Ekspozita “Shpesh e shoh një ëndërr në të cilën e dua botën” është kërkim i gjatë emocional dhe artistik që ka nisur vite më parë, kur Zgjim Zyba i prezantoi për herë të parë në Venecia batanijet e ndihmave humanitare që ende ruheshin në familjen e tij. Që prej asaj kohe, kërkimi është shtrirë në të gjithë Kosovën. Ka mbledhur disa sosh e ato ruajnë histori mbijetese, frike dhe shprese. Janë një lloj emëruesi i përbashkët i kujtesës kolektive e në instalacion trupëzohen me struktura që simbolizojnë qiriun si metaforë e sakrificës dhe mungesës
“Shpesh e shoh një ëndërr në të cilën e dua botën”, si titull është mbase më i ndërlikuar sesa vetë ekspozita. Por instalacioni artistik minimalist është po aq domethënës sa edhe estetik. Ekspozita e artistit Zgjim Zyba është ndërthurje e artit dhe kujtesës. Është akt i fuqishëm reflektimi kolektiv mbi një nga periudhat më të ndjeshme të historisë së Kosovës, pjesë e të cilit rrëfim janë edhe batanijet e ndihmave humanitare të kohës së luftës – objekt qendror në ekspozitën e Zybës.
Në hapësirat e fondacionit “Hajde!”, në katin e gjashtë të hotelit “Grand”, instalacioni artistik në shikim të parë ngjan si pjesë e infrastrukturës së saj. Vetëm derisa fokusi bie mbi materialet e tekstilit. Janë materiale që për gjeneratat më të reja zgjojnë kujtime fëmijërie, për brezat të tjerë janë objekte të ngarkuara me histori mbijetese, frike dhe shprese.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVetë fakti se shumë familje nga e gjithë Kosova i kanë ruajtur ato, flet zëshëm. Procesi i mbledhjes së këtyre batanijeve nga artisti Zyba shihet edhe si një lloj akti arkivimi i historisë.
Ekspozita “Shpesh e shoh një ëndërr në të cilën e dua botën” është kërkim i gjatë emocional dhe artistik që ka nisur vite më parë, kur Zyba prezantoi për herë të parë batanijet e familjes së tij gjatë një rezidence në Venecia. Që prej asaj kohe, kërkimi është shtrirë në të gjithë Kosovën.
Për artistin, vendosja në hapësirë publike e këtyre materialeve të tekstilit është shpalosje e traumës që objektet bartin.
“Për mua ka qenë e rëndësishme të krijoj njëfarë ure lidhëse midis asaj që ka ndodhur në të kaluarën në shoqërinë tonë dhe asaj që ndodh sot si pasojë e një traume të tillë. Kam dashur ta përfaqësoj këtë traumë përmes qebeve që janë faktikisht kujtim, por në të njëjtën kohë është njëfarë kërkimi për ngrohje kolektive. Familja ime ka biseduar me të afërm dhe e kuptoi që familjet tona ende i mbajnë ato. Kjo nuk do të thotë se ata i shfrytëzojnë ato për mbulimin e trupit, por shndërrohet në mbrojtje të objekteve rreth shtëpisë”, është shprehur ai për KOHËN.
Artisti kishte dalë me një kërkesë publike për dhurimin e materialeve të tilla për ata që i posedojnë dhe i ruajnë. Ka bërë me dije se i janë dhënë me shumë dëshirë dhe pa asgjë në këmbim, materiale nga të gjitha qytetet e vendit, si Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Obiliq, Malishevë, Rahovec, Han i Elezit, Prizren, Kaçanik, Has dhe jo vetëm. Kësisoj ka krijuar një lloj harte të gjallë kujtese që lidh familje e përvoja të ndryshme në ekspozitën e Zybës si narrativë e përbashkët.
Batanijet nuk janë thjesht relikte të së kaluarës. Të palosura brenda strukturave që ngjajnë me shtylla-qirinj, ato marrin formën e një instalacioni minimalist, por thellësisht simbolik. Qiriu, si metaforë e sakrificës dhe mungesës, përballet me tekstilin që ruan kujtesën.

“Pasi i kam mbledhur, ideja vazhdon me simbolin e qiriut që krijon këtë strukturë arkitektonike, por ideja është të ketë shtypje të butë midis dy materialeve: qiriut që shkrihet dhe qebet që e kanë memorien që i japin presion njëra-tjetrës. Prej një materiali që duket i ngurtë, kthehet në të butë. Qiriun e përdor si simbol të sakrificës, pasi shumë familje më kanë treguar që gjatë këtij rrugëtimi se si as qiri nuk kanë guxuar të përdorin për dritë. I kanë përdorur të njëjtat qebe për t’i mbuluar dritaret për të mos u kuptuar se dikush po jeton aty. E përdor këtë metaforë”, ka shpjeguar artisti Zgjim Zyba.
Nga një material i fortë e i heshtur lind një ndjeshmëri e prekshme që flet për trupin, për ngrohjen dhe për mungesën e saj. Ekspozita është dëshmi për një kohë kur mbijetesa kërkonte fshehje. Kur ndriçimi i qiriut pengohej nga shtresa e trashë e batanijes që zinte vend në dritaret e shtëpisë për të fshehur shenja jete.
Dimensioni i tingullit e përcjell vizitorin. I realizuar në bashkëpunim me muzikantin Dren Suldashi, e thellon përvojën e vizitorit. Muzika e errët dhe atmosferike sjell jehonën e natyrës dhe rrugëtimet e vështira përmes maleve, të cilat shpesh i shpinin shqiptarët drejt shpëtimit.
“Ai e ka ditur menjëherë atë që kam dashur ta transmetoj përmes idesë së natyrës, sepse mali ka qenë ai nëpër të cilin kanë kaluar shqiptarët për t’u larguar nga rreziku”, ka shpjeguar Zyba.
Kuratorja turke, Övül Ö. Durmusoglu, e cila jeton e vepron në Berlin, e ka kuruar ekspozitën. Ka thënë se ajo i përshtatet luftës në kontekst global edhe pas më shumë se çerekshekulli prej përfundimit të luftës në Kosovë.
“Ne besojmë se arti është mënyrë për të përcjellë ëndrrën ose për të përcjellë elementet e ëndrrës së dashurisë për botën, e cila është shumë e vështirë për momentin për shkak të të gjitha luftërave dhe mizorive që na rrethojnë. Kjo e bën edhe këtë ekspozitë të jetë në kohë shumë të rëndësishme. Në punën time kuratoriale jam shumë e interesuar se si të tregoj histori të vështira, histori nga të cilat njerëzit po ikin”, është shprehur ajo.
Sipas saj, batanijet janë simbol universal që i lidhin viktimat e luftës kudo në botë, ndërsa instalacioni krijon hapësirë ku ndjenjat kolektive mund të përpunohen së bashku.
“Në instalacion ne donim të krijonim të gjitha kujtimet që këto batanije mbajnë brenda si shtylla të shoqërisë. Kjo është arsyeja pse ne shohim këto kolona që janë krijuar pa dyshim për hapësirën, por ne gjithashtu mund ta kuptojmë këtë hapësirë si shoqëri, si shtëpi që na mban së bashku. Shtyllat janë ato që e mbajnë shtëpinë të distancuar, e mbajnë atë në gjendje të mirë”, ka thënë më tutje kuratorja, shkrimtarja e edukatorja e artit.
Sipas saj, shtyllat janë metaforë e shoqërisë duke mbajtur brenda tyre plagët, por edhe forcën e mbijetesës.
“Me këto kolona që janë prej materialit të shkrirë të qiriut dhe këto batanije ne duam t’ua kujtojmë të gjithëve se ato plagë nga të cilat po shpëtojmë janë në fakt pikat tona më të forta. Ato brishtësi dhe dobësi janë në fakt gjërat që na bëjnë njerëzit që jemi sot. Ne duhet të jemi në gjendje t’i adresojmë ato plagë në një mënyrë tjetër – për të jetuarit së bashku në një kohë shumë të vështirë të botës”, ka thënë më tej Övül Ö. Durmusoglu, e cila bashkërisht me polaken Joanna Warsza kishte kuruar edicionin e tretë të “Autostrada Biennale” në Prizren me temën “Çka nëse një rrugëtim” sikurse edhe në edicionin pasues duke sjellë qasjen poetike me temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”.
Ekspozita, e prodhuar nga fondacioni “Hajde!”, shënon kthesë në programin e tij, duke kaluar nga mbështetja e artistëve të rinj në prodhimin e drejtpërdrejtë të projekteve artistike.
Sipas drejtoreshës Lendita Idrizi, ekspozita është një thirrje për të reflektuar mbi traumën, pranimin dhe dashurinë.
“Deri tash hapësira u është dhënë për ekspozim artistëve të rinj dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Si ekspozitë e fondacionit është e para që e kemi prodhuar. Kjo ekspozitë na bën të mendojmë për traumën, për pranimin në shoqëri dhe për dashurinë. Zgjimi ka mbledhur qebe prej familjeve të ndryshme në Kosovë, e një prej tyre edhe familja e tij. Të gjitha këto batanije të ndihmave e kanë një histori të rëndë në teksturën e tyre. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 korrik”, ka thënë ajo.
Ekspozita “Shpesh e shoh një ëndërr në të cilën e dua botën” e Zgjim Zybës e fton publikun të reflektojë mbi atë që është ruajtur, atë që është humbur dhe atë që ende na përcakton.