Futboll

Në Çeki shkruajnë për ndërhyrjen e ashpër nga Rrahmani

Albion Rrahmani

Albion Rrahmani e shënoi një gol në finale të Kupës së Çekisë. Goli i Rrahmanit nuk i ndihmoi Spartës së Pragës që pësoi disfatë 3:1 nga Sigma Olomouc. Në fakt për golin e sulmuesit u fol fare pak. Mediumet në Çeki të premten kanë rreshtuar disa momente diskutabile, e ndërhyrje shumë të rrezikshme. Njëra prej tyre ishte e Rrahmanit. 

“Në pjesën e parë pati atmosferë madhështore, spektakël i vërtetë. Por në pjesën e dytë niveli ra ndjeshëm. Pasi u shënua penalltia nga Sparta u shtua agresiviteti në fushë gradualisht. Në fund u panë disa situata të pakëndshme dhe gabimet e gjyqtarit ndikuan”, ka shkruar “seznam.cz”. 

“Në minutën e 87-të, Rrahmani u përplas me Jakub Pokornyn e Olomoucit afër vijës anësore, pranë zyrtarëve e lojtarëve rezervistë të klubeve. Sulmuesi i Spartës vrapoi drejt Pokornyt, që po e godiste topin. Ai u hodh lart dhe marrë parasysh shpejtësinë që e kishte, hedhja ishte edhe për shkak të frustrimit. Pa e pasur kontrollin e trupit, ai goditi kokën e Pokornyt. Fillimisht e qëlloi me gju në fytyrë, e më pas edhe me dorë në qafë”, ka shkruar sajti çek, duke nënvizuar se Rrahmani në këtë moment është dashur të ndëshkohej me karton të kuq. 

Por gjyqtari Karel Rouçek i dha vetëm vërejtje, duke e kursyer nga përjashtimi. 

Në atë moment, bankat e rezervistëve të të dyja ekipeve shpërthyen në emocione dhe kjo rezultoi me karton të kuq për një anëtar të Spartës, që e qëlloi me shuplakë një kundërshtar. 

Rrahmani në lojë kishte hyrë në fillim të pjesës së dytë. Nga banka rezervë ishte inkuadruar edhe Ermal Krasniqi në minutën e 69-të. Qazim Laçi e kompletoi atë ballafaqim. Indrit Tuci ndërkohë ishte në bankën rezervë.