Në ambientet e Kino Armatës, në kryeqytet u mblodhën miq, familjarë, artdashës e admirues të muzikës së La Fazanit, për t’u njohur me albumin “Specie turshi”. Janë shërbyer me pijen e fermentuar e njohur nga populli si “rasoj”. Jo rastësisht detajet e tilla, edhe pse të pazakonta, janë të pritshme nga La Fazani.
Albumi i tij me gjashtëmbëdhjetë këngë vjen më shumë si një projekt konceptual artistik. Koncerti i promovimit të albumit ka qenë me plot elemente të tilla që lënë përshtypjen e një eventi të mirë-menduar, duke filluar nga hyrja ku shiteshin gjësende si bluza, e aksesorë me imazhet e albumit “Specie turshi”. E veçantë ka qenë edhe forma që ai ka vendosur ta ofrojë albumin: si një libërth i vogël i cili në kopertinë paraqet figurinë që portretizon La Fazanin në mes të kavanozave me turshi. Në faqen e parë, “QR” kodi bëhet vjegës me të gjitha këngët e albumit të gatshme për t’u dëgjuar, bashkë me një falënderim special nga vetë artisti. Në libërth zënë vend të gjitha tekstet e këngëve, bashkë me nga një ilustrim që i përgjigjet fabulës së këngës. Koncerti të premten e kaluar filloi me paraqitjen e korit të grave dhe burrave “Okarina” drejtuar nga Elikona Hysaj-Shala.
Intro e titulluar si vetë albumi, “Specie turshi” ka qenë uverturë e mbrëmjes të pasur me stile muzikore. Me t’u ngritur perdet pas korit, në skenë u shfaq edhe La Fazani bashkë me ansamblin e përbërë nga gjashtë muzikantë. Nesim Maxhuni në tupanë, Art Lokaj në kitarë, Fatlind Ferati në bas-kitarë, Viola Rrecaj në sint, Philipp Konrad Labhart në trumbetë, Arsim Leka në saksofon dhe La Fazani në vokal e kitarë kanë përbërë septetin që jetësoi këngët e albumit. “Gjemi do pare” ishte kënga e parë që u luajt, e kompozuar dhe shkruar nga vetë artisti, si të gjitha këngët e tjera.
Krijimtarinë e La Fazanit e vlerësoi si unike tenori Luan Durmishi, i pranishëm në koncertin e albumit, pjesë e të cilit ishte dhe vetë ai duke interpretuar në disa këngë.
“Arbëri kohëve të fundit po më pëlqen për arsye se muzikën që po e bënë, po e bënë në mënyrë konceptuale dhe mua artistët konceptual më pëlqejnë. Kronologjia me konceptet që kanë të bëjnë me historikun tonë në Kosovë kanë fillu me ja kriju një identitet artistik me të cilin i uroj shumë suksese”.
“Jupiteri” e “Fluturoj” kanë sjellë atmosferë, por vëmendjen e mori ripërpunimi krejt origjinal i këngës “Mustafa” të Muharrem Qenës.
Festë për albumin e La Fazanit e quajti koncertin Florent Boshnjaku. La Fazani, sipas Boshnjakut, do të ngelet gjatë në skenën muzikore duke lënë gjurmë.
“Sonte jemi duke e festu albumin e Arbërit, besoj që është një feste që e kemi prit. I dëshiroj më të mirën dhe nuk dyshoj që ka me mbet gjatë dhe ka me lanë shumë gjurmë të mëdha në këtë vend”.
Për Boshnjakun identiteti muzikor i La Fazanit veçohet nga stilet alternative,
“Arbëri e ka nisë në formë alternative në mënyrën se si ai shprehet muzikalisht, por nganjëherë kombinohet dhe me shumë zhanre të ndryshme dhe besoj që dikush që e dëgjon atë mundet me gjetë vetën në secilën forme. Mendoj që Arbërin kemi me dëgju më shumë dhe në radio edhe pse momentalisht nuk është edhe aq prezent, është pjesë e një publiku më alternativ që e konsumon këtë lloj muzike”.
Ky album del si një vepër artistike e ngjyruar edhe me nuanca të muzikalit. Aty simbolika gjen vend në çdo detaj, edhe në renditjen e këngëve dhe të ilustrimeve në libërthin e albumit ku ngecja në kavanoz përdoret si metaforë e izolimit të shoqërisë në shumë dimensione
Aftësitë e La Fazanit i vlerësoi dhe aktorja Anisa Ismajli, e pranishme në koncert.
“Arbëri është super muzikant, super artist në çdo kuptim të fjalës, andaj jam shumë e lumtur që jam sonte në promovimin e albumit të tij i cili gjithmonë sjell një avangardë, diçka të bukur. E bukura përveç kësaj është dhe kori okarina i cili do të jetë përcjellës në pesë këngët”.
Me “Specie turshi”, La Fazani sjell perspektivë të freskët për skenën muzikore, janë pikërisht në terrenin e tij si artist origjinal.