Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Totti, Puyol, Maldini, Carragher – renditja e më të mirëve që luajtën vetëm për një klub

Totti, Puyol, Maldini, Carragher – renditja e më të mirëve që luajtën vetëm për një klub

Çdo vit në San Mames, shtëpinë ikonike të Athletic Club në Bilbao, tifozët vendas ndalen për të vlerësuar dhe për të festuar lojtarët jo nga klubi i tyre, por ata që ndajnë një vlerë unike me ekipin bask – besnikërinë.

Athletic Bilbao – i famshëm që ka vetëm lojtarë që janë të lindur ose janë të rritur në rajon – prezantoi çmimin “Një klub” (One-Club) në vitin 2015, duke nderuar ata që ia kushtuan gjithë karrierën profesionale një skuadre të vetme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Donim të krijonim një çmim që do të njihte ëndrrën e fëmijëve për të luajtur për një klub”, thotë Dan Parry, nga klubi i La Ligas.

“Nga ana tjetër, ne donim të tregonim se pavarësisht të gjitha transferimeve me shuma të mëdha në futbollin modern, ka lojtarë të nivelit të lartë në të gjithë botën që duan të bëhen lojtarë të vetëm një klubi. Është çmim individual, por edhe çmim që feston lidhjen mes ekipit të futbollit, tifozëve dhe lojtarit”.

Të kalosh gjithë karrierën në një klub është fenomen kurioz. Për 20 vjet në një klub, për shembull, ndërron shumë trajnerë, ndërsa me shumë gjasa përjeton ditë të mira e të vështira të ekipit.

Nuk ka të bëjë vetëm me vendimin e lojtarit për të qëndruar. Vullnet duhet të ketë edhe nga klubi. Duhet të krijohet po ashtu lidhja me tifozët. Shumë prej atyre që qëndrojnë vetëm në një klub shndërrohen në legjenda.

Athletic Bilbao ka shumë të tillë, por çmimin ua ndanë vetëm lojtarëve të pensionuar nga klube të tjera.

“Ne kërkojmë lojtarë që mendojmë se mishërojnë vlerat e klubit ose tifozëve të tyre”, tregon Parry.
“Lojtari nuk është domosdoshmërisht ylli më i madh ose më i talentuari nga ai klub. Por ai tenton të jetë një nga të pëlqyerit e tifozëve. Tifozët e shohin atë si pasqyrim të vetes në fushë dhe po ashtu lojtari e sheh veten si pasqyrim të tifozërisë”.

Lista e veçantë

Matt Le Tissier (Southampton), Paolo Maldini (Milan), Sepp Maier (Bayern), Carles Puyol (Barcelona), Billy McNeil (Celtic), Ryan Giggs (Manchester United), Ricardo Bochini (Independiente), Joao Pinto (Porto), Giuseppe Bergomi (Inter), Jamie Carragher (Liverpool) kanë fituar deri më tani çmimin që e ndan Atletic Bilbao.

Nga Milani te Manchester Unitedi, disa klube mund të kenë më shumë përfaqësues në listën e lojtarëve më të mirë “të një skuadre”.

Por BBC ka përzgjedhur nga një lojtar për ekip. Është përfshirë vetëm një edhe nga Atletico Bilbao.
Inaki Williams nuk do të ishte legjendë në Bilbao nëse nuk do të ishin sakrificat e prindërve të tij, që u larguan nga Gana në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Ata u larguan, kur nëna e Inakit, Maria, ishte shtatzënë. E kaluan një pjesë të Saharasë zbathur, për t’u vendosur më pas në Spanjën veriore.

“Na është dashur të vuajmë shumë”, tha Williams. Ai e ndihmoi Athletic Bilbaon ta fitonte Kupën e Mbretit për herë të parë pas 40 vjetësh.

I rritur si tifoz i Athletic, Williams ishte lojtari i parë i zi që shënoi për klubin dhe ndihmoi edhe vëllain Nicon të shpërthente.

31-vjeçari tashmë i ka mbi 500 paraqitje për Athletic Bilbaon dhe po realizon ëndrrën për të luajtur vetëm për këtë klub.

Lev Yashin, portieri që fitoi Topin e Artë, e kaloi gjithë karrierën te Dinamo Moska. Yashini ka luajtur për ekipin nga Moska nga viti 1950 deri në vitin 1970.

Giuseppe Bergomi është natyrisht në listë. Ai debutoi tek Interi në moshën 16-vjeçare, në vitin 1980. Mbetet më i riu që ka debutuar. Vetëm Javier Zanetti ka më shumë paraqitje se Bergomi për Interin.

Bergomi i luajti 519 ndeshje për skuadrën italiane.

Në Southampton, Mat Le Tissier është legjendë. Ai ka pasur vazhdimisht oferta nga klubet më të mëdha, por u shndërrua në legjendë pikërisht pasi i refuzoi ato.

Të papërsëritshëm

Jamie Carragher është po ashtu i njohur për besnikërinë. Ai e fitoi Championsin me Liverpoolin dhe faktin që luajti vetëm për këtë skuadër dhe e fitoi çmimin për “lojtar të një ekipi” e vlerëson si suksesin e dytë më të madh.

Carragheri kishte gjashtë trajnerë të ndryshëm gjatë karrierës 16-vjeçare në “Anfield”, ndërsa Carles Puyol i kishte plot tetë te Barcelona.

Barça pranoi ofertë për ta shituar mbrojtësin ende pa debutuar ai. Por Puyoli refuzoi të largohej dhe u shndërrua në legjendë të klubit.

Tony Adams e ka vendin lart në listë pasi luajti 672 ndeshje për Arsenalin.

Ryan Giggs është unik. 940 prej 963 ndeshjeve të tij me Manchester Unitedin i luajti nën urdhrat e Alex Fergusonit. Me Fergusonin në stol, Giggs i shënoi të gjithë 168 golat për skuadrën. Uellsiani i fitoi 13 tituj të Premier Leagues dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve. Natyrisht, me Manchester Unitedin.

Asnjë emër më shumë se “Maldini” nuk ka kuptim për Milanin. Nuk ka të bëjë me “lojtarin e një skuadre”, por shumë më tepër.

Cesare Maldini luajti më shumë se 400 ndeshje e më pas ishte trajner i “rossonerëve”.

Por është Paolo Maldini, djali i Cesares, që e ka rrëfimin e pabesueshëm. Ai debutoi me 16 vjet pasi u zhvillua te Milani. Luajti deri në moshën 41-vjeçare për ekipin e qytetit të lindjes.

I bëri mbi 900 paraqitje, e fitoi “Scudetton” dhe Kupën Evropiane në tri dekada të ndryshme. Është legjendë e “San Siro” dhe shumë më tepër.

Dhe në krye të listës është i papërsëritshmi, Francesco Totti. Roman i gjeneratës së shtatë, Totti ëndërronte të vishte fanellën e kuqe si heronjtë, fotografitë e të cilëve i mbante në dhomë.

Refuzoi klubet e tjera italiane kur ishte ende në Akademi, e refuzoi Florentino Perezin e paepur, refuzoi rrogë dukshëm më të madhe dhe numrin 10 te Real Madridi.

Tifozi i flaktë i Romës u bë golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre dhe rekordmen për paraqitje. Kjo histori dashurie arriti kulmin me vetëm “Scudetton” e tretë të klubit, të parën në 18 vjet, në vitin 2001.

“Olimpico” e pranoi Tottin në moshën 16-vjeçare dhe e pëlqeu deri në lamtumirën plot lot, në moshën 40-vjeçare.

Hero i vërtetë i një klubi dhe plotësisht i denjë për “numër një” në këtë listë.