Kur politika reduktohet në kalkulim elektoral të partisë dominuese dhe në frikë nga narrativi dominues i opozitës, atëherë shteti mbetet peng i status quosë ndërsa shoqëria hyn në cikël pritjeje të pafund. Kjo është arsyeja pse sot nuk po i ngutet askujt: ngase marrja e përgjegjësisë, si në udhëheqje ashtu edhe në opozitë, kërkon vizion, kosto politike dhe gatishmëri për të dalë nga rehatia e avashllëkut – e këto, për momentin, duken se mungojnë
Si duket askujt nuk po i ngutet t’i formojë institucionet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. LVV-ja, që e rikonfirmoi pozicionin si parti dominuese në skenën politike me mbi 51 për qind të mbështetjes popullore, e bëri një potez në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili është tregues se konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit do të jetë problematik. Mosmiratimi i rezultateve të Listës Serbe në KQZ, sado që është veprim populist, e për të cilin përfaqësues të LVV-së e kanë ditur shumë mirë se do të kthehet mbrapsht nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), tregon jo vetëm për papjekuri politike por edhe për pozicionim politik që do të reflektohet negativisht gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese se vetëm shumica e deputetëve serbë, në këtë rast Lista Serbe që i ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për këtë komunitet, mund ta propozojë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga ky komunitet, do të ketë pak ndikim në konstituimin e legjislaturës së radhës.
Nëse përsëri ndahet votimi për nënkryetarë nga komunitetet pakicë, atëherë është shumë e mundur që të shohim skenar të ngjashëm me atë që e dëshmuam në përbërjen e dështuar të legjislaturës së kaluar. Nëse propozimi i Listës Serbe nuk i merr votat e mjaftueshme, Kuvendi nuk do të konstituohet, nuk do të zgjidhet presidenti i Republikës dhe do të kemi edhe një palë zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo, natyrisht, nëse partitë opozitare veprojnë njëjtë siç vepruan në KQZ: abstenojnë në rast të votimit kundërshtues të deputetëve të LVV-së.
Jam shumë kureshtar t’i di arsyet e kësaj sjelljeje frikacake të partive opozitare (PDK, LDK e AAK) karshi veprimeve populiste të LVV-së në KQZ. Fjala frikacak mund t’i duket shumëkujt e rëndë porse është pikërisht ajo që e përshkruan më së miri pozicionimin asnjanës (abstenues) të opozitës karshi populizmit nacionalist të LVV-së. Kësisoj, veprimi i tyre politik tregon frikë dhe mungesë qartësie pozicionuese, e cila po u kushton dhe do t’u kushtojë me vota në zgjedhjet e radhës ngase tregon për nënshtrim ndaj narrativit të LVV-së. Kur veprimet politike ndikohen nga qasja populiste e një partie, atëherë kjo do të thotë se partitë opozitare janë pajtuar me pozicionin dominues të LVV-së në politikë. Nëse jo në përbërjen e kaluar të Kuvendit, atëherë partitë opozitare nuk është dashur të abstenojnë në KQZ me rastin e votimit për konfirmimin e rezultateve të Listës Serbe. Kjo për arsye se me këtë abstenim, ato e kanë përligjur veprimin kundërligjor dhe absurd të LVV-së.
Nëse Lista Serbe ka marrë pjesë në zgjedhje dhe e ka fituar hisen e saj të ulëseve nëpërmjet një procesi të votimit të pakontestuar, atëherë, thënë së buti, refuzimi i shumicës së KQZ-së për ta konfirmuar rezultatin zgjedhore të kësaj partie është populist dhe anti-shtetëror. E partitë opozitare që e quajnë veten shtetformuese i janë përkulur qasjes joshtetërore të LVV-së, duke i kontribuar kështu dëmtimit të shtetit, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Kjo, ngase Kosova do të paguajë çmim të shtrenjtë për këtë politikë që nuk është gjë tjetër vetëm përligjje e narrativit të Beogradit se komuniteti serb në Kosovë është i diskriminuar dhe forcim i Listës Serbe.
Kur një narrativë e tillë ushqehet, në mënyrën siç po e bëjnë partitë politike për asgjë tjetër pos për një grusht votash dhe nga frika e propagandës populiste të LVV-së, kërkesat e serbëve do të rriten dhe do të fitojnë mbështetje nga kancelaritë perëndimore, sepse Kosova do të shihet si pjesë e problemit.
Megjithëkëtë, se çka do të ndodhë në ditët dhe javët vijuese, mbetet të shihet. LVV-ja nuk po tregon entuziazëm aq të madh për të rimarrë timonin qeverisës në një mandat të ardhshëm katërvjeçar. Është e mundur që lideri i saj të synojë gjysmë milioni vota në zgjedhje të jashtëzakonshme këtë prill.
Në anën tjetër, partitë opozitare assesi të dalin nga kriza identitare e ta rigjejnë vetveten në konstelacionin e ri politik. Ato janë të intimiduara dhe nuk e kanë guximin e nevojshëm që t’i kundërvihen LVV-së në mënyrë parimore. Heshtazi ato janë pajtuar me dominimin dhe kontrollin e narrativit politik nga LVV-ja dhe nuk po arrijnë të bëjnë ofertë politike burimore. Partitë opozitare nuk po arrijnë të merren as me vetveten – një fakt i dhimbshëm por që tregon për mungesë të brendimit, lidershipit dhe vizionit politik.
Është kohë e paqartësive të mëdha – një paradoks ky – sepse një parti e gëzon mbështetjen e shumicës popullore. Sa më shumë që të shtyhet formimi i institucioneve, aq më tepër do të shtyhen edhe vendimet politike që askush nuk dëshiron t’i marrë. LVV-së nuk i ngutet ngase ky është viti i vendimeve jopopullore që bien ndesh me pozicionimin populist të liderit të saj. Kosova ose do të duhet t’i marrë vendimet e vështira, siç është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, riintegrimi i policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në veri, qoftë me ata që kanë dhënë dorëheqje apo me personel të ri, ose të përballet me izolimin në rritje nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA-ja, dhe rrjedhimisht me stagnim politik e socio-ekonomik. Për të dy skenarët, përgjegjësinë e vetme do ta ketë LVV-ja, e cila do ta ketë shumicën në Kuvend. E asnjëri prej këtyre skenarëve nuk i shkon për shtati liderit të saj. Këto janë dy rrugët e mundshme për Kosovën, ngase shteg të tretë nuk ka dhe as nuk mund të ketë.
Me politikën e deritanishme të LVV-së nuk do të mund të bëhet integrimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor të serbëve, që ofrohet nga Serbia, në kuadrin e sistemit të Kosovës.
Çfarëdo përpjekje që ky integrim të bëhet me masa administrative do të jetë e dështuar, sepse masat e dhunës administrative nuk do të pranohen as nga serbët, të cilët do të rezistojnë, dhe as që do të ketë mbështetje ndërkombëtare. Pa këtë mbështetje, integrimi do të jetë i pamundur. Në këtë kontekst, Kurtin e presin vendime të vështira, sepse ai e ka shpallur synimin për këtë integrim në disa raste porse nuk ka shpjeguar se si do të ndodhë. Ai është i vetëdijshëm se një integrim i tillë nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Për t’ia arritur këtij synimi duhet të merren një sërë vendimesh, siç është krijimi i Asociacionit e të tjerë, dhe të cilat do ta vënë atë përballë një dileme jetike: të vazhdojë të jetë ai lideri i pakompromis, i cili imazhin e tij prej politikani e ka ndërtuar sipas modelit të një stoiku që u bën rezistencë presioneve ndërkombëtare, apo të lëshojë pe dhe ta rrezikojë pozicionin e tij dominues në politikën kosovare të arritur sipas këtij modeli. Në anën tjetër, partitë opozitare nuk e kanë forcën ta luajnë rolin e korrigjuesit të veprimeve të LVV-së për arsye se nuk e kanë peshën e mjaftueshme, e as guximin politik që ta luajnë këtë rol. Për këtë arsye edhe nuk po i ngutet askujt.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, megjithëqë kanë dhënë një rezultat aq të qartë saqë më qartë nuk ka se ku të shkojë, nuk ia kanë dhënë udhën vendit. Asnjëra nga partitë politike, duke përfshirë LVV-në me 51-përqindëshin e saj, nuk është në gjendje që ta trasojë një shteg politik që do ta vendosë Kosovën në binarët e pragmatizmit e të stabilitetit dhe integrimit euro-atlantik që i sjell Kosovës edhe prospektin për zhvillim ekonomik e social. Prandaj, në mungesë të këtij shtegu po hyjmë në një udhë pa krye, ku punët merren me avashllëk.
Në këtë klimë avashllëku politik dhe mungese guximi, Kosova po humb kohë ani se për këtë nuk e ka luksin. Institucionet nuk formohen, vendimet shtyhen ndërsa përgjegjësia shpërndahet në heshtje, sikur të mos ishte askush i thirrur të mbajë barrën e udhëheqjes. Kur politika reduktohet në kalkulim elektoral të partisë dominuese dhe në frikë nga narrativi dominues i opozitës, atëherë shteti mbetet peng i status-quosë ndërsa shoqëria hyn në cikël pritjeje të pafund. Kjo është arsyeja pse sot nuk po i ngutet askujt: sepse marrja e përgjegjësisë, si në udhëheqje ashtu edhe në opozitë, kërkon vizion, kosto politike dhe gatishmëri për të dalë nga rehatia e avashllëkut – e këto, për momentin, duken se mungojnë.