Në kujtim të Esad Mekulit në 32-vjetorin e kalimit në amshim - me disa detaje nga një intervistë dhënë revistës START të Zagrebit më 1979.
I.
Më 6 gusht mbushen 32 vjet nga vdekja e Esad Mekulit, intelektualit, poetit, akademikut dhe punëtorit të palodhur kulturor e iluminist të Kosovës. Ai u lind më 17 dhjetor 1916 në Plavë të Malit të Zi. Esad Mekuli jetoi 77 vjet. Ai ishte dhe mbetet zëri më i shquar i poezisë sociale të Kosovës në shekullin e 20-të. Pararaojë shpirtërore e popullit. Krijues i zellshëm. Udhërrëfyes i shumë shkrimtarëve të rinj. Kush është rritur e pjekur dhe kush ka mësuar të lexojë më shumë se abetaren në vitet 1950-të, 1960-të, 1970-të, zor të mos e njoh Esad Mekulin. Ose Sat Nokshiqin. Ose Sat Hoxhën. Si drejtues i revistës së famshme letrare “Jeta e re”, ai hapi portat e botës letrare për shumë shkrimtarë entuziastë të Kosovës. Ishte antifashist, andaj u burgos në vitin 1940. Ishte mësuesi i parë i shumë atyre burrave e grave të Kosovës që më vonë do të bëheshin personalitete të rëndësishme të jetës kulturore, qe besa edhe politike. Ai e këndoi këngën e dhimbshme të popullit të vet. Ai denoncoi shtypjen e shqiptarëve në kralevinën jugosllave. Ai mallkoi zullimin shtetëror ndaj popullit të tij. Ai luftoi shkombëtarizimin dhe kundërshtoi turqizimin, që shpesh përfundonte me shpërngulje familjesh në fusha të Anadollit.
Njëra nga poezitë e tij mban titullin “Malli për t’pambërrijtshmen”.
II.
Esad Mekuli e kreu gjimnazin në Pejë më 1936. Studioi veterinarinë në Beograd, ku u diplomua në fillim të vitit 1947. Specializoi parazitologjinë në Zagreb më 1947 dhe 1948. U doktorua në Fakultetin e Veterinarisë të Beogradit me temën “Kontribut për njohjen e piroplazmozave të kafshëve shtëpiake në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit”. Si student i takoi lëvizjes përparimtare. Ishte një nga redaktorët e fletores “Beogradski student”. Mori pjesë në aksionet studentore e demonstrata antifashite. Punoi veterinar ushtarak në Pejë, ku e zuri okupacioni. Më 1942, për shkak të punës në lëvizjen nacionalçlirimtare, u burgos. Më vonë iu bashkua aradheve partizane dhe një kohë punoi si mjek dhe redaktor i gazetës ilegale “Lirija – Sloboda”.
Pas luftës u emërua kryeredaktor i gazetës në gjuhën shqipe Rilindja, kurse nga viti 1947 deri më 1960 ishte shef i repartit parazitologjik të Institutit të Veterinarisë në Prishtinë. Nga viti 1949 ishte kryeredaktor i revistës së parë letrare “Jeta e re”, të cilën e drejtoi për gati një çerek shekulli, e më vonë edhe kryeredaktor i revistës shkencore-profesionale bujqësore “Glasnik” (Lajmëtari). Ishte kryeredaktor i revistës shkencore “Biotehnika” dhe kryeredaktor në Redaksinë e Enciklopedisë së Jugosllavisë në gjuhën shqipe.
III.
Botoi njëmbëdhjetë punime shkencore-profesionale në revista jugosllave dhe të huaja, mandej dy libra dhe dy broshura nga shkenca e mjekësisë veterinare dhe rreth pesëdhjetë artikuj shkencorë nëpër fletore e revista në gjuhën shqipe dhe serbokroate.
Me punën letrare filloi të merrej qysh në rininë e hershme, duke bashkëpunuar me revista të rinisë. Botoi pesë përmbledhje poezish në gjuhën shqipe, gjashtë në gjuhën serbokroate dhe nga një në gjuhën maqedonase dhe turke, dhe më se tetëdhjetë libra përkthimesh. Ka qenë kryetar i parë i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Për punën në fushën e përkthimeve iu dha Shpërblimi i Dhjetorit të KSA të Kosovës dhe Shpërblimi i Rilindjes; po ashtu u shpërblye me Diplomën e Nderit të Lidhjes së Shoqatave të Përkthyesve të Jugosllavisë për meritat në afirmimin e bashkëpunimit ndërrepublikan. Më 1971 mori Çmimin AVNOJ për letërsi dhe Çmimin e 13 Korrikut të Malit të Zi (1974).
IV.
Në maj të vitit 1979 Esad Mekuli i dha një intervistë te¨ gjatë revistës START të Zagrebit, nga e cila do të citojmë gjerësisht këtu. Mekuli përshkruhet si veprimtari më i shquar publik i Kosovës. „Padrejtësitë, vuajtjet, mjerimi – u bënë obsesioni im. Në rininë time më pëlqente të vizatoja dhe mbaj mend që vizatoja kasollet më të mjera, varfërinë rome, shkoja në lagjet më të trishta. Besoja se gjërat do të ndryshonin nëse fillonin të përshkruheshin dhe të përfaqësoheshin”, shpjegon ai në intervistë.
Për hapat e parë në krijimtari ai thotë: “Në fakt, kur isha fëmijë në shkollën fillore, në Plavë ku linda, nuk kishim libra. Për mua ishte një ngjarje kur, pas festës së Shën Savës, që ishte festa e shkollës, dhe unë recitova me atë rast, një oficer më dhuroi gazetën ‘Jadranska Strazha’. Ishte një revistë e ilustruar me shumë figura.
Më vonë, në gjimnazin e Pejës, kishte rreth 150 deri në 200 libra, që i lexova shumë shpejt. Dhe kështu, në të vërtetë, kur kisha dëshirë të madhe për të lexuar dhe kohë për të, nuk kisha mundësi. Prandaj në fillim nuk pata shumë shembuj për t’u ndjekur, përveç poezisë popullore që e dëgjoja nga xhaxhai dhe tregimeve popullore që m’i rrëfente nëna.
Shkrimtari i parë që ndikoi te unë ishte J. J. Zmaj. Nën ndikimin e poezisë së tij shkrova vargje rinore, duke i kushtuar më shumë vëmendje rimës sesa përmbajtjes”.
Në pyetjen se cilën nga poezitë e para e konsideron të rëndësishme në fillim të veprimtarisë letrare, Mekuli përgjigjet: “Është poezia ‘Jeta’, e shkruar si reagim ndaj vdekjes së motrës sime të dashur – një asociacion për jetën që shfaqet si meteor në univers dhe pastaj shuhet. Në të vërtetë, gjithçka ishte e përshkuar nga pasojat e tmerrit që kishte ndodhur që nga viti 1915 deri në fund të Luftës së Parë Botërore, kur myslimanët përjetuan konvertime masive të dhunshme të fesë, të shoqërura me pushkatimin e qindra njerëzve.
Plava është qytet i vogël, por ka katër varreza. Nuk kam parë dhe nuk di për ndonjë vend kaq të vogël që të ketë më shumë varreza se vendlindja ime.
Në fakt, aty ishte kufiri mes Turqisë dhe Malit të Zi, dhe gjithmonë kishte përleshje e konflikte. Po të kujtojmë edhe gjakmarrjen, mund të imagjinohet sa shumë viktima kanë rënë në disa qindra vjet”.
V.
Si nisi udhën e dijes Esad Mekuli: “Im atë ishte hoxhë, njeri shumë i përparuar dhe i kulturuar. Në rrethinën tonë të asaj kohe, ai ishte ndoshta njeriu më i kulturuar. Kishte përfunduar studimet teologjike në Stamboll dhe njihte të gjitha gjuhët më të rëndësishme lindore – persishten, arabishten, turqishten – pastaj italishten, bullgarishten dhe serbishten, përveç gjuhës së tij amtare, shqipes.
Nëna ime ishte shumë fetare, e pashkolluar dhe kokëfortë, dhe më lidhi fort pas vetes, si djalë i vetëm mes pesë motrash, sa që në fillim isha nën ndikimin e saj.
Babai donte të ishte i drejtë në dashuri, ndaj ndonjëherë, nga frika se mos bëhej më i butë me mua, tregonte një ashpërsi edhe më të madhe se ndaj vajzave. Midis nënës dhe babait kishte një dallim të madh në arsimim. Por nëna, ndonëse e thjeshtë, ishte një amvisë dhe qytetare e mirë dhe punëtore.
Për kohën e vet, babai kishte një koncept revolucionar për arsimimin: ndoshta si ndër të parët myslimanë shqiptarë, i dërgoi të gjitha vajzat e tij në shkollën shtetërore. Për shkak të lidhjes sime të thellë emocionale me nënën, ekzistonte rreziku që ajo të më tërhiqte drejt fesë. Që i vogël më çoi të mësoja arabisht te një koleg i babait, me qëllimin që të bëhesha hoxhë.
Por ai njeri ishte shumë i përparuar, madje pothuajse komunist. Mësimin e arabishtes e vazhdova edhe kur u regjistrova në gjimnazin e Prizrenit. Atje, megjithatë, në xhami përpiqeshin të më ngulitnin bindjen se kjo botë është e përkohshme, se këtu mbizotëron vuajtja, por se në botën tjetër të përjetshme do të ndreqeshin të gjitha padrejtësitë dhe se edhe ne atje do të jetonim mirë dhe me dinjitet.
E pranova atë ngushëllim, sepse realiteti për mua ishte i papranueshëm.
Më pas filluan të vinin njohuritë e reja nga biologjia, fizika. Duke mësuar, fitoja gjithnjë e më shumë dije, të cilat ishin në kundërshtim me atë që mësonin hoxhallarët. Dalëngadalë, fillova të dija më shumë se disa mësues të paaftë fetarë, që ishin primitivë dhe të paditur.
Kështu, shumë herët u bëra ateist.
Vendimi për të vazhduar shkollimin laik erdhi natyrshëm, dhe babai e mbështeti në çdo drejtim”.
VI.
Kur vendosi përfundimisht Esad Mekuli të orientohet drejt shkollimit? Kjo e¨shtë përgjigjja e tij: “Pas mbarimit të shkollës së mesme të ulët, kur kalova në gjimnazin e Pejës. Në atë gjimnaz kishin ardhur shumë nxënës që, për shkak të pikëpamjeve të tyre përparimtare, ishin përjashtuar nga shkollat në Mal të Zi dhe në Serbi, dhe ata ushtruan mbi ne të tjerët një ndikim të fortë dhe të thellë me orientimin e tyre politik.
Në Pejë banoja te motra ime më e madhe, djali i së cilës, Xhemal Kada, një luftëtar i Spanjës dhe hero popullor, ishte dy a tri vjet më i madh se unë dhe shkonte në të njëjtin gjimnaz. Më lidhte me të një miqësi e sinqertë, dhe atij i jam borxhli për kthesën time.
Xhemal Kada u përjashtua më pas nga gjimnazi, iku në Shqipëri, dhe prej andej shkoi për të studiuar në Itali, në akademinë ushtarake. Në Itali u bë anëtar i Partisë Komuniste dhe, kur mbaroi drejtimin teknik dhe u bë inxhinier, shpërtheu lufta civile në Spanjë.
Ai iu bashkua brigadave internacionale dhe ra dëshmor në vitin 1938.
Pas largimit të tij, ne korrespondonim rregullisht. Në Spanjë, para se të binte, ishte plagosur një herë dhe, ndërkohë që rikuperohej në Paris, përpiqej të më përshkruante sa më hollësisht zhvillimet e luftës civile.
Ishte e qartë se edhe për ne, i vetmi shpëtim përballë padrejtësive që kishin sjellë një gjendje të tillë - ku aq shumë bashkëkombës të mi vuanin në varfëri, të poshtëruar, të privuar nga të gjitha të drejtat, madje edhe nga përdorimi i gjuhës amtare, ishte vetëm lufta.
U pjek vendimi se duhej bërë diçka që edhe ata njerëzit tanë të bëheshin të barabartë mes të barabartëve. Pasojë e kësaj ishte përplasja me policinë, burgosjet, maltretimet”.
VII.
Esad Mekuli thotë se burgu nuk e dekurajoi. “Në vend që të më demoralizonte, më jepte më shumë forcë dhe shtytje. Brenda njeriut lind rezistenca. E kam përjetuar veçanërisht rëndë kur vinin për të bërë kontrolle në shtëpinë e prindërve të mi.
Ata të moshuar, e unë i vetmi djalë, dhe gjithë kjo në një mjedis politikisht të prapambetur, ku mbizotëronte mendësia provinciale se nuk duhet ndryshuar asgjë, se edhe e mira edhe vuajtja janë të caktuara nga zoti, dhe kështu duhet të mbetet.
Në një mjedis të tillë, ishte skandaloze që djali i një personaliteti kaq të respektuar të bënte ‘ekscese’ kundër regjimit. Kur ne, 60 studentë - kryesisht nga Kosova, midis tyre përveç shqiptarëve kishte edhe malazezë e serbë - nënshkruam një rezolutë kundër marrëveshjes sekrete të Stojadinoviqit me Turqinë për shpërnguljen e rreth 400’000 ‘turqve’ nga viset jugore të Jugosllavisë, policia u tregua shumë brutale.
Ata përmbysën dhe hallakatën krejt shtëpinë, dhe kur pashë se si e përjetoi këtë nëna ime - një grua me bindje të vjetra - kjo ndoshta ishte gjëja më e rëndë për mua: e përjetova jashtëzakonisht keq.
Burgjet që kalova më pas (në Plavë, Glavnjaça në Beograd) vetëm sa ma forcuan besimin në jetë. E dija që ndodheshim në rrugë të drejtë dhe se njerëzit po i afroheshin gjithnjë e më shumë lirisë”.
VIII.
Mbi krijimtarinë letrare në Kosovë: “Para Luftës (së Dytë Botërore) u shfaqën dy apo tre shkrimtarë. Ishin këta: Hivzi Sylejmani, një shkrimtar proze, i cili, si nxënës i medresesë së madhe në Shkup, botoi dy-tre tregime të shkurtra; pastaj Mark Krasniqi, i cili, si seminarist në Prizren, ndoshta ndër të parët filloi të shkruante poezi në gjuhën amtare, gjë që lejohej në seminar, pasi ky kishte njëfarë autonomie.
Ne të tjerët nuk e kishim këtë mundësi. Mikel Marku nga Peja merrej me përkthime. Ai ishte i pari që përktheu disa poezi nga përmbledhja ‘Poezitë e Ali Binakut’ të Radovan Zogoviqit. Natyrisht, ato përkthime janë humbur, por është interesante si fakt që dikush përpiqej të përkthente nga letërsitë jugosllave poezi që flisnin për ne.
Dhe nëse merret parasysh se edhe në vitin 1949, kur nisi të botohej revista ‘Jeta e re’, ne pothuajse nuk kishim asnjë shkrimtar - nëse kjo gjendje, kur, thuajse, nuk kishim asgjë, krahasohet me faktin se sot kemi gati 100 anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve (midis tyre disa që janë afirmuar në përmasa jugosllave si poetë dhe si prozatorë), atëherë ende nuk mund t’i vlerësojmë plotësisht këto arritje të mëdha”.
IX.
Një porosi në fund të intervistës: “Zgjidhja ekziston në humanizimin e njeriut. Kjo është edhe domethënia themelore e artit. Arti është ai që në mënyrën më të qëndrueshme e humanizon njeriun - ai zgjon tek ai dashurinë për bukurinë, për ndershmërinë, për jetën.
Edhe shkenca në thelb synon të njëjtin qëllim, edhe pse shpesh keqpërdoret.
Duhet luftuar për heqjen e kufijve dhe dallimeve midis njerëzve.
Dhe, ajo që është më e rëndësishmja: duhet të besojmë në jetën si diçka e qëndrueshme, si diçka që do të ekzistojë për sa kohë të ekzistojë universi.
Vetë jeta është një luftë, por një luftë dialektike, e cila është shumë e gjatë.
Si qenie të vetëdijshme, duhet të kuptojmë se jeta e çdo individi është tepër e shkurtër për të mundur të përfshijë plotësisht kuptimin e këtij procesi”.
X.
Intervistën me Esad Mekulin për revistën “Start” e zhvilloi Mirjana Buljan. Ajo ishte pjesërisht me origjinë shqiptare (nga nëna, ndërsa i ati i saj ishte kroat). Disa të dhëna biografike për Mirjana Buljan, sipas leksionit biografik kroat: prozatore dhe shkrimtare dramash, përkthyese (e lindur në Nish më 10 shkurt 1931). Shkollën fillore e kreu në Nish (1938–41) dhe Zagreb (1941), gjimnazin në Zagreb (1942–50). Në Fakultetin e Filozofisë në Zagreb studioi anglistikën dhe jugosllavistikën (1950–54). Ishte gazetare në redaksinë e gaztës “Borba” në Zagreb (1956/57), përkthyese në Irlandën e Veriut (1960/61), përkthyese dhe bibliotekare në Republikën Federale të Gjermanisë (1964–67), dhe më pas shkrimtare profesionale. Është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kroacisë dhe Shoqatës së Përkthyesve Kroatë të Letërsisë. Ajo është 94-vjeçare.
Shkruan novela dhe tregime të shkurtra, kryesisht me tematikë të lidhur me ambientin modern urban dhe fatin e gruas shqiptare. Që nga viti 1949 ka botuar punime në revista të ndryshme. Ka përkthyer nga anglishtja dhe gjermanishtja (L. Carroll, J. Jones, A. Strindberg, B. Brecht, J. Joyce, G. Büchner, U. Plenzdorf dhe të tjerë). Proza e saj është përkthyer në disa gjuhë.