Kulturë

Loja elegante në klarinetë e piano thur magjinë e Brahmsit

“Sonata nr. 1” klarinetë e Johannes Berhams ka qenë introja e lojës mjeshtërore të Giovanni Punzit në klarinetë dhe Lirika Pulës në piano, e cila në fakt ka paralajmëruar një rrugëtim edhe me Verdin për t’u përmbyllur me elegancë vjeneze. Një koncert skenash botërore, në kushtet e Prishtinës është “zhvendosur” në sallë hotelesh, dhe kërkesa për sallë koncertale sërish jehon pas secilit koncert. Dialogu muzikor midis Punzit dhe Pulës ka shënuar koncertin e dytë të edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës në Kosovë

Nën opulencën e sallës së një hoteli në qendër të Prishtinës, koncerti i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës në Kosovë solli atmosferë mondane për të gjithë entuziastët e muzikës klasike, e në veçanti për ata që e pëlqejnë tingullin e klarinetës.

Giovanni Punzi, një figurë e shquar në arenën ndërkombëtare, nën shoqërimin e pianistes së mirënjohur Lirika Pula, shënuan këtë mbrëmje të veçantë. Klarineta edhe pse mjaft teknike që kërkon përkushtim si për nga ana fizike ashtu edhe nga koncentrimi maksimal, prej zotërimit të Punzit, shndërrohet në instrument kompleks. Pula me virtuozitetin e saj në piano ka qenë shembulli i përkryer i një bashkëveprim simbiotik, krejt natyral mes pianos e klarinetës.

Giovanni Punzi, njëherësh klarinetist kryesor i Orkestrës së Filarmonisë së Kopenhagës, renditet si një ndër klarinetistët më të dalluar evropianë të brezit të tij. Studioi në “Accademia Nazionale di Santa Cecilia” në Romë me Alessandro Carbonaren, duke vazhduar studimet në Konservatorin e Parisit me Philippe Berrod dhe në Akademinë Mbretërore Daneze të Muzikës me John Kruse. Kështu ai fitoi pozicionin e tij të parë Principal Clarinet në moshën 20-vjeçare me Pomeriggi Musicali Milan, dhe që atëherë ka zënë të njëjtin pozicion në “Orchester Symphonique de Bretagne” dhe në Filarmoninë e Kopenhagës, ku luan tani, e kjo përgatitje e tij i dhuroi publikut në Prishtinë një program të pasur me vepra të njohura për klarinetë.

Me “Sonatën nr.1” për klarinetë nga kompozitori gjerman Johannes Berhams, vepër kjo e dedikuar për Richard Mühlfeldin, i cili ka qenë inspirim për kompozitorin që t’i rikthehej sërish kompozimit pas pensionimit të tij, u bë dhe hapja e programit si fillim maratonik prej 20 minutash. Hapja ishte me “Allegro appassionato”, tek kaploi vëmendjen e të gjithëve me pasionin që transmetojnë solistët, duke krijuar një atmosferë dramatike përmes kontrapunktit kompleks midis klarinetës dhe pianos. “Andante un poco adagio” si pjesë e dytë erdhi si një shfaqje me karakter introspektiv dhe melankolik, derisa klarineta me gjithë kompleksitetin e saj thur tingujt e një melodie të ndjeshme në bashkëveprim me harmonitë mbështetëse të pianos. Pjesa e tretë, “Allegretto grazioso”, solli një atmosferë ndryshe nga pjesët e para, disi me një karakter më lozonjar e të çiltër, e cila shtoi një ndjesi shtendosjeje në sonatë. E “Vivace”, që në shqip do të thotë gjallëri, si dhe vetë emri shënoi një përfundim të gjallë dhe triumfues, duke përfshirë elementë më ritmikë që shfaqin shkëlqimin teknik të të dy instrumenteve. Së bashku këto pjesë krijojnë një rrugëtim të lidhur emocionalisht dhe artistikisht, të shfaqur përmes mjeshtërisë së Brahms në krijimin e një vepre të pasur dhe tërheqëse në repertorin e muzikës së dhomës për klarinetë dhe piano.

Pjesa e dytë e koncertit qe e rezervuar si homazh për Giuseppe Verdin, nisur nga fakti se vetë Punzi vjen nga Italia. “Il Trovatore” e Luigi Bassit me transkriptim për klarinetë përfshin variacione dhe eksplorime të motiveve nga opera “Il Trovatore” e Verdit, vepër kjo e cila shërben si një ndërthurje e mrekullueshme mes trashëgimisë së Verdit dhe interpretimit artistik të Bassit.

Në pjesën e fundit të koncertit, atmosfera e magjisë muzikore vazhdoi me interpretimin përshëndetës të “Three Old Viennese Dances” nga Fritz Kreisler e shquar për sharmin dhe elegancën e saj si vepër, e cila u shfaq si një finale triumfuese pas një udhëtimi teknik të pasuar nga interpretimi i jashtëzakonshëm i maestro Giovanni Punzit dhe pianistes Lirika Pula. Meloditë e vjetra vjeneze u shtruan në sallë me një ndjenjë të bukur për një periudhë të lavdishme të muzikës me stilin dhe finesën e Kreislerit.

Interpretim kolosal e quajti violinistja Sihana Badivuku, e cila ishte e pranishme në koncert.

”Kishte muzikalitet, ishte një koncepcion shumë i thellë studioz dhe me të vërtetë dëshmoi që është bërë zgjedhja e duhur e klarinetistit dhe natyrisht pianistes, koleges time Lirika Pula, e cila me të vërtetë me aq profesionlizëm performuan së bashku veprën kolosale ‘Sonatën e Brahmsit’”, ka thënë ajo. Ka thënë se për kolegen e saj, pianisten Lirika Pula, ishte një handikap fakti se po luante në një sallë hoteli, pavarësisht performances së mahnitshme. Koncerti është mbajtur në “Swiss Diamond”. Badivuku ka ritheksuar nevojën urgjente për një sallë adekuate për performancat e muzikës klasike.

Vetë Punzi ka komentuar mbi kujdesin që i kishte kushtuar përzgjedhjes së programit duke tentuar ta bëjë atë sa më të lehtë për publikun në Prishtinë, që, sipas tij, e priti mirë.

“Isha shumë i mirëpritur nga stafi i Festivalit, njerëzit këtu janë shumë të mirë, dhe do ta kujtoj Kosovën për thjeshtësinë dhe qetësinë e saj”, ka thënë ai.

E mirëpritur ka qenë ftesa e Festivalit për pianisten Lirika Pula.

“Aq më tepër, që të luaj me një instrumentist si Giovanni, një ndër më të mirët që e ka bota. Gjithçka, përfshirë dhe provat edhe pse ishte kohë e shkurtë, ishte shumë kënaqësi për mua dhe besoj do të jetë në memorien time shumë gjatë”, ka thënë Pula teksa ka folur edhe për repertorin. “Përzgjedhjen e programit e ka bërë vetë solisti, unë jam pajtuar me programin por megjithatë është program shumë i bukur, posaçërisht pjesa e parë e cila është për piano dhe klarinetë”, ka thënë ajo.

Përveç koncertit, Giovanni Punzi për talentet e reja të klarinetës në Kosovë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës ka mbajtur disa mesterklasa.

I kënaqur për këtë është shprehur Blerim Emerllahu nga Festivali Ndërkombëtar i Klarinetës në Kosovë, i cili u hap më 4 nëntor me koncertin e klarinetistit Genti Dollani, emër skenash botërore që vepron në Francë.

“Jemi të kënaqur që tanimë veç se po bëhet traditë që në kuadër të Festivalit të presim artistë shumë të mirë nga bota, sepse çdo artist që vjen zhvillon masterklasë, takohet me studentë, shkëmbehen eksperienca”, ka thënë ai, duke theksuar dhe nevojën e Kosovës për bashkëpunime me emra ndërkombëtarë si Punzi.

Koncerti i tretë i Festivalit i cili ngjat deri më 13 janar të vitit që vjen sjell Corrado Giuffredin, një klarinetist me famë botërore në përcjellje nga pianisti virtuoz Federico Nicoletta, të cilët gjithashtu do të angazhohen edhe me studentë në formë të masterklasave. Tingujt magjikë të Brahmsit, Bassit dhe Kreislerit të natës së dytë qëndrojnë në ajër deri te koncerti i radhës.