Kulturë

Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecie

Pavijoni i Kosovës në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Ky është përfaqësimi i gjashtë shtetëror në ngjarjen madhore (Foto: Ekipi i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias)

Pavijoni i Kosovës në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Ky është përfaqësimi i gjashtë shtetëror në ngjarjen madhore (Foto: Ekipi i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias)

Pavijoni i Kosovës i titulluar “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” është hapur në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Në orën 15:00, Pavijoni ka hapur dyert për vizitorë. Në tri ditët e para vizitorë mund të jenë kuratorë, arkitektë, gazetarë e kritikë. Në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Venecias, Kosova përfaqësohet nga arkitektja Erzë Dinarama. 
Nëpërmjet konceptit të Dinaramës vizitorët futen në një ambient ku përjetohen ndryshimet klimatike dhe tregohet se kriza në këtë aspekt tashmë është e pranishme gjithandej. Sipas ekipit të Pavijonit të Kosovës, projekti gjurmon një peizazh në tranzicion, ku të mbjellat e kahershme si gruri dhe fasulet po hasin në vështirësi, ndërsa kultura të reja si kivi dhe fiqtë po marrin jetë. Sipas konceptit të mbështetur në një hulumtim kompleks në terren, ky ndryshim pasqyron zbehjen e shenjave ndijore dhe treguesve sezonalë mbi të cilët bujqit janë mbështetur për dekada duke zbuluar brishtësinë e formave të mishëruara të dijes, ndërsa njëkohësisht krijon hapësirë për rikalibrimin e tyre. 

Propozimi i Erzë Dinaramës ishte prezantuar si një vepër për ndryshimet klimatike e ndikimin në ekosisteme, qysh në janarin e sivjetmë kur u përzgjodh për ta përfaqësuar vendin në ngjarjen madhore, e cila është e hapur për publikun prej 10 majit deri më 13 nëntor. Tema e instalacionit të saj i shkon për shtat asaj të përgjithshme të Bienales, të caktuar nga kuratori Carlo Ratti: “Intelligens. Natural. Artificial. Collective”. Për përfaqësimin e Kosovës kishte vendosur juria pesëanëtarëshe. Në raportin e Ministrisë së Kulturës bëhej e ditur se në konkurrencë kishin qenë 11 projekte përderisa përcaktimi për konceptin e Dinaramës shkruhej të jetë bërë duke u bazuar në qasjen inovative të projektit, thellësinë intelektuale, përputhshmërinë me temën e Bienales dhe angazhimin për të adresuar çështje kritike globale dhe lokale përmes hulumtimit arkitekturor.

Marrëdhënia e Kosovës me Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie ka nisur më 2012, kur debutoi me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama – tash kryetar i Prishtinës – dhe për komisionar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. Instalacioni mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-s, Maksut Vezgishi me “Containporary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Kurse më 2023, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri me temën “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) kishin trajtuar fenomenin e migrimit dhe ndikimin e tij në arkitekturën e qyteteve. 

E, “historia” e Kosovës me Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie nisi më 2013 me Petrit Halilajn, që ishte paraqitur me instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri do të trajtonte “Monumentalitetin e përditshmërisë”. Vitin e kaluar, në këtë Bienale, “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” kishte qenë titulli i veprës së artistes së gjeneratës së re, Doruntina Kastrati, nën kurimin e Erëmirë Krasniqit e me komisionere Hana Halilajn. Ishte përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në Bienalen e Artit që kulmoi me sukses. Pavijoni i Kosovës në garë me 80 shtete mori “Mirënjohje Speciale” në edicionin e 60-të, ku “Luanin e Artë” e mori Australia.

Ky artikull po përditësohet me deklarata e të dhëna nga Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës në Venecie përderisa një storie speciale do të transmetohet në emisionin “Express” në KTV prej orës 18:00 dhe në “Lajmet e mbrëmjes” prej orës 19:00.