Kulturë

Adelina Ismaili: Me muzikë kam qenë në luftë për liri, arti duhet të ketë kauzë

“Në fillet e mia kam qenë në luftë me pushtetin okupues të kohës, pastaj në luftë me patriarkatin, në luftë për të drejtat e grave, për të drejtat e LGBT”, ka rrëfyer Adelina Ismaili. Sipas saj, artistët e rinj janë në trysni të globalizmit, por ata duhet të jenë vetvetja e të kenë kauzë

Adelina Ismaili zuri qendrën e vëmendjes në “Prishtina Music Conference”, duke ndarë kështu rrugëtimin e saj muzikor përmes aktivizmit të saj dhe karakterit të pakompromis që ka ndërtuar në 37 vjet karrierë. Ky diskutim i ofroi vëmendje rolit të saj thelbësor si “Zëri i rezistencës”

Ismaili është e njohur për ekspresivitetin e saj dhe instrumentalizimin e artit, në këtë rast muzikës si medium me të cilin ajo ka ngritur çështje rreth të drejtave të njeriut. Në kuadër të Konferencës, Ismaili është paraqitur në “Një bisedë me zërin e rezistencës”. Ishte një diskutim i pazakontë të cilin publiku është mësuar ta dëgjojë. Dhe krejt kjo, në një atmosferë gati intime.

Gjatë këtij diskutimi, Adelina ndau me publikun e pranishëm përvojat e saj dhe rrugën nëpër të cilën ka kaluar ajo si artiste në Kosovë duke e filluar kështu diskutimin e drejtuar nga gazetarja Donika Hyseni me një video kolazh i cili paraqiste pikat shënjuese në karrierën e Ismailit. Nga paraqitjet e saj të para si fëmijë në festivalin “Akordet e Kosovës” me “Tavolina e gjorë”, e cila paraqiste një përditshmëri të mbushur me vështirësi të një familjeje kosovare në vitet ‘80, pastaj me këngët si “Amaneti” e “Sajzeza”, “Largohu ti nga frajeri im” e të tjera të cilat shërbejnë si pasqyrë e rritjes artistike të saj, por dhe laramanisë së rrymave muzikore e temave qe ajo ka zgjedhur të trajtojë gjatë karrierës së saj. Përgjatë këtij kolazhi, publiku nuk ngurronte të shprehte emocionet duke duartrokitur kështu për hitet e saja e shpeshherë dhe duke kënduar këngët të cilat shfaqeshin. E këngëtarja linte përshtypjen se po vihej në siklet të madh nga reagimi i publikut.

Në një kohë shumë të vrazhdë për Kosovën, kur vendi ishte i izoluar, Ismaili ishte njëfarë botë më vete nëpërmjet mënyrës se si e përdorte artin. Ajo ka marrë një shembull të thjeshtë për ta ilustruar këtë iniciativë.

“Shumë skenografi i kam punuar vetë, sepse nuk më ka kuptuar askush. Kam ngjitë dhe dërrasa në skena vetë”, tregoi ajo duke thënë se sa i përket muzikës, skena kosovare ka qenë e përparuar nga etja për perëndimin dhe përqafimin e zhanreve të reja.

Ismaili ndau me publikun dhe reflektime te saj të vona nga të cilat ajo e quan karrierën e saj dhe si një lufte e jo thjeshtë. “Në fillet e mia kam qenë në luftë me pushtetin okupues të kohës, pastaj në luftë me patriarkatin, në luftë për të drejtat e grave, për të drejtat e LGBT”, ka thënë ajo. E si rezultat i kësaj veprimtarie të gjerë me tematika të ndryshme përgjatë zhvillimit të karrierës së saj krahas vetë Kosovës ajo bëri me dije se njëkohësisht ka luftuar dhe me sulmet që i bëheshin nga qarqet politike e fetare nga fakti se ka qenë kritikuese dhe provokative me artin e saj.

“Unë kam një jetë që kam luftuar për lirinë. Jam fëmijë i një kohe ku censura ka qenë në çdo këngë në çdo vjershë, kjo ka qenë penalizim i madh për ne, mirëpo jemi rritë me ndjenjën që duhet me qenë të lirë”, theksoi ajo.

Përgjatë këtij diskutimi të rrallë, Ismaili ka treguar dhe për gjendjen e muzikës në Kosovë tani, duke vlerësuar se mungesa e origjinalitetit është shumë prezente dhe performuesit i ka cilësuar edhe si viktima të globalizmit. Ajo ka marrë shembullin e muzikës hip-hop dhe faktin se në Kosovë po kultivohet shumë si zhanër. Por sipas saj në një mënyrë jo të mire. E vlerësoi iniciativën e Festivalit të Këngës si një cytje për artistët drejt origjinalitetit në krijimtari muzikore.

“Duhet me qenë vetvetja, me pasë kauzë dhe një mesazh që e shtyn shoqërinë përpara e cila momentalisht nuk po ndodh me muzikën tonë, duhet me pasë përgjegjësi për veten fillimisht mos me u turpnu pastaj për publikun, për audiencën tënde, dhe atë se ne çfarë po i shndërron fansat e tu”, shtoi ajo në këtë rast.

Ismaili ndryshe e njohur si “Diva” ndau me të pranishmit edhe arsyen e pauzës së saj disa vjeçare. Ajo tregoi se Uliksi (i biri i saj) ka qene arsyeja. “Gjithmonë kam dëgjuar këngëtarët e famshme duke thënë se sa shumë ju mungojnë fëmijët e tyre përgjatë turneve, dhe unë jam betuar qe nuk kam me lënë asgjë prej fëmijërisë të djalit tim me më ikë për shkak të karrierës”, tregoi Ismaili duke shtuar se tash ka vendosur t’i përkushtohet familjes së saj më shumë.

Diskutimi u mbyll me disa pyetje të publikut, të cilat qenë mjaft të larmishme prej të cilave ajo u vlerësua si nga paraqitjet skenike, këngët, shtyrja e agjendave mbi të drejtat e njeriut, thyerja e tabuve e deri te fakti se përbën një figurë të rrallë e cila pëlqehet nga çdo gjeneratë.

Ajo përfundoi këtë diskutim në formë rrëfimi, duke deklaruar se dëshiron të mbahet mend si një njeri e cila ka ndikuar që jeta e kosovarëve të jetë më e bukur.

Ismaili në një deklaratë për KOHË-n e ka vlerësuar lartë diskutimin. “Është apoteozë e karrierës së secilit një diskutim i tillë. Shpresoj që puna ime ka pasur ndikim, shpresoj që kam mujt me ja zbukuru jetën dikujt”, ka thënë ajo. me humor ka thënë se pas kësaj bisede i ngelet vetëm pensionimi.

Nga publiku është shprehur si shume e kënaqur edhe aktivistja Tesa Kabashi, ka thënë se vlerëson lartë figurën e Adelina Ismailit dhe vazhdimisht e ka ndjekur karrierën e saj.

“Jam e kënaqur që pata mundësinë të ja bëj disa pyetje që më kanë interesuar edhe mu personalisht si aktiviste feministe. Ajo është një figurë në pop kulturë, e cila ka reflektu ideologji të cilat i ndaj edhe unë tash, edhe për influencat muzikore të cilat në atë kohë nuk kanë qenë të zakonshme, e vërejta gjithashtu një emocion të përgjithshëm në sallë”, ka thënë ajo.

Këngëtari “MC Beka” ka thënë se do t’i këshillonte artistë e rinj duhet të marrin si shembull njerëzit me karrierë si Ismaili. Sipas tij, fatmirësisht ajo ofron këshilla tejet të dobishme.

“Duhet me ardhë me gjetë diçka që iu kish nevojitë rrugëtimit të tyre drejtë sukseseve të mëdha. Dhe, problemi është aty që njerëzit e kalibrit të tillë si Adelina japin këshilla pa pare, të cilat jon shumë të mira dhe të dobishme, mos mendoni që çdo këshillë mundet me qenë e mirë por t’i gjen diçka përmes tyre që ty të përshtatet, nuk ka rast më të mirë se konferencat e tilla ku ftohen artistë të cilët tregojnë nga eksperiencat e tyre”, ka thënë ai.

Muzika vazhdon të jetë armë e fuqishme e rezistencës dhe Adelina Ismaili me karrierën e saj është dëshmia e gjallë që muzika është një gjuhë e përbashkët që nuk njeh kufi dhe që bashkon lehtazi në rrugën për ndryshim.