Botë

Zelensky: Ukraina ka ndaluar përparimin e trupave ruse në rajonin Sumy

zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të shtunën se forcat ushtarake ukrainase kanë ndaluar përparimin e trupave ruse në rajonin verilindor të Sumyt, teksa në këto momente janë duke luftuar përgjatë kufirit për të rikthyer kontrollin, raporton Reuters.

Sipas tij, Rusia ka mobilizuar rreth 53 mijë trupa ushtarake në drejtim të Sumyt.

“Po e stabilizojmë pozicionin. Luftimet atje janë përgjatë kufirit. Duhet ta kuptoni se armiku është ndalur atje. Dhe thellësia maksimale në të cilën zhvillohen luftimet është 7 kilometra nga kufiri”, ka thënë Zelensky.

Reuters nuk ka mundur të verifikojë raportet nga fusha e betejës.

Trupat ruse i kishin përqendruar sulmet në rajonin lindor të Donetskut, mirëpo që nga fillimi i muajit kanë intensifikuar sulmet edhe në verilindje, duke intensifikuar përpjekjet për të krijuar të ashtuquajturën “zonë tampon” në rajonet Sumy dhe Kharkiv.

Lufta ruse në Ukrainë është në vitin e saj të katërt, por është përshkallëzuar ndjeshëm javët e fundit.

Ukraina ndërmori një sulm të guximshëm me dronë që shkatërroi disa avionë brenda territorit rus dhe gjithashtu goditi urën që lidh Rusinë me gadishullin e aneksuar të Krimesë duke përdorur eksplozivë nënujorë.

Zelensky ka thënë se trupat ukrainase kishin mbajtur linjat mbrojtëse përgjatë më shumë se 1,000 kilometrave të vijës së frontit. Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e Moskës se trupat ruse kishin kaluar kufirin administrativ të rajonit qendror ukrainas të Dnipropetrovskut.