Kronikë

Tre të arrestuar për narkotikë në dy raste të ndara

Foto: Policia e Kosovës

Foto: Policia e Kosovës

Të paktën tre persona janë arrestuar nën dyshimin se janë përfshirë në vepra penale të narkotikëve, ka njoftuar të premten Policia.

Arrestimi i tyre ka ndodhur gjatë operacioneve policore të zhvilluara në rajonin e Prizrenit, të Gjakovës dhe të Pejës.

“Si prova materiale gjatë këtij operacioni janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: Disa qese plastike me substancë narkotike të dyshuar të llojit Kokainë (me peshë të përgjithshme 487.96 gram) Dy peshore elektronike, tre foli plastike, një role alumini, dy shirita ngjitës/izolir, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike e llojit Marihuanë me peshë 0.95 gram, tre telefona mobil,  një armë zjarri (pistoletë) me 49 fishekë, një veturë me targa vendore”, thuhet në njoftim. 

Më tej bëhet e ditur se një prej të dyshuarve në këtë rast ndodhet në arrati, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe pas intervistimit, me vendim mbi ndalim nga prokurori i shtetit janë ndaluar për 48 orë.

Nga rasti i dytë, i raportuar se ka ndodhur në Pejë, një person me veturë është ndaluar gjatë një kontrolli rutinor, ku i janë gjetur tri cigare të mbështjella me marihuanë në peshë prej 2.3 gramësh.

“Në konsultim me prokurorin është kontrolluar edhe banesa e të dyshuarit të lartcekur në prani të avokatit të tij, ku gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur: Një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit Marihuanë në peshë prej 28.01 gram, një grinder për përgatitje/bluarje të mariahunës, 16 fara të llojit Kanabis Sativa, dy gota qelqi me një lëngë që dyshohet të jetë i llojit Kanabis Sativa me peshë rreth 50ml secila prej tyre, nëntë vazo të vogla të dyshuara si të mbjella me fara të Kanabis Sativa dhe të holla në vlerë prej 34.752 Euro”, thuhet në njoftim. 

Lidhur me rastin, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kujdestar është lëshuar vendim mbi ndalimin në afat prej 48 orësh.