Fitorja e së enjtes mbrëma të gjithëve na e zbukuroi ditën e premte – askujt nuk i ra ndërmend të fliste për politikën, partitë e lodhëta dhe lojërat e tyre të pafundme se a po zgjedhim kryetar apo po shkojmë në zgjedhje. Më në fund e patëm së paku një ditë të qetë për mendtë tona të dërrmuara dhe për iluzionin që di ta krijojë një sport, i të cilit, për një ditë, të gjithë bëhemi ekspertë. Pse jo, kur gjithkush mund të merret me politikë në këtë vend, pse të mos merremi ne të tjerët me futboll. Ne bile e dimë që dëm nuk mund të bëjmë
Është qershori i 1973-s.
Rrugët e Prishtinës, shtruar kryesisht me kalldrëm, e bartin barrën e atyre qindra veturave, qerreve me kuaj, “tamiqave”, e çfarëdo mjeti tjetër transporti që do ta kishte, mundësisht, edhe borinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKishte ditë që Prishtina jetonte në eufori. Në shprehje të një gëzimi të parakohshëm, thuajse puna tashmë është kryer, dhe se topi që do të rrokullisej fushës së gjelbër të të vetmit stadium “normal” që kishte Kosova ishte vetëm punë formaliteti.
Sikur po i përjetoj ato ditë tash teksa po shkruaj. Pluhuri që çohej nga trotuaret e pashtruara kombinuar me “tymin” e Obiliqit. Boritë më të zhurmshme ishin të kamionëve; pas tyre, ato të “ladave” e “moskviqave” e më pak të zhurmshme të “fiqave” e “1300-ve”. Flamujt bardhekaltër me bozhurin në mes, flamuj të kombeve e kombësive, e plot pankarta nëpër ballkonet e ndërtesave kolektive: “Prishtina në ligë të parë”.
E diel. Më duket se ndeshja luhej me fillim, në 15:00. Por stadiumi ishte mbushur ka nja tri-katër orë më herët. “Full” ishte – nuk kishte vend në tribuna, në veri e në jug, të gjithë qëndronin në këmbë. Edhe unë u gjeta aty. Ndieja se zemra do të më dilte prej vendit. Atëherë nuk e dija me gjasë, por edhe unë isha bërë pjesë e euforisë dhe bindjes se kjo ishte punë e kryer dhe se vetëm ishim mbledhur t’i festonim golat, për ta siguruar revanshin e pas një jave, pa siklet.
* * *
Gjatë do ta ndieja shijen e hidhur të një humbjeje që është dashur të kishte qenë fitore. Humbëm 2:1, madje e humbëm edhe një penallti nja pesë minuta para fundit të ndeshjes. E humbëm edhe lojën e dytë, 1:0, dhe mandej pritëm edhe një dekadë për ta parë Prishtinën në Ligën e Parë.
U fol. U fol shumë për dyshimet se loja ishte shitur nga disa lojtarë që në fund të sezonit ndërruan mjedis e shkuan në ekipe të tjera. Mund të ketë qenë e vërtetë, e mund të ketë qenë edhe një përpjekje për të gjetur arsyetimin për zhgënjimin e përjetuar. Se zhgënjimi qe masiv – duke nisur nga rreth 30 mijë tifozët në stadium, e më pas edhe gjysmën e Kosovës që kishte veshët ngjitur për transistorë në përcjellje të komentimit të ndeshjes në radio.
Zhgënjim që njëkohësisht qe mësim: euforia nuk të çon larg dhe kthimi me këmbë në tokë di të jetë shumë i dhimbshëm. Të ëndërrosh nuk bën keq, përderisa nuk e humb kontaktin me realitetin.
* * *
Të enjten mbrëma e përjetuam, gjithsesi, gëzimin më të madh pas një kohe të gjatë në të cilën nuk pamë gjë të mirë prej krizave, inflacionit dhe luftës së egove plot ambicie të sëmurë.
Ekipi kombëtar i futbollit e mundi Sllovakinë në Bratislavë, 3:4. Në një ndeshje ku Sllovakia nisej si favorite (mes 50 kombëtareve më të suksesshme në botë, e 44-ta në listën e FIFA-s), e ku Dardanët nuk u dorëzuan, ani që dy herë ishin në disavantazh.
Atë që ka bërë ky ekip gjatë këtyre kualifikimeve për Botërorin që luhet sivjet është, absolutisht, përtej parashikimeve, e sidomos pasi ciklin e nisi me një disfatë të rëndë në Zvicër. Dhe tash, në fillim të kësaj pranvere, janë një ndeshje larg Amerikës. Për të shkuar atje, duhet ta mundin ekipin e Turqisë, të 25-tin në rangimin botëror (Kosova, para ndeshjes me Sllovakinë ishte në vendin e 79-të).
Kosova do ta ketë përpara Goliatin – shtetin 85-milionësh (e me diasporë të madhe), me ligë të fortë vendase dhe me shumë lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha evropiane si titullarë. Plus, me përvojën e pjesëmarrjes në kampionate evropiane e botërore dhe madje medaljen e bronztë në botërorin e 2002-tës. Nejse, kjo punë moti, por megjithatë...
Kjo do të jetë ndeshja e katërt që do ta luajnë, dhe, rastësia e do, të jetë e treta kualifikuese për një botëror. E nuk qe rastësi, por dëshirë e madhe për ta përkrahur një ekip që po krijohej, që i pata përcjellë që të tri ndeshjet në të cilat pësuam humbje; i morëm 12 gola e i dhamë vetëm 2.
Herën e parë në Mitrovicë, më 2014-n, posa ishte marrë leja nga FIFA për ndeshje ndërkombëtare, Turqia na mundi 6:1; më pas në 2016-n na mundën në Antalia me 2:0 në një atmosferë rrëqethëse – aty ku tifozët turq ishin trajnuar se kur duhej kënduar, kur brohoritur e kur valuar flamujt. Ne pak qindra që ishim nisur nga Prishtina, zor se mund të dëgjoheshim përtej shkallës së dytë të tribunave.
Ndeshja e fundit u luajt në Shkodër, më 2017, se Kosova nuk kishte stadium që i plotësonte standardet ndërkombëtare – edhe aty na mundën, 4:1. Por, po në atë ndeshje, doli në sipërfaqe Amir Rrahmani – e barazoi rezultatin e na e dha një frymëz gëzimi për disa minuta. Dhe me atë ndeshje mbaroi edhe epoka e Albert Bunjakit në krye të kombëtares.
Ai mund të mos ketë ditur shumë për taktika, por ka bërë punë kolosale për t’i bindur talentet që luanin në Evropë, që të bëheshin pjesë e ekipit përfaqësues.
* * *
Kanë kaluar gati 9 vjet që nga ballafaqimi i fundit.
Nëntë vjet janë të gjatë dhe shumë domethënës për ndërtimin dhe pasurimin e përfaqësueses, e cila përherë e më pak ka telashe për të tërhequr lojtarë cilësorë në ekip. Pas shkuarjes së Bunjakit, erdhi Bernard Challandes, i cili e krijoi një stil loje; shkoi pas tre vjetësh e sa, dhe u zëvendësua nga dështimi total i quajtur Alain Giresse – dëshmia se jo gjithmonë një lojtar i jashtëzakonshëm mund të bëhet edhe trajner i mirë. Gliha e zëvendësoi këtë disa muaj dhe më në fund erdhi Franco Foda.
Në dy vjetët e fundit, Foda ia ka dalë të sjellë disiplinë dhe t’i japë shpirt ekipit. Lojtarëve ua ka dhënë vetëbesimin dhe ia ka dalë t’i bindë se nuk duhet dorëzuar, pavarësisht të gjithave. Nga Dardanët ka bërë një ekip luftarak, që edhe po të humbë, do të dalë nga terreni me kokën lart.
Foda bashkë me ekipin na kanë dhënë një mundësi për të ëndërruar – se një shtet i vogël si yni, me gjithë telashet që i ka, e që ia krijon vetes falë një gjenerate të tërë politikanësh të papërgjegjshëm e egoistë, mund të mbërrijë të luajë në ngjarjen më të madhe të futbollit botëror. E kanë krijuar situatën hipotetike se kualifikimi i mundshëm do të ishte forma më e efektshme për të dëshmuar se nuk jemi as shtet e as popull imagjinar dhe se pavarësisht se na thotë “të ashtuquajtur”, jemi njerëz që frymojmë, e që edhe dimë të hidhërohemi, por edhe të gëzohemi.
Fitorja e së enjtes mbrëma të gjithëve na e zbukuroi ditën e premte – askujt nuk i ra ndërmend të fliste për politikën, partitë e lodhëta dhe lojërat e tyre të pafundme se a po zgjedhim kryetar apo po shkojmë në zgjedhje. Më në fund e patëm së paku një ditë të qetë për mendtë tona të dërrmuara dhe për iluzionin që di ta krijojë një sport, i të cilit, për një ditë, të gjithë bëhemi ekspertë. Pse jo, kur gjithkush mund të merret me politikë në këtë vend, pse të mos merremi ne të tjerët me futboll. Ne bile e dimë që dëm nuk mund të bëjmë.
* * *
Nuk po e ndiej euforinë e para 50 vjetësh.
Shumëçka në Prishtinë ka ndryshuar – zhurma është pak më ndryshe, vetura ka më shumë sesa ka rrugë e trotuare, pankartat i kanë zëvendësuar rrjetet sociale. Vetëm “tymi” i Obiliqit vazhdon të jetë i njëjti... apo është më i dendur... s’po di...
Por, ndihet njëfarë shprese disi e kontrolluar se dëshira do të na plotësohet dhe se të martën, më në fund, Kosova do ta mund Turqinë favorite. E sidomos, meqë nga Lindja tashmë po vijnë deklaratat përçmuese për Piratin me shokë. S’kishte pasur lezet më të madh...
Kësaj radhe, ndeshjen nuk do ta shikoj në stadium, se ndonjëherë më ka shkuar nëpër mendje se mos prania ime në tribuna ka mundur t’i sillte ters Kosovës 😊. Pra, për çdo rast, po mjaftohem ta dëgjoj atmosferën nga stadiumi, në pritje të një piskame masive sa herë Kosova të shënojë.
Bukur do të ishte që një fitore eventuale ta sillte edhe fundin e krizës politike në vend dhe kthjellimin e klasës aktuale politike.
Por, po shkeli me këmbë në tokë. Më parë ndodh e para se e dyta!