“Demonstratat e vitit 81’”, “Greva e minatorëve të Trepçës”, “Falja e gjaqeve”, dhe “Eksodi 1998-1999”, janë katër ciklet e pikturave të Mentor Berishës që bashkohen në “Eferveshencën kolektive”, që nëpërmjet konceptit të Émile Durkheimit – si një ndjenjë shumë e fortë emocionale dhe energjie që përjetohet nga një grup njerëzish në të njëjtën kohë – përkthehet në kontekstin e ngjarjeve të Kosovës. Është një lloj çlirimi e rileximi i ngjarjeve të dy dekadave, që në fakt janë edhe gjeneza e Kosovës së sotme
Procesi i hyrjes së ish-të burgosurve politikë në ndonjë ngjarje të atij që tash është shndërruar në muzeun “Burgu i idealit”, në Prishtinë, është njëfarë pamje sa abstrakte edhe ekspresioniste në të njëjtën kohë. Si turmë nga larg janë shenja abstraksioni e me t’u ofruar qartësohen individualitetet dhe ekspresionizmi merr frymë. Kjo hyrje i ka edhe ato shakatë e veta që kurrë s’marrin fund.
“Normalisht që është errët, bile është terr si në burg...”, thotë njëri prej tyre. “Kujdes si silleni se në burg jemi, merren masa këtu”, thotë një tjetër derisa grupi që e rrethon nis shakatë e tjera. Kësaj radhe, këto shaka kanë gjetur vend në një ngjarje që ka për subjekt katër intervale kohore të dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar. Kohë ato kur eferveshenca kolektive – një koncept filozofik i Émile Durkheimit – kishte kapluar masa të tëra. Pikturat e Mentor Berishës vijnë në katër cikle: “Demonstratat e vitit 81’”, “Greva e minatorëve të Trepçës”, “Falja e gjaqeve”, dhe “Eksodi 1998-1999”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPiktura e parë krejt në hyrje, afër recepsionit të Burgut të Prishtinës e tash Muzeut, është bardhezi. Me të janë ilustruar edhe posteri e ballina e katalogut. Ilustrohen demonstratat e vitit 1981, kur studentët e më pas masat popullore kërkonin republikë brenda asaj që ishte Federata e Jugosllavisë. Pikturat e këtij cikli bashkë me ato cikleve të tjera kanë një çelës të përbashkët: abstrakten dhe ekspresionizmin. Është një fije e hollë ku piktori nuk rrëshqet më shumë në njërën a në tjetrën. E perspektiva e leximit të tablove u takon vizitorëve. Ata që thellohen në turmë u bie më shumë në sy ana abstrakte ku hyn në lojë edhe “Eferveshenca kolektive”, siç edhe e mban titullin ekspozita. Në konceptin e sociologut francez, Émile Durkheim, eferveshenca kolektive është njëfarë ndjenje shumë e fortë emocionale dhe energjie që përjetohet nga një grup njerëzish në të njëjtën kohë. Ndonjë e tillë i kishte kapluar shqiptarët e Kosovës më 1981, pastaj me grevën e minatorëve më 1989, pajtimin e gjaqeve 1990 e deri tek eksodi i fundviteve ’90. Nëse vizitori i ikën pak perspektives së turmës, në tablo gjen edhe individin, por asnjëherë të shkëputur nga turma. Ndryshe, në piktura turma është një individ. Piktori Mentor Berisha ruan dinamizmin duke pasur elegancë edhe kur hedh ngjyrë për abstraksion. E njëkohësisht s’është veç njëfarë narratori me brushë i ngjarjeve kur vjen në pah ekspresionizmi. Por deri diku futet edhe në njëfarë arti të angazhuar me qëllim që – nëpërmjet pikturës – t’ua japë frymën e sotme të kujtesës ngjarjeve të së kaluarës.

Piktori Berisha ka thënë se interesi i tij në katër ciklet ishte pjesa e organizimit të turmës.
“Nëpërmjet pikturës e kam parë të realizueshme në aspektin vizual. Pos aspektit artistik, në Muze shihen edhe pjesët historike të përfshira si impute shtesë të secilit cikël”, ka thënë ai. Në hapësirën e ish-shëtitores së dikurshme ka ndërhyrë me një instalacion ku krijon ndjesinë e turmës e vizualisht ngjallet edhe historia. Vizitorët aty përjetojnë njëfarë eferveshence.
“Në shëtitore kemi një instalacion, ku pos anës vizuale të instalacionit, është edhe një video-projeksion dokumentimi i ngjarjeve dhe vizitorët aty hyjnë në lojën e ngjarjeve”, ka thënë ai.
Kuratori i ekspozitës, Orgest Azizi, ka sqaruar se është një cikël i madh pikturash që përbëhet nga katër cikle që krijojnë një shumësi që i bashkon një unitet.
“Fati i kolektivit është diçka pak e mistershme. Koncepti i eferveshencës ka një mister të kolektivit. Është se si një kolektiv me shumë veta arrin të jetë një. Përcaktohet nga forca të jashtme, por këto forca duhet të gjejnë një përgjigje nga forca e brendshme”, ka thënë ai. Sipas Azizit, dinamika e ciklit është se si të paraqitet në hapësirën e tablosë përplasja e përgjigjeve të forcave të jashtme dhe të brendshme. Sipas tij, kjo shumësi kërkon idenë e ciklit.
“E gjitha kjo e përcakton shpërndarjen e pikturave në disa cikle dhe një ciklim ngjyrash në secilën tablo. Me fjalët e sotme është një algoritëm i fshehur që buron nga një tablo te tjetra. Krejt bashkë përpiqen të zgjojnë algoritmin e kaluar të historisë së freskët të Kosovës, që është edhe gjeneza e Kosovës së sotme”, ka thënë ai. Derisa është ndalur tek estetika e veprave, ka thënë se te basti fillestar i artistit kishte një frikë dështimi.
“Mundësia e dështimit ishte të binte në njërin nga ekstremet e dy poleve, tek abstraktja ku humbet lexueshmëria e subjektit dhe bëhet mbivendosje ngjyrash pa kuadër ose një ekspresivitet i tepruar ku ngjarja ekziston dhe gjesti artistik e thotë atë në mënyrë deklarative”, ka thënë ai. Azizi ka folur edhe për një frikë tjetër, atë të dështimit të idesë së ciklit. Sipas tij, duhej mbajtur ritmi dhe dinamika që çdo përsëritje të ishte edhe risi. Për të, kjo është një lloj kurthi që mund të bjerë artisti në gjestin piktural.

“Çdo hap i do hesapet me të dyja polet. Ideja e shumësisë, e përsëritjes ka dy zgjidhje: e para një barok ku është një labirint i madh me krejt ngjarjet dhe spektatori të hyjë e të humbasë aty. Zgjedhja e artistit këtu është që jo të fusë të gjitha në një tablo, por pothuajse të njëjtin element ta lakojë në forma të ndryshme në një cikël tablosh. Kjo është forma më e vështirë. Çdo tablo vlen në vetvete, por edhe si moment i së tërës”, ka thënë ai.
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ferid Berisha, i njohur si komandant “Shkupi” ka thënë se vetë shndërrimi i burgut nga një vend shumë tragjik në vend arti është një metodë shumë e mirë për të mos e harruar të kaluarën. Sipas eprorit të lartë në UÇK, është një vlerë e madhe kur kjo hapësirë shfrytëzohet nga artistët për t’u marrë me të kaluarën.
“Kjo hapësirë, pos së kaluarës e prezanton edhe të tashmen, lirinë. Këtu është një shkollë e tërë dhe një vend që duhet të vizitohet nga krejt të rinjtë për të kuptuar vlerën e lirisë. Kur nëpërmjet artit ilustrohet e kaluara, u jepet një vlerë dhe përjetësi atyre që kanë ndodhur”, ka thënë ai.
Piktori Berisha në këtë rast në mundësinë e tij e në mediumin e tij u ka dhënë përjetësi artistike katër ngjarjeve kolektive që lanë gjurmë të mëdha në mobilizimin për një Kosovë të lirë. Aso përjetësie ku vizitori ngacmohet nga tablotë që bashkojnë përshkrimin, ndjesinë turmën, individin e idealin.