të, episodi i fundit në Dhomën e Komunave të Kanadasë tregon se ka boshllëqe kur bëhet fjalë për njohuritë e Kanadasë për historinë naziste.

“Ne kemi një situatë në Kanada ku nuk e dimë historinë tonë kur bëhet fjalë për autorët nazistë që hynë në këtë vend”, ka theksuar ai.

Ai dhe të tjerë brenda komunitetit hebraik në Kanada kanë bërë thirrje për një shqyrtim të ri të kësaj historie.

“Është me të vërtetë e rëndësishme që kryeministri ynë të tregojë lidership në nivelin më të lartë, për ta hapur përfundimisht këtë, sepse kjo është diçka që komuniteti hebraik e ka kërkuar për dekada të tëra”.

Përktheu: Blerta Haxhiu