Pikërisht lart Silverado Trailit, rruga kryesore që gjarpëron nëpër Luginën e Napës, ndodhet Signorello Estate. Ajo ishte e vetmja punishte e verës “Napa” që u dogj deri në themel në vitin 2017. Pothuajse gjashtë vjet më vonë procesi i rindërtimit vazhdon. Priyanka French, prodhuesja kryesore e verës në kantinë, po ndihmon në mbikëqyrjen e ndërtimit të asaj që do të jetë një nga kantinat më të papërshkueshme nga zjarri të ndërtuara ndonjëherë
Në një kodër me pamje nga Lugina e Napës zogjtë cicërijnë gjersa fluturojnë mbi hardhitë e reja të gjelbra e të harlisura. Liqeni blu shkëlqen nga rrezet e diellit poshtë.
Shumë prej njerëzve do ta quanin pamjen mbresëlënëse, mirëpo për Alan Viaderin, prodhues i brezit të dytë në Viadere Vineyard and Winery, pamja që sheh është thjesht një pyll i stërngarkuar.
“Karburant potencial”, e quan ai.
Lugina Napa e Kalifornisë Veriore pati një sezon historik të zjarreve në vitin 2020. Zjarri i parë shpërtheu në gusht, duke shkatërruar qindra mijëra hektarë e duke lënë të vdekur pesë njerëz.
Më pas, në fund të shtatorit, një tjetër, i quajtur “Zjarri i qelqit”, u bë shpejt zjarri më shkatërrues në historinë e rajonit të famshëm të verërave.
Ai përfshiu kantinën e verës së Alanit, duke shkatërruar disa nga hardhitë e vjetra të çmuara dhe duke djegur dy nga ndërtesat në pronë. Pas 24 orësh pritjeje dhe lutjesh, zjarrfikësit e konsideruan zonën të sigurt dhe Alani më në fund mundi të kthehej në vreshtin e tij, ku pemët ende po digjeshin.
“U ndjeva i pafuqishëm në ato momente”, kujton Alan. “Unë e di së çfarë mund të bëj. E di se ku janë të gjitha pompat për këto raste. Di si ta mbroj pronën. Megjithatë, nuk e di, thjesht nuk më punonin këmbët të ngrihesha që këtu, ky ishte problemi”.
Prodhues i verës e zjarrfikës
Prania e përhershme e zjarreve po e detyron atë, si shumë të tjerë në rajon, të përballet me një realitet të ashpër - sezoni i vjeljes është tashmë edhe sezoni i zjarrit.
Pothuajse tre vjet pas zjarrit të qelqtë, Alan jo vetëm që e ka përshtatur pronën, duke rindërtuar me materiale rezistuese ndaj zjarrit, duke shtruar rrugë më të gjera për motorët e zjarrit dhe rezervuarët e lëvizshëm të ujit, por gjithashtu ka kryer trajnime dhe tani është zjarrfikës i certifikuar.
“Ka një ndërlidhje të madhe mes këtyre të dyjave, një paralele reale me shuarjen e zjarrit. Edhe ne luajmë me pompa e zorra gjithashtu, përveçse, zorrët tona në vend të ujit, janë të mbushura përplot me verë”, ka theksuar ai. “ Vazhdimisht jam duke i tërhequr zvarrë diku”.
Pikërisht përtej luginës ndodhet vreshti i Malit të Tregimeve, ku 86-vjeçari Jerry Seps ngrihet ende në orën 05:00 të mëngjesit, me kapelën e tij prej kashte në kokë kujdeset për vreshtin e tij, ashtu siç ka bërë çdo ditë për gati 50 vjet.
Në vitin 2017, kur flakët filluan ta kërcënojnë tokën dhe jetesën e Jerryt, ai vendosi të mos evakuohej dhe në vend të kësaj të përpiqej t’i luftonte vetë flakët. Iu kumtua më vonë se ai vet e kishte shpëtuar punishten e verës.
Skuqet kur e kujton atë moment dhe psherëtin.
“Nuk po e shpëtoni thjesht një vresht, po e shpëtoni edhe jetën tuaj”, ka thënë ai. “Është zgjedhja jonë në jetë, e unë kam bërë shumë për të. Edhe familja ime ka punuar shumë për këtë vend. Andaj nuk e kisha ndërmend të humbisja gjithçka pa luftuar”.
Edhe përpara tre vjetëve kishte zjarre edhe më të egra se kaq për t’i luftuar, mirëpo atëbotë nuk ishin flakët që përbënin kërcënim të madh. Ishte tymi.
Vera që më në fund hidhet në shishe pas fermentimit kërkon kujdes të veçantë paraprak. Dhe ajo që prodhuesit e verës në rajon e kuptuan shpejt është se edhe nëse hardhitë shpëtohen nga flakët, efektet e dëmshme të tymit mund të jenë edhe më të kushtueshme se vetë zjarret.
Jerry u përpoq të prodhonte verë pas vjeljes së vitit 2020, duke shpresuar se të vjelat e tij kishin shpëtuar. Mirëpo sapo filloi testimi, ai ka zbuluar se njollosja prej tymit kishte prekur dy të tretat e rrushit të tij, dhe rrjedhimisht verën që rezultonte nga procesi.
“Kështu që ne thjesht e derdhëm atë në kullues”, ka treguar ai. “Ne e morëm humbjen ekonomike me ndjenjën se kemi një reputacion shumë të fortë. Dhe ne me të vërtetë kujdesemi për njerëzit që pinë verën tonë dhe duam ta mbajmë atë reputacion”.
Industria e verërave në Kaliforni vlen rreth 40 miliardë dollarë për ekonominë e Kalifornisë. Prodhuesit e verës në të gjithë Napan po kërkojnë dëshpërimisht zgjidhje për ta larguar tymin.
Dëmet nga tymi
Profesoresha Anita Oberholster, në Universitetin e Kalifornisë në Davis, po e udhëheq kërkimin se si mund të zbutet ndikimi i dëmtimit nga tymi. Ajo është bërë “doktoreshë” e verës, duke ndihmuar në shërimin e verës së “sëmurë”.
Oberholster ka shpjeguar se ka disa teknika filtrimi, si osmoza e kundërt, dhe trajtime që përfshijnë qymyr aktiv, të cilat tashmë përdoren për të hequr përbërësit e hidhur nga vera. Por këto trajtime mund të heqin më shumë sesa thjesht shijen e hirit të krijuar nga komponimet e tymit, ato gjithashtu largojnë disa prej komponimeve edhe nga kompleksiteti i verës.
“Fatkeqësisht, të dyja këto ndikojnë gjithashtu në cilësinë e përgjithshme të verës. Kështu që ndoshta do t’ju duhet ta shisni atë verë me një nivel çmimi më të ulët, sepse kjo sigurisht ndikon në cilësi”.
Dhe ky është problemi, ju ende mund të prodhoni verë pas zjarreve, por në një rajon që ekziston me një reputacion kaq të njohur botëror të ndërtuar prej shumë dekadash, a mund të bëjnë ata verë cilësore Napa?
Në Realm Cellars, prodhuesi kryesor i verës, Benoit Touquette piu një gllënjkë nga Cabernet Sauvignoni i tij i çmuar duke u siguruar se dëgjohej teksa e pinte. Zhurmën e quan “tingulli i kënaqësisë”.
Ai dhe ekipi i tij vendosën të mos bëjnë asnjë verë të kuqe me vjeljet e vitit 2020 për shkak të dëmtimit nga tymi. Ishte një vendim që i kushtoi punishtes më shumë se 25 milionë dollarë.
“Nuk është thjesht të bësh ose të mos bësh”, ka theksuar ai. “Duhet të mendosh për gjithçka menjëherë”.

“Po nëse shkon keq në dorën e konsumatorit? Çfarë do të thotë për markën? Është rasti kur nuk ka të ardhura, por ka edhe jetëgjatësinë e markës dhe vlerat tona. Ka shumë më tepër në rrezik sesa të ardhurat që janë një numër i jashtëzakonshëm”.
Pikërisht lart Silverado Trailit, rruga kryesore që gjarpëron nëpër Luginën e Napës, ndodhet Signorello Estate. Ajo ishte e vetmja punishte e verës Napa që u dogj deri në themel në vitin 2017. Pothuajse gjashtë vjet më vonë, procesi i rindërtimit vazhdon.
Priyanka French, prodhuesja kryesore e verës në kantinë, po ndihmon në mbikëqyrjen e ndërtimit të asaj që do të jetë një nga kantinat më të papërshkueshme nga zjarri të ndërtuara ndonjëherë. Ajo thotë se ato po përdorin vetëm materiale jo të ndezshme dhe do të prodhojnë pjesën më të madhe të verës në shpella nëntokësore, formë natyrore e mbrojtjes nga zjarri.
Pavarësisht rritjes së kërcënimit të zjarreve dhe tymit të zi, ajo beson se gjithçka do të shkojë më së miri në të ardhmen.
“Për sa kohë që ne jemi të ndërgjegjshëm, jo vetëm për të qenë përgjegjës si kujdestarë mjedisorë, por me të vërtetë duke menduar për atë që industria në Napa do të jetë në gjendje të thotë për veten në të ardhmen, mendoj se është emocionuese. Mendoj se jemi në mesin e bisedimeve shumë të rëndësishme dhe interesante për disa çështje po ashtu interesante. Shoh vetëm pozitivitet këtu”. (Përktheu: Blerta Haxhiu)