Rusia prodhoi modelin e suksesshëm të sfidimit të demokracisë duke mbjellë përçarje në medie sociale. Kosova dhe shqiptarët kanë rënë pre e këtij modeli
1.
Ekziston një ritual i pashkruar për mua, që çdoherë kur të rritet temperatura politike në Kosovë shumëzohen në Facebook postimet kundër meje. Dikur, para disa vjetësh, kishin një dozë më të madhe primitivizmi; nxirrej fotografia e Ramush Haradinajt apo Hashim Thaçit dhe citoheshin gjoja fjalët e mia për ta, zakonisht me përsëritjen e varianteve të ndryshme të fjalës “çoban”. Asokohe dilnin me adresa që tingëllonin si “kosovaime”, “kreshnikët e Kosovës” a të ngjashme, adresa që pas disa dite shuheshin si të mos kishin ekzistuar ndonjëherë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë dy javët e fundit janë shtuar postimet ku citohen librat. Në njërin, George Aligiah citohet nga libri i tij “A home from home” të ketë thënë: “Kur e takova Surroin në vitin 1998, më fliste më shumë kundër fshatarëve shqiptarë sesa kundër regjimit të Millosheviqit. Po atë ditë e takova Thaçin në malet e Zatriqit, ku për pak i shpëtoi një sulmi serb. Thaçi më tha se liria, dhe jo jeta, ka rëndësi për mua”.
Në tjetrin Madeleine Albright, në librin e saj “Hell and other destinations” citohet të ketë shkruar në faqen 241: “ Thaçi nuk ka nënshkruar derisa unë ia ka dhënë garancitë për pavarësi. Regjimi i Millosheviqit dhe Veton Surroi kanë insistuar në autonomi. Thaçi rezistoi dhe në fund e mori atë që donte: lirinë dhe pavarësinë”.
Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Asnjëherë nuk i kam quajtur as në publik e as privatisht Thaçin dhe Haradinajn me ndonjë emër që mund të ishte a konsiderohej denigrues. G. Aligiah dhe M.Albright as edhe një herë nuk na përmendin në librat e tyre “A home from home” dhe “Hell and other destinations”. Të gjitha, pra janë, rrena.
2.
Rrena nuk i ka këmbët e shkurtra, siç na mësonte abetarja. Plasuesit e saj mund të jenë të vetëdijshëm se është relativisht lehtë sot të gjesh që në librin e Alagiah dhe asaj të z.Albright nuk janë thënë fjalët që citohen. Por, demantimi i këtyre gënjeshtrave nuk mund të arrijë të tejkalojë shpejtësinë tashmë të mbërritur të informatës së shpërndarë të postimeve të rishpërndara në Facebook.
Rituali im i pashkruar - situata e nxehtë politike paralajmëron eskalim të sulmeve me “fake news” në Facebook - nuk është imi. Një shëti nëpër rrjete sociale do të evidentojë se si Shkëlzen Gashi apo Enver Robelli- njëri për ekspozitën për masakrat, tjetri për angazhim që strumbullari i jetës sociale të shqiptarëve në Zvicër të mos bëhet xhamia-bëhen objekt shfryrjeje fyerjesh dhe sharjesh e aspak shpjegim racional pse Gashi apo Robelli mund të mos kenë të drejtë në qëndrimet e tyre.
Një vazhdim i shëtisë do të tregojë pozicionime të skajshme, gjithnjë të përcjella nga sharja për pothuajse çdo personalitet publik, të gjallë a vdekur, për çdo krahinë të Kosovës a shqiptarisë, për çdo konfesion religjioz, për çdo parti politike.
Dhe këtu nuk përfundon. Ky është fenomen botëror.
Shteti i parë që u mor seriozisht me këtë fenomen botëror ishte SHBA-ja. Komiteti për inteligjencë i Senatit amerikan angazhoi një ekip hulumtuesish të Universitetit të Oksfordit për të analizuar veprimtarinë e Rusisë kundër SHBA-së nëpërmjet rrjeteve sociale. Raporti i vitit 2019 identifikon një institucion rus të quajtur IRA, Agjencinë e Hulumtimit të Internetit, si organizatën e cila zhvilloi një fushatë të jashtëzakonshme kundër demokracisë amerikane.
Në raport thuhet se midis viteve 2013 dhe 2018, fushatat e Internet Research Agency (IRA) në Facebook, Instagram dhe Twitter arritën te dhjetëra miliona përdorues në Shtetet e Bashkuara. Mbi 30 milionë përdorues, midis viteve 2015 dhe 2017, ndanë postimet e IRA-së në Facebook dhe Instagram me miqtë dhe familjen e tyre, duke i pëlqyer, reaguar dhe komentuar gjatë procesit. Kulmet e reklamimit dhe të aktivitetit organik shpesh përkojnë me data të rëndësishme në kalendarin politik amerikan, kriza dhe ngjarje ndërkombëtare dhe aktiviteti më i gjerë i IRA-së është në postimet organike, jo në reklama.
Aktivitetet e IRA-së nga Rusia u projektuan për të polarizuar publikun amerikan dhe për të ndërhyrë në zgjedhje duke bërë fushatë që votuesit afrikano-amerikanë të bojkotonin zgjedhjet ose të ndiqnin procedura të gabuara votimi në vitin 2016, dhe më së fundmi që votuesit meksikano-amerikanë dhe hispanikë të mos u besonin institucioneve amerikane. Ato po ashtu inkurajuan votuesit e ekstremit të djathtë të bëheshin më konfrontues dhe shpërndanin lajme sensacionaliste, konspirative dhe forma të tjera të “junk news” politike dhe dezinformimit te votuesit në të gjithë spektrin politik.
SHBA-ja, prejse mbaj mend sferën publike në këtë vend, kurrë nuk ishte më e polarizuar se në ato vite dhe ky nivel i polarizimit nuk ka zbritur. Përkundrazi.
3.
Është lehtë të kuptohet modeli i Kosovës me analizën e Senatit amerikan. Zëvendëso vijat ndarëse të shoqërisë amerikane (zezakët, hispanikët, e djathta e skajshme) me vijat ndarëse në shoqërinë kosovare apo çfarëdo shoqëri tjetër (në baza religjioze, regjionale etj.) dhe do të fitohet efekti i njëjtë i veprimit nxitës të polarizimeve. Madje, Rusia shkoi edhe më larg se interneti. Para disa javësh, e në kulmin e krizës në Lindje të Mesme, Shërbimi sekret rus dërgoi njëmbëdhjetë qytetarë të Serbisë për të vendosur koka derrash para xhamive të Parisit e për të hedhur ngjyrë të gjelbër mbi sinagogat e Francës. Pra, nxitja e polarizimit në çfarëdo vije që konsiderohet ndarëse në shoqëri.
Në mendjen time, shenjat e gishtërinjve të Rusisë ishin evidente kur, paralelisht me veprimin e IRA në Amerikë, krijoheshin adresa si “kosovaime” dhe vendoseshin gjoja sulmet e mia kundër Haradinajt e Thaçit. Këto adresa zhdukeshin brenda disa ditësh dhe lindnin të reja të ngjashme. Prapa ishte një organizatë profesionale.
Dhe ky moment përkon me ardhjen e Putinit në pushtet, sipas profesorit Jacob Mchangama i Universitetit Vanderbilt. Putini ishte i brengosur me rrezikun që mund të sillte për pushtetin e tij liria e shprehjes që erdhi me internet. Por, “papritur, liria e shprehjes nuk shihet më si një avantazh konkurrues i demokracive ndaj homologëve të tyre autoritarë, por si një “kalë Troje” që u lejon armiqve të demokracive, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, të gërryejnë themelet e demokracisë”.
Kështu lindi projekti IRA.
4.
Por, a mund të fajësojmë për çdo gjë Rusinë e gjithëfuqishme? A është fabrika e trollëve e Santk Peterburgut, prej nga Rusia udhëheq me sukses luftën e madhe në rrjete sociale kundër demokracisë si koncept, përgjegjëse për çdo postim në Facebook që merret me njërën apo tjetrën çështje në Kosovë (Ballkan, Evropë, botë)?
Natyrisht që jo. Këta që gjoja citojnë z.Alagiah apo z.Albright nuk fshihen fare pas emrave si “kosovaime” që zhduken pas 24 orësh; janë të vetidentifikuar si “Diaspora me PDK-në”. Pra, nuk mund të them se janë në Sankt Peterburg.
E megjithatë, Rusia prodhoi në shekullin XXI modelin e suksesshëm të nxitjes së përçarjes në medie sociale. Nuk ka nevojë të veprojë IRA, mjafton të përdoret modeli i IRA.
Ndërkaq, në shekullin XX, Vladimir Iliq Lenini thuhet të ketë krijuar modelin e “полезный идиот”, të “idiotit të dobishëm”. Ky model u atribuohej zakonisht perëndimorëve dashamirës të cilët me veprimet e tyre (shkrime, fjalime etj.) promovonin pa dashje qëllimet e bolshevikëve e të Bashkimit Sovjetik.
Sot në Kosovë e në sferën e internetit të Kosovës janë në skenë kombinimi i të dy prodhimeve ruse. Janë lehtë të hetueshëm: aty ku ka shfryrje urrejtjeje, aty janë ata.