Në një ambient që do të ishte ideal për njerëz të çmendur – të tillë duken edhe ata që janë aty – funksionon një departament që ka për qëllim të analizojë ëndrrat. Jo mbi teoritë e austriakut Sigmund Freud, as për ndonjë efekt shkencor. Por, si diçka që mund të ketë lidhje me pushtetin e eventualisht lëkundjen e tij. “Departamenti i ëndrrave”, nën regji të Besim Ugzmajlit, që kishte premierën të dielën në teatrin “Dodona”, flet për pushtetet autoritare. Punonjësit e atyshëm që vijnë nëpërmjet aktorëve Afrim Muçaj, Ermal Sadiku, Kushtrim Qerimi dhe Molikë Maxhuni duket se janë të “tredhur” të një pushteti që i intereson gjithçka
Ballkani njeh pushtete që i kanë analizuar edhe ëndrrat. Kanë shkuar edhe deri në nivelin sa kanë dënuar njerëzit që kanë parë ëndrra në të cilat pushteti është lëkundur. Konspiracionet në pjesë të Evropës gjejnë vend prej gjërave më të thjeshta e deri tek ato madhore. Edhe sot shumë pushtete po rrëshqasin drejt autokracisë. Madje edhe në vende evropiane me demokraci të konsoliduar kaherë. Jeton Neziraj në tekstet e tij, sidomos kohëve të fundit, bën një teatër pamflet. Dihet caku. Por, ka edhe prej atyre teksteve që merren me tema që i shtjellon në parim. Këtë e ka bërë me “Departamentin e ëndrrave”.
Në një ambient që do të ishte ideal për njerëz të çmendur – të tillë duken edhe ata që janë aty – funksionon një departament që ka për qëllim të analizojë ëndrrat. Jo mbi teoritë e austriakut Sigmund Freud, as për ndonjë efekt shkencor. Por, si diçka që mund të ketë lidhje me pushtetin e eventualisht lëkundjen e tij. “Departamenti i ëndrrave”, nën regji të Besim Ugzmajlit, që kishte premierën të dielën në teatrin “Dodona”, flet për pushtetet autoritare. Punonjësit e atyshëm që vijnë nëpërmjet aktorëve Afrim Muçaj, Ermal Sadiku, Kushtrim Qerimi dhe Molikë Maxhuni duket se janë të “tredhur” të një pushteti që i intereson gjithçka. Qoftë edhe ëndrrat e qytetarëve që i qeveris. Duket tragjike se sa thellë kanë hyrë ata. Janë të gatshëm edhe të hanë kokën e njëri-tjetrit. Por, e kanë detyrë të analizojnë ëndrra, t’i interpretojnë ato e të mbajnë edhe të dhëna statistikore. Shpesh situatat duken komike kur shihet katandisja. Por, tragjikja mbizotëron. Shfaqja merret me pushtetet që janë duke shkuar nga autokracia. Aso që kontrollojnë gjithçka. Brenda “Departamentit...” presioni është i madh. Shkon deri në nivelin sa punonjësit rrezikojnë edhe njëri-tjetrin. Gjithçka është reflektim i pushtetit. Besim Ugzmajli si regjisor – njëherësh udhëheqës artistik i teatrit “Adriana” në Ferizaj – ka luajtur goxha me projektor duke ndërthurur situata. Filmi është thirrja e tij e parë. Edhe shfaqjen e ka çuar në ato ujëra duke bërë një kombinim ku aktori real në skenë dhe ai në projektor komunikojnë mirë me njëri-tjetrin. Si realizim i përshtatet çdo kohe. Kontekst më të mirë për t’u dhënë në Kosovë deri më tash zor të ketë pasur. E në këtë shekull edhe në Evropë si shfaqje nuk do të “flinte” asnjëherë më shumë. Muzika e kompozuar nga Liburn Jupolli është në hap me shfaqjen dhe e plotëson atë.
Besim Ugzmajli ka thënë me bindje se bëhet fjalë për një temë që funksionon në të gjitha kontekstet kohore.
“Në secilin moment duket se u ngjason pushteteve të caktuara për të pasur një lloj kontrolli absolut mbi ata që i udhëheqin. Edhe është ironike pasi janë ata që vetë i zgjedhin. Shfaqja merret me aspektin despotik, me një projeksion më të thellë dhe i përkon secilës kohë. Nuk ka pasur brengë që ai i thotë, shfaqja ose teksti, publikut diçka pasi është i gjithëkohshëm dhe sa herë merremi me këso tema janë konform situatave politike dhe kontrollit të pushteteve mbi qytetarët”, ka thënë ai pas premierës. Edhe si karakter nuk e ka telash të ngulë këmbë përballë pushteteve. Estetikisht teksti e kishte bërë për vete.
“Më ka bërë përshtypje atmosfera që e sjell Jetoni nëpërmjet tekstit. Ka karaktere më të ndryshme të filmave sesa ato që i shohin gjithmonë në shfaqje, andaj këto kanë qenë disa arsye estetike që më kanë shtyrë ta bëja këtë shfaqje”, ka thënë ai.
Jeton Neziraj ka kujtuar se dramën e kishte shkruar para pesë a gjashtë vjetësh. Ka thënë se ajo që e ka intriguar në atë kohë e fatkeqësisht ai realitet po vazhdon të jetë, është fakti që demokracia ka nisur të degradohet dhe ka një lloj tendence të lëvizet kah autokracia.
“Shfaqja e analizon këtë raport midis demokracisë dhe autokracisë dhe faktin se përse autokracia ka nisur të jetë më atraktive dhe përse vlerat e demokracisë po degradojnë. Rrethanat aktuale gjithandej në Evropë dëshmojnë se tema si kjo janë aktuale. Nuk po flasim më vetëm për Turqinë, por edhe për Hungarinë, Italinë e besa edhe shtete të tjera me demokraci më të konsoliduar kanë këso tendenca nga autokratët”, ka thënë ai. Sa i përket realizimit skenik ka thënë se rrethanat e “Dodonës” ofrojnë hapësirë të kufizuar.
“Mendoj që funksionoj mirë me këtë qasje të Besimit. Ai është atraktiv e i freskët me ide. Vizualisht e mbush me imazhe të bukura. Besoj që në reprizat e radhës do të funksionojë edhe më mirë kur e merr ritmin e vet dhe aktorët fillojnë të komunikojnë ndoshta në mënyrë më të drejtpërdrejtë më publikun”, ka thënë ai. Ka përmendur faktin se premiera botërore e kësaj shfaqjeje qe dhënë në dhjetor të vitit 2019 në Los Angeles, në inskenimin që i kishte bërë “City Garage Theatre”. Asokohe kritika ishte marrë me “Departamentin…”
“Premiera botërore e komedisë së mbështjellë me maks dhe njëkohësisht orwelliane të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj të një qeverie autokratike që kërkon nga qytetarët e saj të depozitojnë ëndrrat e tyre në mënyrë që të mund të ushtrojë kontrollin më të plotë të imagjinatës së tyre... Mos e humbisni premierën botërore e kësaj drame të re nga një prej dramaturgëve më të shquar evropianë”, do të shkruante “Los Angeles Times”.
Analistët e ëndrrave humbin midis depozitimeve. Por atë e kanë punë. Poetja Naime Beqiraj ka thënë se shfaqja ka sjellë një lexim e përjetim ndryshe.
“Secili nga ne, njerëzit urban të këtij qyteti, mund ta marrë si pjesë të realitetit të vet që e shkel dhe e përjeton. Secili formacion politik i yni, të shkuarit apo në pushtet, mund ta gjejë veten. Atë që e thotë teatri aq bukur qysh nga koha e Eskilit vetëm letërsia mund ta thotë. Por, teatri e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka thënë ajo e si aktor ka veçuar Afrim Muçajn. Atij i shkojnë këto role. Në repriza mund të jetë edhe më i mirë. E shikuesve u ngelet të hyjnë në botën e “Departamentit...”, në botën e pushteteve që kanë frikë edhe nga ëndrrat e veta.
Skenë nga shfaqja “Departamenti i ëndrrave”