Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, do ta nisë më 8 korrik rrugëtimin e saj në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Dy ditë më vonë, më 10 korrik, Malisheva luan ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, kurse më 17 korrik, fituesja e Kupës së Kosovës në futboll, Prishtina, e zhvillon ndeshjen kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës.
Ndeshjet që do t’i kenë Drita, Prishtina dhe Malisheva do të transmetohen ekskluzivisht në KTV.
Ndeshjet si vendase të Dritës, Prishtinës dhe Malishevës, që do të transmetohen në Kohavision, do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Kampionia Drita do të përballet me kampionin e Luksemburgut, Differdange 03, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Drita në Champions paraqitet për herë të tretë. Në edicionin 2018/19 e kaloi raundin preliminar, duke mposhtur Santa Coloman e Andorrës dhe Lincolnin e Gjibraltarit. Ishte ndalur në raundin e parë kualifikues të Championsit nga Malmo e Suedisë.
Në edicionin 2020/21, Drita në gjysmëfinale të raundit preliminar e mposhti Inter d’Escaldes të Andorrës. Por humbi me rezultat zyrtar, 3:0, nga Linfieldi i Irlandës në finale të raundit preliminar.
Gjilanasit tashmë kanë përvojë gjashtëvjeçare në gara kontinentale dhe synojnë ta kalojnë raundin e parë kualifikues të Championsit.
Prishtina do të përballet me skuadrën e njohur moldave, Sheriff Tiraspol, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.
Prishtina paraqitet në Ligën e Evropës si fituese e Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina kthehet në gara evropiane pas katër vjetësh.
Ndërkohë, Vikinguri i Islandës do të jetë kundërshtari i parë i Malishevës në Ligën e Konferencës.
Për Malishevën është hera e dytë rresht që paraqitet në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Ndërkohë, Ballkani kualifikimet e Ligës së Konferencës i nis nga raundi i dytë.
Ballkani përballë do ta ketë Florianan e Maltës apo Haverfordwestin e Uellsit, varësisht se cila prej tyre fiton.
Te klubet e Kosovës presin rrugëtim sa më të gjatë në garat evropiane. Rrugëtimi i klubeve të Kosovës në Evropë do të transmetohet vetëm në KTV.