Shkrimtari Arben Idrizi është nominuar për Çmimin Letrar të Bashkimit Evropian. Vepra prozaike “Njeriu që habitej dhe tregime të tjera” e ka futur në garë për këtë çmim me traditë, i cili u hap dyer zërave krijues si një iniciativë për të forcuar kulturën evropiane, e që u nda për herë të parë në vitin 2009. Idrizi është në mesin e 14 të nominuarve.
“Njeriu që u habit dhe tregime të tjera”, në ueb faqen zyrtare të Çmimit Letrar të Bashkimit Evropian përshkruhet si një vepër “që shqyrton dhunën, traumën dhe habinë si kushte ekzistenciale të jetës njerëzore përballë historisë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në qendër qëndron figura e Isak Kodrës, i mbijetuar i një masakre lufte, i cili, pasi ka dëshmuar të paimagjinueshmen, mbetet i ngrirë në një gjendje të përhershme habie. Nëpërmjet kësaj narrative dhe një serie tregimesh të lidhura tematikisht, libri ndërton një univers të errët në të cilin dhuna nuk është thjesht ngjarje, por një mënyrë e të menduarit, të kujtuarit dhe të ekzistuarit”, shkruhet në përshkrimin e veprës. Po aty shkruhet se portretizimet e Arben Idrizit “paraqesin luftën, pushtimin, dëbimin, vrasjet arbitrare dhe absurditetin e historisë, duke lëvizur nga realiteti konkret historik drejt dimensioneve alegorike dhe metafizike”.
Në biografinë e poetit shkrimtarit e përkthyesit Idrizi, njëri prej zërave më unikë të brezit të tij, shkruhet se ai është autor i njëmbëdhjetë librave, dhjetë përmbledhje poetike dhe një vëllim me tregime të shkurtra. “Vepra e tij është botuar nga disa shtëpi botuese të njohura rajonale dhe pasqyron një angazhim të vazhdueshëm me rrymat bashkëkohore letrare evropiane. Përveç krijimtarisë së tij origjinale, Idrizi ka përkthyer në shqip vepra të rëndësishme të autorëve të njohur evropianë, përfshirë Valerio Magrelli, Tino Caspanello, Roberto Calasso, Giacomo Leopardi dhe Cesare Pavese”, shkruhet aty.
Në listën e ngushtë për laureatin e sivjetmë janë edhe: Sargis Hovsepyan nga Armenia, Lora Tomash nga Kroacia, Evridiki Pericleous-Papadopoulou nga Qiproja, Dora Kapralova nga Çekia, Lilli Luuk nga Estonia, Susanna Hast nga Finlanda, Hélène Frédérick nga Franca, Mathias Ospelt nga Liechtensteini, Elise Schmit nga Luksemburgu, Paula Erizanu nga Moldavia, Vladimir Vujiviq nga Mali i Zi, Ivan Shopov nga Maqedonia e Veriut dhe Frans Wachtmeister nga Suedia. Janë 216 shkrimtarë që janë nominuar për këtë Çmim, qysh prej themelimit 17 vjet më parë.
Ai që e theu akullin qe poeti Shpëtim Selmani më 2020 i cili e rrëmbeu çmimin me “Libërthin e dashurisë”. Shkrimtari Ag Apolloni më 2023 mori “Special Mention” për romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”.
Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë, i mbështetur nga programi “Creative Europe” i Bashkimit Evropian, është një iniciativë vjetore për të shpërblyer shkrimtarët në ngritje të letërsisë në Evropë. Synon të sjellë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane në fushën e letërsisë artistike, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Evropës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare të vendeve evropiane.