Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Pirati

Kalimi i Muriqit te Barça do të ishte i mirë për shumë arsye – një kosovar i bërë yll në një shtet që nuk na njeh; në një ekip të madh dhe në një klub të një rajoni të jashtëzakonshëm për nga fuqia ekonomike, turizmi dhe veprat e patejkalueshme të arkitektit katalanas, Antoni Gaudí. Ndoshta e tëra reduktohet në thashetheme e aspirata që mund edhe të mos realizohen, porse fundja, të ëndërrosh, nuk kushton gjë

Kur u luajt ndeshja Kosovë-Turqi, në mesin e shumë njerëzve që kishin ardhur për ta përcjellë ndeshjen, kishte qenë edhe bloggeri, a çka me i thënë “tipit” që është “admini” i faqes së ekipit të futbollit Mallorca të Spanjës.

Me telefon në dorë, e bëri një paraqitje nga stadiumi para se të niste ndeshja. Kishte ardhur në përkrahje të Piratit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rrëfimin për ndeshjen tashmë e dimë... na mbeti shija shumë e hidhur, e tash mbas sa javësh, e besoj se mund ta përsëris: nuk e kemi merituar disfatën. Po shnosh tash.

* * *

Ekipi i futbollit Mallorca, që në fakt quhet Real Club Deportivo Mallorca (pra, edhe një në vargun e ekipeve mbretërore, lojtarët e të cilit quhen “piratë” – shumë mbretërore, pa dyshim 😊) u themelua më 1916.

Ndeshjen e parë e luajti në fushën e vet të quajtur Buenos Aires – kundër Barcelonës (që u themelua më 1899) dhe humbi 8:0.

Pra, qe 110 vjet një ishull ka klub të futbollit, që megjithatë nuk është veçuar për një histori të bujshme suksesesh. Kryesisht ka qëndruar në ligën e dytë, me ngritje e rënie, herë në këtë ligë, e herë në atë tjetrën, porse përherë, së paku mua, më ka ngjallur njëfarë simpatie: një për shkak se është megjithatë ekip i vogël; për shkak se fanellat i ka të kuqe e shorcet e zeza; për shkak se trajnerin më të mirë e ka pasur një argjentinas (edhe tash aktualisht e ka argjentinas – që erdhi për ta shpëtuar nga rënia prej ligës) dhe për shkak se në të dikur kishte luajtur Samuel Eto’o.

Eto’o i lindur në Kamerun, kishte qenë junior i Real Madridit nja tre vjet – dhe nuk ditën t’ia zbulojnë vlerën. Nja tre vjet të tjerë u end nëpër ekipe të ndryshme dhe më në fund u rehatua në Mallorca: për katër sezone sa qëndroi aty, u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Dhe, u tregua aq i mirë, sa mandej e bleu Barcelona.

Edhe në Barcelonë shkroi histori – me ekipin i fitoi dy kupa kampioni Evrope dhe në të dyja finalet shënoi gol. Do ta fitonte edhe një kupë, por tash me Interin... por për këtë muhabet, ndonjëherë tjetër.

* * *

Një lojtar tjetër, 13 vjet më i ri se Eto’o, e nisi futbollin në ma t’bukrin vend, në Prizren. Pra kush e njeh atë që zor mund ta quajmë stadium normal të futbollit, e di se tribunat i janë shtuar fushës vetëm para disa vjetësh... diçka si fusha ku është stërvitur edhe Eto’o para se të vinte në Spanjë.

Vedat Muriqi shkoi matanë kufirit... luajti një sezon për dy ekipe (Teuta e huazoi në Kavajë) dhe prej aty shkoi në Turqi. Luajti në dy ekipe me seli andej kah Deti i Zi, një në Ankara dhe më në fund kaloi te një ekip i madh të Stambollit – n’Fener (pra Fenerbahçe, se hem fanar e hem kopsht 😊) – ku e luajti një sezon. Por të mjaftueshëm që të ngjallte interesimin e ekipeve italiane, e sidomos pas paraqitjeve shumë të mira në kombëtare.

Shkoi në Lazio, më duket nja një sezon e gjysmë, dhe e huazuan te Mallorca. Për të, futbolli italian nuk qe fort i përshtatshëm, dhe me jo fort mundësi për ta dëshmuar talentin e tij.

Kur shkoi në ishull, figurativisht rilindi. Në atë gjysmë sezonin e parë, e ndihmoi ekipin që të mos binte në ligë të dytë.

Në vitet vijuese ishte konsistent derisa nuk u lëndua. Mori kohë deri sa e mori veten dhe derisa u rizbulua – në sezonin 2025/2026, me edhe shtatë ndeshje të mbetura deri në fund të kampionatit, i ka shënuar 21 gola. E çka është më me rëndësi, e theu rekordin që prej 2004-s e mbante Eto’o – të golave të shënuar për Mallorcan në kampionate. Me shumë gjasa që atë numër ta rrisë edhe për një gjysmë duzine nëse ia del të shënojë bile në gjashtë ndeshje.

* * *

Nëse e vizitoni ndonjëherë faqen e Mallorcas në FB, nuk do të ketë mundësi as teorike që t’ju ikë ndonjë postim për Piratin. Dhe nuk është se “admini” i faqes ia bën me të njohshëm – po shihet nga reagimi i publikut, bashkëlojtarëve dhe vetë ekipit se Muriqin e duan shumë dhe kanë respekt të madh për të.

E duket se dashuria për të u rrit edhe më shumë me golin e sekondës së fundit kundër Real Madridit (kjo për qejf timin 😊), pas të cilit shpërtheu në lot përderisa Johan Mojica i thoshte kamerës: “për Kosovën, për Kosovën”. Arsye për vaj pati – siç edhe mund të paramendohet, asnjëri nga na nuk mund të ndiheshim më të dëshpëruar për humbjen nga Turqia sesa vetë lojtarët. E sidomos ata që kanë qenë përherë nën presionin më të madhin, pa asnjë masë, nga publiku euforik. E ani që goli kundër Realit nuk mund ta zëvendësojë atë të munguarin në “Fadil Vokrri”, megjithatë doli të jetë melhem për të. E, edhe për barcelonistët natyrisht.

* * *

Në kohën kur Eto’o kishte kaluar në Barcelonë, kishte qenë 23 vjeç. Dhe pati fatin e jashtëzakonshëm të luante me yje të kalibrit të Ronaldinhos, Henrys, e Messit.

Për Piratin nuk dihet po qe se do të kalojë në Barcelonë – sepse që nga pardje filloi të flitej me të madhe se Muriqi po vëzhgohej prej së afërmi. Pirati ka kontratë deri më 2029-tën dhe një klauzolë lirimi prej 40 milionë eurosh që Barcelonës i konvenon për shkak të telasheve financiare më të cilin ballafaqohet qe disa vjet.

Do të ishte fantastike po qe se kjo do të ndodhte, gjë e cila varet nga dy palët: Barça dhe vetë Muriqi, i cili mund edhe të mos dojë të shkojë në Barcelonë, mbase edhe nga frika se do të mund të mbeste në plan të dytë.

Por duke e parë se Barcelonës i mungon një 9-sh klasik (që nuk bie në tokë sa herë që dikush “e ledhaton” me ndonjë shuplakë a bërryl), Muriqi është sulmues i lindur. Është gati dy metra i gjatë, kërcen lart dhe ka goditje të fuqishme koke. Shuton me të dyja këmbët dhe është i jashtëzakonshëm në lojë pa top. Mu një kësi i duhet Barçës.

Kur Lewandowski erdhi në Barcelonë ishte 34 vjeç dhe i ka shënuar mbi 80 gola. Po e imagjinoj Muriqin, në pjekurinë e tij profesionale me 32 vjet moshë, në krye të sulmit me gjithë ata asistues potencialë që mund t’i ketë në Barça. Bile edhe numrin 7 mund t’ia rezervojnë kur të largohet Ferrani.

Do të ishte mirë për shumë arsye – një kosovar i bërë yll në një shtet që nuk na njeh; në një ekip të madh dhe në një klub të një rajoni të jashtëzakonshëm për nga fuqia ekonomike, turizmi dhe veprat e patejkalueshme të arkitektit katalanas, Antoni Gaudí.

Ndoshta e tëra reduktohet në thashetheme e aspirata që mund edhe të mos realizohen, porse fundja, të ëndërrosh, nuk kushton gjë.

* * *

Kjo kolumne, qëllimisht, sot iu kushtua Vedat Muriqit – një njeriu që i hapi rrugë vetes dhe arriti të bëhet idhulli i një ishulli dhe lojtari që i kaploi krejt ballinat e gazetave spanjolle si dhe kryetitujt sportivë në televizionin publik të Spanjës gjatë gjithë javës së shkuar.

Se sa i madh ishte efekti i asaj që kishte arritur e dëshmoi edhe befasia që ia kishte përgatitur vetë Eto’o (tash kryetar i Federatës së Futbollit të Kamerunit) i cili nëpërmjet një videolidhjeje, ia uronte thyerjen e rekordit. Bukur.

Njëmend bukur. Pa politikë. Pa inate e pa ironi. Veç emocion.

[email protected]