EXPRESS

“Art Therapy” me art nga Mitrovica e Veriut

“Art Therapy” në qendrën “Barabar” dëshmon fuqinë e artit e njëkohësisht ekspozita shpalos në Prishtinë, krijimtarinë e artistëve nga veriu i vendit. Ka bashkuar në qendrën “Barabar” në hapësirat e hotelit “Grand” në Prishtinë artistë serbë e boshnjakë nga Mitrovica e Veriut. E organizuar nga qendra kulturore “Akvarijus”, për një javë, deri të enjten mbrëma, ka ardhur si synim për të eksploruar fuqinë terapeutike të artit dhe të nxisë shkëmbimin kulturor.

“Barabari” ka qenë nikoqir i pikturave, skulpturave, instalacioneve digjitale dhe formave të tjera inovative të shprehjes artistike.

Ekspozita e kuruar nga Miljana Bulatoviq, njëherësh drejtoreshë e “Akvarijus”, shpërfaq mundësinë e shfaqjes së këtyre artistëve të rinj para publikut të Prishtinës, si mënyrë e mirë për të parë se si po funksionojnë artistët në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar rolin e artit në ndryshimin e narrativave shoqërore.

“Mendoj se është shumë me rëndësi për njerëzit që ta dinë se arti është një dimension shumë serioz, edhe pse artistët janë një njësi e vogël në shoqëri, ata janë më të fuqishmit me mesazhet që përçojnë nga veprat e tyre”.

“Art Therapy” prezanton një krijimtari prej vitit 2015 deri më 2023. Janë vepra të realizuara në qendrën kulturore “Akvarijus” në Mitrovicë. Veprat e ekspozuara janë pjesë nga koleksioni i galerisë së kësaj qendre kulturore. E veçanta e saj janë dy ciklet “Dhoma e Lirisë” dhe “Korridori i Bashkëveprimit”, të cilat rrëfejnë se si arti krijohet në një marrëdhënie të veçantë midis artistit dhe audiencës së tij. Aty thyhen paragjykimet dhe qartazi del thirrja për ta ndryshuar botën me art.

Kur shikohen veprat si kolazhet me lloje të ndryshme letrash, pikturat, grafikat, fotografitë, videoinstalacionet e skulpturat, shihet se këta artistë inspirohen nga vetë historia e trazuar e Kosovës dhe realiteti në të cilin e jetojnë. Nëpërmjet artit, dokumentohen përjetimet autentike që pasqyrojnë të sotmen.

“Jam shumë falënderuese që kam mundësinë të jem këtu dhe më vjen mirë që të gjithë miqtë e mi janë pjesë e kësaj ekspozite. E vlerësoj tashmë artin tim, sepse kam përfunduar dhe studimet, di si të punoj dhe të thellohem në art”, deklaroi Angjela Rankoviq.

Në ceremoninë e hapjes, Jelena Cvetanoviq, koordinatore e programit në organizatën “Casa”, e cila bashkë me “Integran” kanë krijuar hapësirën “Barabar” që ishte nikoqire e këtij eventi, shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen që ekspozita ka marrë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ka folur mbi rëndësinë që ka “Barabar” për skenën artistike të vendit.

“‘Barabar’ nuk është vetëm për artin, por shërben dhe si një hapësirë përmes së cilës promovohen gjithëpërfshirja, diversiteti dhe dialogu nga arti dhe kultura, ku mundësohet krijimi i urave midis njerëzve, duke rrënuar barrierat e shoqërisë”.

Një gjë të tillë e paraqitën dhe gjatë ekspozitës, si për ta dëshmuar efektin terapeutik që ofron pikturimi. Në mes të dhomës ishte e vendosur një tavolinë me dy kanavace boshe dhe shumë ngjyra. Vizitorët janë ftuar të lënë shenjat e tyre.

Artisti Albert Heta ka folur për rëndësinë e kësaj ekspozite në Prishtinë.

“Shkollat në Kosovë e rrjedhimisht dhe shkolla e artit janë ndarë qe 30 vjet, andaj nuk kanë komunikim me njëra-tjetrën, është mundësi e jashtëzakonshme për me pa programin e kësaj qendre e cila vepron në Mitrovicën e Veriut, dhe me i vërejt tendencat e tyre në art, shpeshherë jo të ngjashme me artistët e tjerë kosovarë. E kisha sugjeru patjetër me ardhë me e pa një pjesë të vendit që zakonisht është vështirë me u pa, mundësia për qarkullim është e vështirë, jo gjithkush e merr mundin me shku, pastaj është e jashtëzakonshme që ata kanë pranu ftesën me ardhë këtu”.

Pas ceremonisë së ekspozitës, në skenë ka dalë grupi muzikor “Gruv Hyena” i përbërë nga Emir Hasani në vokal dhe kitarë, Vanja Kostiq në bas kitarë dhe Filip Milovanoviq në bateri.