Kulturë

“Bijtë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut” në frymë me arbëreshët

Hora e Arbërshëvet është sheshi i xhirimit të “Bijtë e Gjegj Kastriotit Skënderbeut” nën regji të Vranin Gecajt. Aty gjëllijnë shenjat që ruajnë identitetin e arbëreshëve të Sicilisë, por që thërrasin që ato të promovohen me qëllim që të mos veniten prej globalizmit. Rrëfimet fillojnë nga mishërimi i arbëreshëve me figurën e Skënderbeut e deri te veshjet e ritet kishtare, të cilat shfaqen si potpuri praktikash e traditash arbëreshe

Arbëreshët e Italisë kanë përzgjedhur Prishtinën dhe që ta shpalosin rrëfimin për Skënderbeun. Dokumentari “Bijtë e Gjergj Kastriotit Skënderbeu” i Vranin Gecajt ka ndezur projektorin e “Kino Armatës” të hënën mbrëma teksa u ka paraprirë kremtimeve të 28 Nëntorit. Në 30 minuta sjell disa rrëfime që kujtojnë arbëreshët dhe ruajtjen e kulturës ndër breza. I realizuar gjatë një vizite në prill të 2023-tës në festën e Pashkëve te Hora e Arbëreshëvet në rajonin e Palermos në Itali ngërthen rrëfime që fillojnë nga mishërimi i arbëreshëve me figurën e Skënderbeut e deri te veshjet e ritet kishtare, të cilat shfaqen si potpuri praktikash e traditash arbëreshe që bëjnë pjesë në shtyllat mbajtëse të identitetit shqiptar.

Figura dhe funksioni i Skënderbeut në kujtesën historike kolektive dhe në rrënjët identitare të arbëreshëve lidhet me fatin tragjik të heroit, i cili tërhoqi pas vetes dhe atë të arbëreshëve. Nisur nga vdekja e tij dhe intensifikimi i ekspansionit të Perandorisë Osmane, migrimet e shqiptarëve morën përmasat e eksodeve të vërteta, që lanë gjurmë të thella si në vendin e origjinës ashtu dhe në vendbanimet e reja, e në këtë rast në jugun e Italisë.

I trajtuar si një tregim vizual mes rrëfimesh e pamjeve të ndryshme nga peizazhi i Horës së Arbëreshëvet, arkitektura, jeta sociale e deri te veshjet, ky dokumentar ngjyroset me nuanca etnografike, mirëpo gjithmonë me një vetëdije melankolike, e cila pasqyrohet krahas kërcënimeve globaliste të kulturës arbëreshe.

Filmi i cili fillon me një njoftim me sfondin historik e gjeografik të kësaj shoqërie sillet nga Mesjeta e deri në ditët e sotme, nga ruajtja fanatike e relikteve kulturore nga vetë arbëreshët. Prej pamjeve areale të jugut të Italisë kuadri ndalet në Horën e Arbëreshëvet, e njohur dhe si kryeqyteti i tyre, si një nga bashkësitë më të mëdha të komuniteteve historike shqiptare të Italisë, njëherësh si qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë, në të cilën ndodhet selia e peshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Sicili, Eparkia e Horës së Arbëreshëvet.

Kremtimet për festën e Pashkëve në Horë zënë vendin kryesor në dokumentar ku paraqiten masë e madhe nga banorët vendas bashkë me vizitorët nga Kosova, e ndër ta dhe Besa Berberi, e cila performon me veshje rugovase. Atmosfera festive e përshkruar përmes atyre pamjeve ngazëlluese qe një tregues i etjes së arbëreshëve për bashkëpunim me shqiptarët e tjerë, e kjo narrativë është prezente përgjatë filmit duke shërbyer si rikujtim për shikuesit.

Se kultura arbëreshe, pavarësisht punës plot zell e kujdes gjatë shekujve për ta ruajtur atë, po kërcënohet nga kthetrat e globalizmit e thotë në film dhe Giuseppina Demetra Schiro, etnografe dhe poete arbëreshe duke nënvizuar se globalizmi i ka të mirat e veta, por po kërcënon kulturën arbëreshe. ”Globalizmin e shoh si një shërbesë pa shpirt, ai i bën të gjithë palaço”, thotë ajo në dokumentar duke nënvizuar se çdo element arbëresh, duke filluar nga veshja si ekspertizë e saj, e cila po cenohet nga prurjet e reja përmes globalizmit drejt humbjes së traditës e autenticitetit.

Arbëreshët duket se me përkushtimin e tyre shekullor rreth ruajtjes së identitetit të tyre me gjithë kompleksitetin e tij kanë arritur të fitojnë një status unikal kur bie fjala te qëndrueshmëria e një populli pavarësisht rrethanave. Gjuha arbëreshe paraqitet si një ekzemplar, i cili e ilustron më së miri këtë përpjekje për të mos u thyer kurrë.

Giorgo Cuccia, drejtor i “Pro Loco”, bashkëproducent i dokumentarit, pas përfundimit të shfaqjes është ngjitur në skenën e “Kino Armatës” krahas kontribuuesve të tjerë në realizimin e filmit. I ka bërë për vete të pranishmit me arbërishten tij, e cila ngjante në një gjuhë universale e që kuptohej nga të gjithë. I dha hapësirën kryesore gjatë fjalimit të tij arbërishtes duke e vlerësuar atë si gjuhë shekullore, e cila flitej nga priftërinjtë arbëreshë gjatë kryerjes së riteve kishtare bizantine, të cilat i karakterizojnë ata.

“Flitni gluhen shkipetare, gjith’ historia thonë se gjuha shkiptare asht’ gluha ma e bukur e ma e vjetër, andaj kur flasim gluhën tanë, na jemi ma të fortit e botës”, ka thënë ai duke ua uruar të gjithëve Ditën e Flamurit.

Regjisori Vranin Gecajt ka thënë se me këtë dokumentar ka synuar të bëjë një përmbledhje të shkurtër për arbëreshët e Sicilisë. “Kjo sepse kemi informacione të shpërndara. Jam munduar të bëj një përmbledhje që opinioni publik të mësojë më shumë rreth arbëreshëve të Sicilisë”, ka thënë ai duke shpresuar që tashmë përmes komunikimit digjital populli shqiptar do të bashkëpunojë dhe do të këmbejë përvoja edhe me arbëreshët.

Muzikantja Besa Berberi, e cila njëherësh punoi rreth muzikës së dokumentarit krahas David Scillias, Anton e Eduard Çivlakut, ka thënë se është ndarë e kënaqur me realizimin final të filmit.

”Për mua ishte kënaqësi, sepse ka qenë si dëshirë e kamotshme të shkoj në Sicili e Kalabri, qëllova atje dhe për festën e Pashkëve që më ka bërë shumë përshtypje edhe pse kam pasur lexime për ketë rit bizantin. Do t’u propozoja të gjithë shqiptarëve që përmes shkëmbimeve të shpeshta, nëse shkojmë i vizitojmë ata, por edhe nëse vijnë ata te ne, përforcojmë lidhjet tona dhe i ndihmojmë ata, sepse si duket kanë më shumë nevojë ata për ne”, ka thënë ajo.

Kjo premierë e filmit nuk kishte se si të përmbyllej ndryshe veçse me një interpretim emocional e entuziazmues të këngës 600-vjeçare arbëreshe “Moj e bukura More” nga i gjithë ekipi, performancë kjo e cila emocionoi publikun, për ta përfunduar pastaj me iniciativë të Giorgo Cuccias edhe me intonimin e himnit kombëtar. I gjithë publiku në këmbë e me dorë në gjoks kanë kënduar himnin si një përmbyllje e denjë, e cila simbolizon një ndjenjë të përbashkët krenarie e patriotizmi.