Kulturë

Finalja e “Eurovisionit” me dy këngëtarë shqiptarë

Në një natë të paharrueshme në “Ahoy Arena” të Rotterdamit, dy këngëtarë shqiptarë kanë çarë rrugën tutje për finalen e garës së njohur evropiane të këngës “Eurovision”. Me performanca unike të 17 vendeve garuese në gjysmëfinalen e dytë, Anxhela Peristeri dhe këngëtari me prejardhje nga Kosova, Gjon Muharremaj, i njohur edhe si Gjon’s Tears, kanë renditur Shqipërinë dhe Zvicrën në dhjetëshen e vendeve fatlume që morën votat e publikut dhe jurive kombëtare

Shqipërisë i ka buzëqeshur fati të parës nga dhjetë vendet të cilave u janë hapur dyert për në finalen e madhe të së shtunës të garës së këngës “Eurovision”. Mbledhja bashkë e votave të publikut dhe jurive kombëtare ka bërë që kënga “Karma”, e interpretuar nga Anxhela Peristeri, të përzgjidhej e para në gjysmëfinalen e dytë të enjten mbrëma. Trenit të vendeve fituese u janë bashkuar edhe Serbia, Bullgaria, Moldavia, Portugalia, Islanda, San Marino, Zvicra, Greqia dhe Finlanda.

Këto vende në finalen e madhe do ta kenë përballë dhjetëshen tjetër që kishte qenë fatlume gjatë gjysmëfinales së parë të mbajtur të martën: Azerbejxhani, Belgjika, Qipro, Izraeli, Lituania, Malta, Norvegjia, Rusia, Suedia dhe Ukraina.

Me vendin nikoqir, Holandën, si dhe “Pesëshen e Madhe” (Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar), gjithsej 26 vende do të garojnë mes vete për triumfin në garën e njohur e cila për sivjet ka si moto “Open up”, që nga organizatorët është vlerësuar të jetë mesazhi frymëzues për Evropën e cila përpiqet të ringrihet pas pandemisë.

Edicioni që sfidon pandeminë

Me spektaklin e paharruar që filloi në orën 21:00 sipas kohës së zonës qendrore evropiane, gjysmëfinalja e dytë ka sprovuar 17 vende nëpërmjet këngëve.

Gjakimi për një Evropë të ngjallme pas një viti traumatik të pandemisë është vulosur me atmosferën e gjallë në “Ahoy Arena” në Rotterdam. Ashtu sikurse kredoja e edicionit të sivjetmë, edhe hapja e siparit të gjysmëfinales së dytë e pati simbolikën e vet të fuqishme.

Valltari i njohur Redouan Ait Chitt “Redo” tok me këngëtaren Eefje de Visser kanë sjellë një performancë me grimasa universale, që bënte bashkë vallëzimin dhe këngën.

Me laramaninë e flamujve të vendeve garuese në publik, spektaklit i kanë dhënë jetë edhe moderuesit Edsilia Rombley, Chantal Janzen, Jan Smit dhe Nikie de Jager. Ngjarja e dytë e kontestit të njohur evropian është vlerësuar si një tjetër dëshmi e qëndrueshmërisë së interpretuesve e publikut.

Ngjyrat e muzikës

Duke mbrojtur ngjyrat e San Marinos, artistët Senhit dhe Flo Rida me këngën “Adrenalina” kanë ndezur publikun e meziduruar. Fill pas tij, duke përfaqësuar Estoninë, ka pasuar performanca e këngëtarit Uku Suviste me këngën “The Lucky One”. Në minutat në vazhdim, performancat e Benny Cristo, që përfaqësoi Republikën Çeke, Stefania Greqinë e Vincent Bueno Austrinë, kanë provuar larushinë, por edhe garën e fortë të gjysmëfinales. Me vetëm Islandën, e cila performimin e ka bërë online, të veçanta në mënyrat e tyre ishin edhe performancat e Polonisë (e përfaqësuar nga këngëtari Rafał), Moldavisë (Natalia Gordienko), Serbisë (grupi Hurricane me treshen Sanja Vuçiq, Ivana Nikoliq and Ksenija Knezheviq), Gjeorgjisë (Tornike Kipiani), Portugalisë (The Black Mamba), Bullgarisë (Victoria), Finlandës (Blind Channel), Latvisë (Samanta Tīna), Zvicrës (Gjon's Tears) dhe Danimarkës (Fyr og Flamme).

Spektakli i përfaqësueses së Shqipërisë

“Zoti nuk ma fal” kanë qenë fjalët e para të këngës që përfaqëson sivjet Shqipërinë. Interpretimi i Peristerit në gjuhën shqipe është vlerësuar nga kritikët e “Eurovisionit” si pasurim i gjysmëfinales, në të cilën shumica e vendeve kanë interpretuar në anglisht (me përjashtim të Serbisë, Zvicrës dhe Danimarkës). Vetë këngëtarja korçare e kishte bërë prej kohësh të ditur impenjimin e saj për të kënduar në shqip.

“Gjuha shqipe është shumë gjuhë e bukur dhe mendoj se gjithë Evropa e bota duhet ta dëgjojnë”, kishte thënë Peristeri në një intervistë për emisionin Express në Kohavision më shumë se një muaj më parë, kur kishte folur për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision” dhe vendimin e saj që këngën ta këndojë në shqip. “Jam e bindur se do të bëjmë një super performancë për Shqipërinë dhe këtë herë do t’ju nderojmë”.

Po të njëjtat emocione, pasi emri i tij u përfshi në dhjetëshen fatlume, kishte edhe këngëtari nga Kosova që përfaqësoi Zvicrën, Gjon Muharremaj, i njohur si Gjon’s Tears, që e interpretoi në frëngjisht këngën “Tout l'Univers”.

“Jam shumë krenar që e kam këtë mundësi që të këndoj para më shumë se 200 milionë njerëzve në ‘Eurovision’”, kishte thënë Gjon’s Tears në intervistë për Kohavisionin më 5 prill, kur kishte folur për karrierën e tij dhe përfaqësimin e Zvicrës në “Eurovision”. Këngëtari me baba nga Theranda e nënë nga Tirana është bërë i njohur në Shqipëri e më pas edhe në Zvicër në spektaklet për zbulimin e talenteve të reja.

Tradita e garës evropiane

Në kohën kur 17 vendet pjesëmarrëse kryen performancat e tyre jetësore, pesha e emocionit dhe tensionit nisi të bëhej më e rrokshme. Një fresk energjie në këtë çaste është dhuruar nga një performancë mbresëlënëse e balerinit dhe koreografit nga Siria Ahmad Joudeh dhe Dez Maarsen nga “ISH Dance Collective”. Në kohën kur ethet e pritjes ishin në kulmin e tyre, mbikëqyrësi ekzekutiv i Eurovisionit, Martin Österdahl, ka paralajmëruar ngazëllim për të gjithë.

“Po shohim goxha interes nga e gjithë Evropa e më gjerë”, ka thënë ai.

Spektakli i së enjtes është begatuar edhe me kthim në kohë në historikun e “Eurovisionit”. E tillë ishte përfaqësuesja suedeze, Molly Sandén, këngëtarja greke Helena Paparizou, madje edhe vetë mbretëresha e Holandës, Máxima.

Ndryshe, Bjellorusia është përjashtuar pak para se të fillonte gara për shkak se organizatorët, European Broadcasting Union, kanë thënë se kënga origjinale e këtij shteti “vinte në pikëpyetje natyrën jopolitike të garës”. Edhe kënga zëvendësuese është përjashtuar njësoj.