Aty ku shteti ka dështuar nga viti në vit, të rinjtë e Kosovës po i fitojnë betejat njëra pas tjetrës. Jo në salla konferencash e kthinash diplomatike, por duke e zëruar dhe afirmuar Kosovën në platforma e aplikacione me përdorim të gjerë. Së fundmi, “Apple Maps” ka pranuar kërkesat e disa të rinjve për t’i kthyer në shqip ose në trajta shqipe vendbanimet e Kosovës. Por, kjo ka ngjallur diskutimet deri tash gati të harruara për çështjen e toponomastikës në Kosovë dhe përpjekjet e lëna në gjysmë për çlirimin e hartës së emrave nga referencat mitike sllave
Me emërvende të kthyera në trajtat shqipe në “Apple Maps”, disa të rinj nga Kosova kanë kurorëzuar me sukses nismën e ndërmarrë në fillim të këtij viti. Platforma e njohur e shërbimeve të hartave tashmë i ka kthyer në trajta shqipe emrat e vendbanimeve kryesore në Kosovë.
I riu nga Gjilani, Valdrin Shala, ka thënë se trysnia e vazhdueshme e përdoruesve nga Kosova ka bërë që “Apple” t’i kthejë lokacionet nga gjuha serbe në atë shqipe, ashtu sikundër edhe t’i përmirësojë sipas trajtave korrekte ato që tashmë ishin shqip: nga Prishtina në Prishtinë, Mitrovica në Mitrovicë, Peja në Pejë.
“Në vazhdimësi do të mundohem të bëj kërkesën për shtimin e lokacioneve të tjera, si dhe kanë mbetur të ndryshohen emërtimet e liqeneve dhe lumenjve nga gjuha serbe në atë shqipe”, ka thënë Shala në një afishim të bërë të mërkurën në “Facebook”, në grupin “Maniakë të teknologjisë”.
Shala: “Të lobojmë për Kosovën në çdo platformë e aplikacion”
Në një bisedë për KOHËN, Shala e ka quajtur si nder dhe privilegj për të gjithë shqiptarët anembanë Kosovës që “Apple” pranoi kërkesën e tij për ndryshimet e emërtimeve të vendbanimeve.
Sipas tij, kjo vlen veçmas për ata që jetojnë në Kosovë dhe përdorin shpërblimet e platformës së njohur e që gjithçka t’iu figurojë shqip.
“Përparësitë e vendbanimeve të Kosovës janë, pra, përdorimi i aplikacionit ‘Apple Maps’, si dhe aplikacioni ‘Weather’, që është i integruar në Apple, i cili në bazë të emërtimeve në hartë, shfaq po ashtu edhe emërtimet në shqip në bazë të vendndodhjes aktuale”, ka thënë Shala.
Me një pasion të gjallë për meteorologjinë, ai i kishte hyrë kësaj nisme kur në faqe të ndryshme haste trajtën serbe “Gnjiljane” dhe jo Gjilan.
Teksa tani ka nisur edhe peticioni për pranimin e Kosovës në “PayPal”, Shala nuk po i ndal përpjekjet për shtimin e Kosovës apo kthimin e emërtimeve në shqip në faqe të ndryshme të meteorologjisë.
“Të lobojmë tek çfarëdo platforme apo aplikacion ku shohim se Kosova nuk është pjesë e tyre, qoftë me ndonjë e-mail apo peticion kundrejt tyre”, ka shtuar ai.
“Presioni” që filloi me Dua Lipën
E ky zhvillim vjen pas betejës së vitit të kaluar që filloi nëpërmjet një peticioni: 197,022 vetë kishin vënë nënshkrimet e tyre në “change.org” në kërkesën që “Apple Maps” ta shfaqte Kosovën me kufijtë e saj, e jo si pjesë të Serbisë.
Si vegëz e nismës në fjalë ishte kërkesa e këngëtares shqiptare në Britani, Dua Lipa, që “Apples” ta vendoste Kosovën në harta. Të njëjtën kërkesë e kishte zëruar edhe këngëtarja tjetër e njohur shqiptare, Rita Ora. Kërkesa ishte shtyrë përpara edhe nëpërmjet rrugëve institucionale kur ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, nëpërmjet një letre zyrtare në adresë të drejtorit ekzekutiv të “Apple”, Tim Cook, kishte kërkuar që Kosova të paraqitej korrektësisht me kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarë në “AppleMaps Service”.
1968: Kur protestuesit kërkonin heqjen e termit “Metohi”
Por përpjekja që toponomastika e Kosovës t’i etablojë format e përjashtuara shqipe ka një histori të tërë pas vete. Në protestat e vitit 1968, të rinjtë, pos statusit republikë për të gjitha viset shqiptare, të drejtën e përdorimit të flamurit dhe hapjen e Universitetit, kishin kërkuar që të hiqej termi “Metohi”, i cili i ndajshtohej emrit zyrtar të Kosovës.
Në janar të vitit pasues, sipas legjislacionit të ri, emri “Metohija” (si formë e sllavizuar e termit të greqishtes bizantine μετόχια që përshkruante një pronë kishtare) u hoq nga përdorimi zyrtar për krahinën autonome të Kosovës.
Megjithatë, qarqet nacionaliste serbe do ta shfrytëzonin këtë hollësi për ta përdorur në dosjen e tyre antishqiptare, siç ishte rasti me memorandumin famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë më 1986.
“Një lajm i mirë pas një kohe të gjatë harrese”
Albanologu dhe njohësi i onomastikës, Begzad Baliu, ka vlerësuar se përgjigja pozitive e “Apple Maps”, që vendbanimet e Kosovës të shënohen në gjuhën shqipe, është një nga lajmet më të rëndësishme nga bota pas një “kohe të gjatë indiference e harrese”.
“Nuk e di a është e domosdoshme të theksojmë se vendimi i ‘Apple Maps’ për të miratuar një kërkesë të tillë paraqet një përmirësim të realitetit të përmbysur për më shumë se tri dekada me radhë dhe njohje të dyfishtë: trashëgimisë kulturore në njërën anë dhe standardeve shtetërore e kushtetuese që kemi vënë, në anën tjetër”, ka thënë Baliu në një bisedë për KOHËN.
Ai ka theksuar se të gjithë ata që janë marrë me të drejtën gjuhësore, etnike, kulturore e historike të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi e dinë se e drejta e shërbimit dhe e përdorimit të toponimisë është rrëgjuar shumë dhe nuk është përmirësuar as pas çlirimit të Kosovës.
“Dhe jo pa fajin tonë”, ka shtuar Baliu, i cili është profesor në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
“Beteja e humbur me jugonostalgjikët”
Fill pas mbarimit të luftës së fundit ishte themeluar Komisioni për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës, një komision specialistësh, i cili në bashkëpunim edhe me Këshillat komunale nisi punën për standardizimin e emërvendeve të Kosovës.
Pas reagimeve të Serbisë, administrata e UNMIK-ut nuk i tumiri rezultatet dhe sugjerimet e punës së Komisionit, madje sipas profesor Baliut, kishte pasur edhe reagime nga një pjesë “nostalgjike” për Jugosllavinë brenda inteligjencës shqiptare.
“Por, pavarësisht nga kjo, aty ku kishte këmbëngulje (Skenderaj, Vushtrri), emrat e rinj u pranuan nga administrata vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Sipas tij, periudha e pasluftës ishte një mundësi për të mënjanuar emra vendbanimesh, si Obiliq, Devet Jugoviq, Orlloviq e të tjerë, që ishin vendosur gjatë shekullit të kaluar nga nacionalistët serbë.
“Në një mënyrë këta emra ishin nxitje për të gjitha luftrat dhe gjenocidin në Kosovë, ashtu sikurse edhe emrat e gjeneralëve serbë si Kaliqanin, Jankoviq, etj, që drejtuan forcat ushtarake e policore serbe dhe bënë gjenocid mbi shqiptarët”, ka thënë studiuesi Baliu, i cili është autor i një varg librash për onomastikën, si “Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës” (2006), “Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve” (2009) dhe “Onomastikë dhe identitet” (2012).
“Toponimia – rishqyrtohet sipas ndryshimeve”
Baliu, po ashtu, ka treguar sesi Komisioni në fjalë nuk kishte arritur ta standardizojë emrin Besianë në vend të atij Podujevë. Këtë e ka kotrastuar me përpjekjen e intelektualëve shqiptarë në vitet ’70, të cilët nën hijen e pushtetit serb, arritën të krijojnë një referencë shumë simbolike në hyrje të këtij qyteti: Besianë, restorant “Besiana” dhe Besiana (qendër arkeologjike).
“E sot e kësaj dite Komuna e Podujevës nuk arrin të identifikohet me emrin më të bukur në Kosovë”, ka thënë Baliu, teksa ka shprehur keqardhje që kanë mbetur në përdorim zyrtar edhe emra si Istog e Gllogovc.
“Populli i Drenicës që vetëm pak vite më parë, me një luftë të përgjakshme e kishte mundur pushtetin serb, nuk po arrin ende t’i mund një grusht nostalgjikësh jugosllavë. Rasti i Istogut duket edhe më tragjik. Emri i kësaj Komune nuk mund të ndryshohej sepse emrin e Istogut e paska gjetur Ibrahim Rugova në një vepër të shekullit XVIII(!)”.
Ndërsa ka thënë se shoqëritë, gjuhët e kultura janë vlerë të përhershme por që ndryshojnë në raport me zhvillimet historike brenda konteksteve përkatëse, ashtu sikurse edhe ndaj globalizimit, Baliu ka vlerësuar se edhe toponimi ndryshon dhe rishqyrtohet në raport me këto ndryshime. Sipas tij, kjo është arsye që komisione të tilla në shtete të ndryshme funksionojnë në mënyrë të përhershme.
“Ky komision i përhershëm natyrisht do të mbulonte jo vetëm ojkonimet dhe toponimet, por edhe emrat e rrugëve, të shesheve e të lagjeve, në emërtimin e të cilave ka shumë dobësi, shumë pasaktësi, për të mos thënë edhe shumë marrëzira”, ka thënë Baliu teksa ka shtuar që komisionet do të jenë të formuara doemos nga specialistë që rishqyrtojnë edhe përbërësit kulturorë të shoqërisë.
Politika e Beogradit për sllavizimin e emrave të vendbanimeve
E vlerësuar edhe si përpjekje për çlirimin e hartës së Kosovës nga mitet serbe, Komisioni Qendror për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës kishte sugjeruar kthimin e emrave të moçëm shqip ose vënien e emrave shqip: Drenas për Gllogovc, Kastriot për Obiliq, Fushë Kosovë për Kosovo Polje, Besianë për Podujevë, Dardanë për Kamenicë, Albanik për Leposaviq, e të tjerë.
Ndërkohë, politika serbe qysh në gjysmën e parë të shekullit të kaluar kishte nisur përpjekjet për serbizimin e arealit onomastik të Kosovës. Gjatë një konference të mbajtur në tetor të vitit 1935 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, një nga konkluzionet kryesore kishte qenë edhe imperative “të bëhet njëkohësisht edhe nacionalizimi i emrave gjeografikë”.
Rastet më eklatante kishin qenë emërtimet e krijuara me bazë betejën e vitit 1389, porse sipas mitit serb: u emërtuan vendbanime si Devet Jugoviq, Kosovo Polje, Orlloviq, Obiliq, Llazarevë, Dushanovë, etj, ashtu sikurse të tjera me emrin Uroshevac për Ferizajin, Gjeneral Jankoviq për Hanin e Elezit, Kaliqan në emër të gjeneralit serb Kaliqanin.
Gjuhëtari dhe studiuesi Qemal Murati në librin “Konservacione dhe inovacione gjuhësore në fushë të shqipes” vlerëson se numri i madh i toponimeve sllave në toponomastikën e sotme shqiptare nuk dëshmon asgjë për karakterin sedentar të tyre.
“…se këto që në krye të herës do të kenë qenë të këtij burimi, por për një zëvendësim të së vjetrës me të renë, për një sllavizim të toponimisë shqiptare, ashtu siç mund të shihet kjo edhe te toponimet e brumit gjuhësor të turqishtes, të cilat e kanë vërshuar po ashtu fjalorin toponomastik shqiptar dhe të gjuhëve të tjera të Ballkanit”, ka shkruar Murati.