Aty ku dikur rituali i tij i kafesë dhe i takimit me miqtë shndërrohej në ngjarje në Prishtinë – në Kinemanë ABC – dokumentari për Bekim Fehmiun ka rikthyer magjinë e pranisë së tij jo vetëm nëpërmjet rrëfimit të jetës e të karrierës së tij, por edhe të kujtimeve për aktorin e madh. Ka sjellë në kryeqytet edhe bashkëshorten e tij, aktoren Branka Petriq.
Hapësira e Kinemasë ABC të enjten e kaluar ka pritur familjarë, miq, dashamirë e adhurues të Bekim Fehmiut, në shenjë respekti për veprimtarinë kolosale të tij.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fjalën hyrëse para se të ndizej projektori për dokumentarin “Bekim Fehmiu”, me skenar të gazetarit veteran Fahri Musliu, nën regji të Valmir Tertinit, e vlerësoi trajtimin e figurës së Bekim Fehmiut në këtë dokumentar.
“Ky film dokumentar nuk është vetëm një biografi e ekranizuar, por edhe një kërkim i sinqertë për njeriun prapa këtyre roleve ndërkombëtare, dokumentari nuk u shmanget as ulje-ngritjeve të jetës së Bekim Fehmiut”, ka thënë kryetari i Prishtinës”.
Branka Petriq ka folur me emocione para se të ndizej projektori për shfaqjen e dokumentarit. Ka thënë për KOHËN se dokumentari i ka dhënë ndjesinë e udhëtimit emocional retrospektiv edhe për të.
“Kalimi nëpër periudha të ndryshme të jetës së Bekimit për mua ishte si një eksperiencë krejt e jashtëzakonshme”.
Historia e Bekim Fehmiut që nisi nga kalldrëmet e Prizrenit e deri te reflektorët e shesh-xhirimeve të Hollywoodit, në këtë dokumentar fillon me epilogun e trishtë të jetës së Fehmiut, pikërisht me vetëvrasjen e tij, skenë e regjistruar mjeshtërisht nga regjisori Tertini. Bashkëshortja Branka Petriq ndan në fillim të filmit gjësende personale të Bekimit, si: kapelën që e kishte përdorur në filmin “Mbledhësit e puplave”, një libër shkollor të përdorur në shkollat italiane me figurën e Bekimit si Odiseu në kopertinë, çakmakun e Bekimit, filxhanin e tij me të cilin pinte kafenë, e parzmoren dhe armën që kishte përdorur në filmin “The Deserter”, si një tentativë e saj për të rikujtuar figurativisht copëza të artistit.
Skenaristi i dokumentarit, gazetari Fahri Musliu, njëherësh autor i monografisë për Bekim Fehmiun, njësoj si pas premierës në Prizren në fund të tetorit, edhe në Prishtinë ka ripërsëritur se filmi është finalizuar pas katër vjetësh punë e sakrificë dhe pa përkrahjen institucionale në Kosovë.
“Filmi nuk e prezanton Bekimin si figurë në totalin e plotë të tij, por vetëm në disa pjesë ka plane për prezantim më të gjerë përmes një seriali televiziv me disa episode.”
Për ta vendosur një jetë dhe karrierë aq të frytshme si ajo e Bekim Fehmiut për regjisorin nuk ishte punë e lehtë. Ideja kishte nisur nga një promovim libri në Gjakovë, në takimin me Fahri Musliun, por procesi deri në finalizim si duket kishte qenë i vështirë sipas regjisorit të filmit.
“Ne deshëm që xhirimet të nisin në fillim të vitit 2019, por mosfinancimi nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës na i shtyu ato, dhe kështu humbëm mundësinë që në film të kishim pjesë dhe nga Musa Ramadani”
Ish-politikania Kaqusha Jashari ka thënë se dokumentari i ka tejkaluar pritshmëritë e saj.
“Kam pritë një film të mirë, por ishte një film i jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo duke u ndalur te merita e filmit që të shfaqet edhe jashtë Kosovës”
Zake Prelvukaj ndau momentin e takimit me Bekim Fehmiun, duke vlerësuar qëndrimin e tij stoik dhe fjalorin e mprehtë.
“Ai kishte parë një pikturë timen këtu në Kino ABC por nuk e kishte ditur se kush e ka bërë, pastaj jemi takuar dhe kam parë karakterin e tij të fortë dhe fjalorin prerës.”
Në këtë dokumentar, përveç krijimtarisë së tij të bujshme, paraqitet fëmijëria e tij përmes rrëfimit të vëllait të tij, Arsimit, vizita e tij në Shqipëri, në qytetin që dikur dhe kishte jetuar, në Shkodër, derisa përfundon me disa paraqitje të tij të vona në televizionin publik.