Nëse nuk arrihet një zgjidhje e çastit të fundit deri të martën e ardhshme do të vazhdojmë të dëgjojmë akuza të ndërsjella për fajësinë… e sinqerisht jemi lodhur të gjithë me lojërat e pafundme të politikanëve narcisoidë që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre real apo imagjinar, e që nuk mërziten fare se pse gjërat na shkojnë ters, kur absolutisht nuk ka nevojë për edhe hala ngatërresa që nuk çojnë askund
Pas gjykimit të Dardan Krivaqës për vrasjen mizore të Marigona Osmanit, ky i muajve të fundit - gjykimi i Naim Murselit për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ua kaloi të gjithëve sa i përket interesimit të mediumeve dhe të opinionit publik për rastin.
Nuk është larg mendsh që pikërisht për shkak të kësaj, gjykimi përfundoi me dënimin me burgim të përjetshëm për Murselin dhe bashkëkryerësin e tij Plava. I treti i përfshirë në këtë vrasje makabre, Kokalla, dënua më 30 vjet burgim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo* * *
Ky aktgjykim, natyrisht, është i shkallës së parë - pra duhet pritur që edhe Gjykata e Apelit të vendosë në bazë të ankesave eventuale, dhe më pas edhe Supremja kur do të mund të parashtrohej kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Sido që të jetë - dënimi, duke pasur parasysh vërtetimin e fakteve, është më se i merituar.
Pra, një skenar si i ndonjë “filmi krimi” që me vite kemi pasur rastin t’i shikojmë në kinema a televizor, u realizua në mes të Sinidollit, në mes të natës, në pikë të territ, e që megjithatë nuk mundi t’iu ikte kamerave vëzhguese…
Kishte edhe disa kamera të tjera që i zunë plot lëvizje të, tash, të dënuarve - dhe që ua mundësuan hetuesve që të mblidhnin fakte të mjaftueshme për të vërtetuar se vrasja është kryer, si dhe që ekzekutimi ndodhi për motive të ulëta.
Përpjekja për t’u shpallur psikikisht jo stabil, ashtu që të arsyetohej vrasja e një nëne në prani të fëmijëve të vet, nuk i funksionoi Naim Murselit. Për shkak se plani ka pasur shumë detaje të elaboruara mirë - që nuk mund të hyjnë në domenin e reagimit në afekt.
* * *
Do të mund të vlerësohej se epilogu në shkallë të parë në këtë rast ka qenë i drejtë dhe i merituar.
Për fat të keq, e njëjta nuk do të mund të thuhej për edhe së paku një gjysmë duzine rastesh që përfunduan me fatalitet. Kjo edhe për shkak se ato raste nuk e patën mbulueshmërinë mediale sikur ky rast dhe nuk e patën edhe presionin publik të këtij intensiteti.
Dhe, natyrisht, kjo flet keq për sistemin gjyqësor - si hallkën që ka dështuar që të vendosë një standard që do të duhej respektuar në të gjitha rastet e përmasave të ngjashme.
Por, dështimi i këtillë do të ishte thjeshtëzim i gjithë fenomenit - ngase gjyqësia në këtë rast është vetëm njëra nga hallkat. Problemi i dhunës mbi baza gjinore, burimin e ka te familja, kombinuar me arsimin, e më vonë edhe me interpretimin dhe arsyetimin që ua bën shoqëria shkaqeve të vetë dhunës.
Është problem shumë më kompleks e shumë më i thellë, që nuk mund as të amortizohet, edhe për shkak se kjo shoqëri nuk është në gjendje të merret as me pasojat. Sepse edhe pas gati tri dekadash nuk kemi parë ndonjë përpjekje serioze për ta ndërtuar një sistem të qëndrueshëm strehimi e mbrojtjeje për viktimat e dhunës. E gjitha pak a shumë reduktohet në improvizime.
* * *
Psenë e kësaj qasjeje do të mund ta gjenim ngado në shoqëri si pjesë e një mendësie dominuese. Dhe nuk duhet shkuar shumë larg në kërkimin e shembujve më reprezentativë - mjafton t’i kthesh sytë nga Kuvendi.
Gjatë javës patëm rastin ta dëgjojmë përfaqësuesin e brezit të dytë të Gecëve që zënë kolltuk në Kuvendin e Kosovës. Pas një fjalimi fort të kritikuar, u zu në këmbim fjalësh me Vlora Çitakun, dhe u dëgjua duke thënë: “I ke bâ 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”.
Bëra kërkim në internet për të kuptuar më shumë për deputetin dhe e gjeta një faqe në wikipedia ku identifikohet si: “Doktor shkence dhe politikan i njohur në Kosovë”.
Biografia, sikurse edhe titulli, vlon me gabime gjuhësore - pra kushdo që e ka shkruar do të duhej të dinte se nuk ka antipropagandë më të madhe sesa kjo: të përmendësh përgatitje sipërore akademike ndërkohë që niveli i të shkruarit mbetet në rangun e nxënies në shkollë fillore.
Nga dikush që është orientuar në shkencë e që ende nuk i ka mbushur 40 vjet do të prisja debat, madje edhe fjalosje, të një niveli më të lartë intelektual.
Do të prisja daljen nga korniza primitive e matjes së suksesit dhe të mirësisë së dikujt në jetë me ndryshimin ose jo të statusit civil sipas parametrave imagjinarë të përcaktuar nga ata që mendojnë se gratë nuk mund të mendojnë dhe të vendosin për vete.
Do t’i gëzohesha një emancipimi të brezit të deputetit, i cili tash njëmend mund të thotë se është “politikan i njohur”, por përfundimisht jo për ndonjë ide iluminuese. Por ja që gëzimit, si përherë, vendin ia zë dëshpërimi.
* * *
Shembulli i këtij deputeti më së miri e përshkruan gjendjen në të cilën është shoqëria kosovare, sidomos në sferën e politikës - në improvizim të përhershëm.
Momentalisht atë çka shohim në Kuvend është një grumbull njerëzish që nuk e dimë se as me çfarë meritash ia dolën të zgjidheshin deputetë - pra njerëz që duhen vendosur për neve.
Apo edhe njerëz që, pavarësisht faktit se duhen vendosur në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të shtetit, i nënshtrohen diktatit të liderëve partiakë që nuk shohin përtej hundëve të tyre.
Po hyjmë në finalen e përcaktuar nga Kushtetuesja për zgjedhjen e kryetarit të shtetit dhe siç duken punët në çastin kur po shkruhet kjo kolumne, jemi nisur kah zgjedhjet e treta parlamentare në 15 muajt e fundit.
E pse?
Veç për shkak se ashtu kanë vendosur liderët e partive politike.
Veç për shkak se të gjithë janë barrikaduar tek argumentet e fëmijëve të moshës së çerdheve - “unë po du”, pavarësisht çfarëdo arsyetimi logjik që e kundërshton qejfin individual.
* * *
Përshpejtimi i procedurave për miratimin e disa ligjeve me peshë po tregon se pushteti është i gatshëm të shkojë në zgjedhje, ani pse shumë lehtë mund ta gjejë zgjidhjen për ta hequr kandidaturën e Glauk Konjufcës nga rendi i ditës - mund ta paraqesë një emër “neutral” dhe ta hedhë topin në fushën e opozitës.
Opozita nga ana tjetër, e bërë pikë e pesë, dhe me një bagazh qeverish të komprometuara në të kaluarën, vazhdon të qëndrojë e shpërndarë duke bërë kalkulime se në zgjedhjet e reja eventuale do të mund ta kthente balancën nga vetja.
Por objektivisht, edhe pa ndonjë analizë më të thelluar, është vështirë e pritshme që numrat mund të ndryshojnë shumë - por mjaftueshëm për të na futur në krizë të re politike menjëherë pas mbajtjes eventuale të tyre.
Dhe, nëse nuk arrihet një zgjidhje e çastit të fundit, deri të martën e ardhshme do të vazhdojmë të dëgjojmë akuza të ndërsjella për fajësinë… e sinqerisht jemi lodhur të gjithë me lojërat e pafundme të politikanëve narcisoidë që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre real apo imagjinar, e që nuk mërziten fare se pse gjërat na shkojnë ters, kur absolutisht nuk ka nevojë për edhe hala ngatërresa që nuk çojnë askund.
* * *
Ka kohë që kam humbur nervat për t’i përcjellë ngjarjet në Kuvend dhe të institucioneve të tjera, ngase nuk e shoh se si mund t’i marr seriozisht njerëzit që pajtohen me faktin se mund të shkojmë në zgjedhje edhe çdo tre muaj, po qe se procedurat kushtetuese nuk arrijnë të përmbushen.
Para disa vitesh fort u pata hidhëruar me një deklaratë të Liburn Aliut, që e pati quajtur Kosovën “shtet të përkohshëm”.
Kjo që kemi qe një vit e gjysmë është edhe më keq: është improvizim.