Kulturë

Jetlira Avdiaj, “Autorja e vitit” me “Toka e babës” në Panair

Një ditë para mbylljes së edicionit të 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë, janë ndarë çmimet tradicionale të ngjarjes ku dallohen titujt e sivjetmë. Çmimin “Autori i vitit (letërsi shqipe)” e ka marrë Jetlira Avdijaj për librin “Toka e babës” të botuar nga Botimet KOHA. E mysafirja e sivjetme e Panairit, francezja Sophie Kepes ka marrë çmimin “Autori i vitit” për librin me titull “Çpërkatësia”. Edhe sivjet, në këtë ceremoni janë adresuar problemet e përvitshme të kushteve infrastrukturore

Jetlira Avdijaj është fituese e çmimit “Autori i vitit (letërsi shqipe)” me romanin e saj “Toka e babës” të botuar nga Botimet KOHA. Vepra me të cilën Avdijaj vitin e kaluar u shpall laureate e shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi, e përballë lexuesin me realitetin emocional të shoqërisë që mbështjell plagët në heshtje. Shkrimtarja e re e ka zhvilluar romanin në një zhytje të thellë shpirtërore në tokën që e formon njeriun me plagët që ajo lë. Pasi ka pranuar çmimin, që ndahet në Panairin e Librit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës që e organizon atë, ka thënë se tashmë rrëfimi në roman nuk është vetëm i saj.

“Më kujtohet një fjalë e një shkrimtareje që thoshte se ‘për shkrimtarin agonia më e madhe është ta mbash një histori të pathënë përbrenda’. Në të njëjtën kohë shkrimtari nuk mund ta thotë historinë e vet sepse kjo histori nga momenti që vihet në letër është e të tjerëve”, ka thënë ajo në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Panair, të shtunën në mesditë. Ka vlerësuar botuesit e veprave të saj.

“Unë po rritem bashkë me Panairin, kam 25 vjet, sa Panairi prandaj në këtë rast dua të falënderoj botuesen Flaka Surroi për këtë roman dhe Abdullah Zenelin për romanin tjetër ‘Shtëpia pranë liqenit’ dhe uroj që edhe shumë të rinj të tjerë të takohen me njerëz të mëdhenj si këta të dy”, ka thënë Avdijaj. Të dy romanet e saj janë përuruar në edicionin e sivjetmë të ngjarjes më të madhe të librit në Kosovë.  

E mysafirja e sivjetme e Panairit, Sophie Kepes ka marrë çmimin tjetër, po aq të rëndësishëm, “Autori i vitit” për librin me titull “Çpërkatësia”, tashmë të përkthyer në shqip. Shkrimtarja, përkthyesja e skenaristja franceze ka konsideruar se çmimi e nxjerr në dritë një vepër.

“Në fakt po i bëja pak rezistencë ftesës së ‘Buzukut’ sepse para dy javësh isha në Sarajevë dhe javën që shkoi isha në Bukuresht. Kështu që dinastisë ‘Buzuku’ i thashë se nuk mund të vij tani se jam pak e lodhur dhe do të vija në shtator. Dhe tani kuptova se nga çfarë gabim i tmerrshëm kam shpëtuar që kam ardhur”, është shprehur ajo duke uruar që libri i saj të udhëtojë sa më shumë. Sipas saj, është vepër si transmetim te brezi i ri.

Mysafirja e sivjetme e Panairit, Sophie Kepes ka marrë çmimin tjetër, po aq të rëndësishëm, “Autori i vitit” për librin me titull “Çpërkatësia”, tashmë të përkthyer në shqip. Shkrimtarja, përkthyesja e skenaristja franceze ka konsideruar se çmimi e nxjerr në dritë një vepër

Juria e sivjetme ka qenë në përbërje nga Behar Gjoka, kryetar dhe anëtarët Majlinda Nana-Rama e Dan Ibrahimi.

Gjoka, kryesues i jurisë së sivjetme, rol të cilin e pati edhe në edicionin e kaluar, ka thënë se përzgjedhja e fituesve është përgjegjësi.

“Që në hapat e parë kur është futur si element përzgjedhja e librave për t’i sugjeruar lexuesit, gjithmonë ka qenë përgjegjësia dhe brenda asaj situatës së shijes sonë për t’u ndalur tek ato vepra që në syrin tonë përbëjnë një eveniment jo krahasimisht me të tjerët sepse krahasimi gjithmonë krijon njëfarë problemi, por thjesht në faktin që ne në këtë moment veçojmë disa libra”, ka thënë ai.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, që e organizon Panairin, ka thënë se sivjet sfidat e ngjarjes kanë qenë më të theksuara. Pa Atelienë e Pallatit të Rinisë, ajo që konsiderohet si festë e librit, u ka bërë strehë rreth 100 botuesve në një hapësirë më të ngushtë sesa në edicionet e kaluara.

“Është pashmangshëm një nga ngjarjet kryesore kulturore dhe shpresojmë shumë që politikanët që e vizitojnë për çdo vit Panairin, ta kenë kuptuar më në fund brengën tonë kryesore e që është krijimi i hapësirave të përshtatshme për organizimin e ngjarjeve të tilla. Është një nga arsyet që ndikon që ngjarjet kulturore po e humbasin efektin e tyre dhe dita-ditës mbase edhe po veniten”, ka thënë Zeneli.

Ka theksuar se në përgjithësi skena kulturore – e përqendruar kryesisht në hapësirat e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve –  infrastrukturën e ka problem të përbashkët.

“Përkundër sfidave – që janë të panumërta dhe praktikisht kam përshtypjen që të gjitha ngjarjet kulturore në Kosovë vijojnë ta kenë problem kryesor infrastrukturën e cila pastaj i bllokon të gjitha potencialet e tjera kulturore –  kemi arritur ta krijojmë një traditë çerekshekulli që konsideroj se nuk është pak”, ka thënë ai më tej.

Çmimin për letërsinë për fëmijë e të rinj e ka marrë Gani Bytyçi për librin “Letra lejleku”.

“Librin për të cilin marr mirënjohje nuk e kam shkruar unë. E ka shkruar dhimbja e qindra mijëra fëmijëve të Kosovës, dhimbja e gjithë popullit të Kosovës. Andaj edhe kjo mirënjohje konsideroj se është një homazh që i bëhet dhimbjes, tronditjes që ka pësuar ky popull e sidomos fëmijët gjatë luftës”, ka thënë Bytyçi pasi ka marrë çmimin.

Çmimin për prozë e ka marrë Ahmet Prençi për përmbledhjen e tregimeve “Në emër të gjakut”.

“Është befasi shumë e bukur që jam i pranishëm sot dhe libri im është përzgjedhur për t’u lavdëruar në këtë Panair, në këtë ngjarje të madhe. Jam pak i emocionuar, por shpreh falënderimin dhe mirënjohjen për gjithçka”, ka thënë ai.

Çmime për poezi kanë marrë Shpëtim Selmani  për “Kureshtje dhe terror” e Arti Lushi për veprën “Zoti i Kripës”.

Në fushën e përkthimit, me çmimin “Përkthyesi i vitit 2025” janë vlerësuar Zija Vukaj e Pandeli Pasko Kuteli. Ky i pari për përkthimin e “Pinokut” të Carlo Collodit.

“‘Pinoku’ i Carlo Kolodit është rimarrë nga disa përkthyes shqiptarë dhe në pamje të parë duket sikur, meqenëse është përkthyer një herë, ç’punë kemi me të? ‘Komedia Hyjnore’ e Dante Alighierit është përkthyer 165 herë në gjermanisht dhe 65 herë në frëngjisht. Përkthimet e veprave që futen në fondin klasik, janë të pafundme. Sa herë merren në dorë, çdoherë do të ketë interpretime dhe këndvështrime të reja”, është shprehur ai.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve në edicionin e 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë, të shtunën më 14 qershor

E Kuteli është vlerësuar për përkthimin e veprës “Lufta ime ndaj indiferencës”.

“Jam shumë i emocionuar sepse në emrat e mëdhenj të përkthimit dhe të prozës shqipe, Mitrushi zë vend të veçantë. Vëmendja që i është dhënë nga juria që të shkojë një nderim i tillë në familjen e Mitrush Kutelit, është kënaqësi shumë e veçantë”, ka thënë ai në ceremoninë e çmimeve.

Çmimin special të Panairit e ka marrë Durim Abdullahu për kontribut të shquar në botimin e librit “Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur”.

“Fjala është për një vepër që e kemi përgatitur, e kemi hartuar bashkë me studiuesen Davjola Ndoja. Një studim bibliografik mbi literaturën e shkruar mbi luftën e Kosovës që përfshin mbi shtatë mijë e ca tituj të evidentuara në 45 biblioteka të 43 shteteve dhe të botuara e të përkthyera e edituara në 28 gjuhë të ndryshme. Është një libër shumë specifik që i kushtohet kryesisht komunitetit akademik”, ka thënë Abdullahu.

Me çmimin për vepër kapitale është nderuar shtëpia botuese “Albas” për botimin e serisë së veprave të Petro Markos.

Panairi i 25-të i Librit mbyllet të dielën.