“Kryevepër” e “sensacionale” është vlerësuar paraqitja e fundit e Granit Xhakës me Sunderlandin. Dhe cilësime të tilla janë bërë nga legjenda angleze e futbollit, Alan Shearer.
Golashënuesi më i mirë i Premier Leagues përzgjedh ekipin më të mirë të xhiros për faqen zyrtare të Premier Leagues.
Për xhiron e nëntë, të zhvilluar në fundjavë, Sheareri ka veçuar Xhakën. Sunderlandi të shtunën arriti fitore të madhe ndaj Chelseat. Dhe personaliteti i njohur i futbollit anglez ka lënë meritor për këtë mesfushorin shqiptar.
Faqja zyrtare e Premier Leagues ka shkruar se Xhaka ishte në zemër të rikthimit të pabesueshëm të Sunderlandit ndaj Chelseat. Dominimi i tij në mesin e fushës ndihmoi fitoren 2:1 të Sunderlandit në “Stamford Bridge”.
Por Xhaka vazhdimisht po bën paraqitje impresive te Sunderlandi, skuadra e kthyer pas një kohe të gjatë në elitën angleze. Sunderlandi aktualisht është në pozitën e katërt në Premier League, rangim që ka impresionuar shumë tifozë të futbollit nëpër botë.
“Ka ofruar kryevepër në mesfushë”, ka shkruar Alan Shearer në arsyetimin për përfshirjen e Xhakës në ekipin më të mirë të xhiros.
“Ai ishte në një nivel tjetër, duke e mbajtur topin në lëvizje, duke penguar disa sulme të Chelseat dhe duke treguar edhe një herë pse ka qenë një transferim i jashtëzakonshëm për Sunderlandin”.
Xhaka ka dominuar ndaj mesfushorëve shumë të shtrenjtë të Chelseat. Por po dominon nga java në javë dhe po dëshmon që kthimi në Premier League ishte lëvizje shumë e duhur. Ai la nënkampionin e Gjermanisë, Bayer Leverkusenin, për të ndihmuar Sunderlandin në misionin për të mbetur në Premier League. Menjëherë iu besua shiriti i kapitenit dhe që nga disa e parë është lider i pakontestueshëm i Sunderlandit.
Shearer, 55-vjeçar, është golashënuesi bindshëm më i mirë i Premier Leagues. I ka 260 gola në 441 paraqitje. Në elitën angleze ka luajtur për Blackburn Rovers dhe për Neecastle United. Për Anglinë i ka 30 gola në 63 paraqitje.