Granit Xhaka po shkëlqen në Kampionatin Evropian të futbollit. Ai e ka udhëhequr Zvicrën drejt çerekfinales, ndërsa nga gazetarë të ndryshëm po përmendet si kandidat i mundshëm për “Topin e Artë”.
Por Xhaka nuk është i suksesshëm vetëm në fushën e blertë. Ai tashmë është futur edhe në botën e modës.
Në një intervistë për mediumin zviceran “20 Minuten” ka folur më shumë për këtë.
Zvicra po bëhet gati për ndeshjen çerekfinale të “Euro 2024” ndaj Anglisë. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 18:00 në Duesseldorf.
“Në krahasim me përfaqësueset e tjera, Anglia ka më shumë lojtarë që luajnë në ligën vendore. Kjo e bën më të veçantë, pasi kam luajtur shumë herë ndaj tyre gjatë kohës në Premier League. Por për mua është ndeshje nokauti si çdo tjetër. Kemi besim dhe jemi të fokusuar në forcën tonë, pavarësisht kundërshtarit”, ka thënë mesfushori kosovar.
Xhaka është pyetur se çka do të bëjë nëse e fiton Evropianin me Zvicrën. Ka treguar se do të shkonte me familje në pushime, por vetëm pas festës së madhe me ekipin, stafin dhe gjithë Zvicrën.
31-vjeçari thotë se gjithnjë mundohet të ndihmojë ekipin me mentalitetin që ka dhe që të jetë shembull. Thotë se gjithnjë dëshiron të fitojë, madje edhe në stërvitje.
Xhakës i vjen mirë që e kanë përmendur për “Topin e Artë”. Por thotë se nuk merret me këtë. Është plotësisht i fokusuar për ndeshjen çerekfinale ndaj Anglisë.
Gjatë Evropianit, Xhaka ka lansuar brendin e veshjeve “Grajo”. Është pyetur se pse e bëri këtë gjatë Evropianit.
“Pasi na pret një verë e bukur në Zvicër dhe kemi dashur të sigurohemi që njerëzit mund ta kalojnë nxehtësinë në stil me veshjet tona të lehta. Isha i përfshirë në procesin kreativ lidhur me dizajnin dhe përzgjedhjen e ngjyrave. Ishte kohë interesante dhe ndryshim i madh nga angazhimet te Leverkuseni”, ka thënë Xhaka.
Koleksioni i fundit i “Grajo” ishte i gatshëm në qershor. Xhaka i kishte veshjet e reja në bagazhin e tij kur iu bashkua Përfaqësueses. Shumë prej bashkëlojtarëve te Zvicra, po ashtu, kanë pëlqyer veshjet e reja, ka treguar Xhaka.
Ai ka thënë se ka dashur shumë që të përfshihen ngjyrat kuqezi në koleksionin e ri. Xhaka tregon se ndihet mirë para aparateve të fotografisë, por në krahasim me modelët profesionalë është amator. Kështu që nuk mendon për karrierë në modelizëm.
Aktualisht shitja e rrobave të brendit të Xhakës bëhet “online”. Por Xhaka dhe bashkëpunëtorët e tij po punojnë që rrobat e tyre të shiten edhe në shitore të ndryshme në Zvicër.
“Gjithnjë kam dashur të shikoj përpara. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që gjithnjë të fokusohesh në gjërat aktuale. Licenca e trajnerit ka hapur horizonte të reja për mua dhe po ashtu më ndihmon në karrierën time aktive dhe në lojëra. Te ‘Grajo” kam një partner biznesi dhe një shok të mirë, Jojo Ucan, e po ashtu një ekip të shkëlqyer që më mundëson të fokusohem në karrierën time në futboll. Ende jam larg që të arrij qëllimin tim sa i takon karrierës. Edhe sa i takon projektit të pasionit ‘Grajo’ jam larg asaj që synoj”, ka thënë Granit Xhaka.