Një homazh i shkurtër mbi një shkrimtar të madh.
Boris Pahor u lind më 1913. Një vit pas kolapsit të Perandorisë Osmane në Ballkan, një vit pas pavarësisë së Shqipërisë, një vit pas Luftës së Parë Ballkanike. Në vitin e lindjes së Pahorit, më 1913, shpërtheu Lufta e Dytë Ballkanike. Po atë vit në Vjenë qëndruan – për arsye krejtësisht të ndryshme – Adolf Hitleri, Jozef Stalini dhe Josip Brozi (më vonë i njohur si Tito). Nuk ka dëshmi nëse ata mund të jenë takuar, por ndoshta së paku duke u shëtitur në parqet e Vjenës kanë përshëndetur njëri-tjetrin.
Një vit pas lindjes së Boris Pahorit, më 1914, anarkistët serbë vranë Franz Ferdinandin, trashëgimtarin e fronit të Perandorisë së Habsburgut. Pastaj shpërtheu Lufta e Parë Botërore. “The Man Who Saw Too Much”, kështu e ka titulluar BBC një dokumentar për Boris Pahorin, i cili i ka parë gati të gjitha tmerret e shekullit të 20-të – fashizëm, nazizëm, stalinizëm dhe komunizëm.

Boris Pahor u lind në Trieste, një qytet multietnik e multikulturor i Italisë së sotme. Pahor ishte pjesëtar i pakicës sllovene. Për 500 vjet, deri në vitin 1918, Trieste i ka takuar Austrisë. Pas Luftës së Parë Botërore qyteti iu dha Italisë për shkak se shumica e popullsisë është italiane apo italishtfolëse. Pas Luftës së Dytë Botërore pretendime kishte edhe Jugosllavia (“Trst je naš”, Trieste është e jona – gjeneratave të vjetra nga Sllovenia deri në Maqedoninë e Veriut do t’u kujtohet kjo parullë titoiste).
Tek në vitin 1954 statusi i Triestes u zgjidh: qyteti dhe një pjesë e rrethinës (zona A) përfundoi nën kontrollin italian, ndërsa “hinterlandi” i Triestes në perëndim dhe jug iu dha Jugosllavisë. Trieste përherë ishte qytet i hapur ndaj botës. Këtu u kultivua kultura e kafesë dhe tregtia me kafe (Illy edhe sot është ndër firmat më të mëdha të kafesë), këtu u lind aktori me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, këtu punoi si mësues i anglishtes James Joyce, në historinë e letërsisë i njohur si njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të.
Shumë, shumë vite pas lindjes, madje në moshë të shtyrë edhe Boris Pahori do të pranohej nga opinioni i gjerë europian si shkrimtar i madh. Por për këtë pak më vonë në këtë tekst. Si 7-vjeçar (më 19120) Boris Pahor pa me sytë e tij djegien e shtëpisë së kulturës së sllovenëve në Trieste nga fashistët italianë. Ata ndaluan gjuhën sllovene dhe i detyruan 600 mijë sllovenë të marrin emra të italenizuar. Ishte koha kur po merrte hov lëvizja e Benito Mussolinit.
Pahor ndoqi gjimnazin në Koper dhe seminarin e priftërinjve në Goricë, pastaj, më 1947, doktoroi në Padovë. Por më parë ai kishte kaluar nëpër ferr. Si shtetas italian ai luftoi në Libi gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj, pas kapitullimit të Italisë, u internua nga gjermanët në katër kampe naziste (Natzweiler-Struthof, Dachau, Harzungen dhe Bergen-Belsen).
Përjetimet e tij të tmerrshme i përmblodhi në veprën letrare “Nekropolis” (botuar më 1967, në gjermanisht tek më 2001). Kjo vepër u lavdërua me tone të larta nga kritika letrare gjermane dhe u krahasua me punimet letrare të Primo Levi, Jorge Semprún dhe Imre Kertész. “Vila pranë liqenit”, “Errësimi”, “Nomadët pa oazë”, “Në labirint” dhe “Dhurata të fshehta gjuhësore” – kështu titullohen veprat e Boris Pahorit të përkthyera në gjermanisht.
Pas Luftës së Dytë Botërore Pahor vazhdoi të jetojë në Trieste. E mbrojti shkrimtarin slloven Edvard Kocbek, i cili më 1951 mori guximin të kritikojë krimet masive të partizanëve të Titos pas vitit 1945. Për këtë arsye vepra e Pahorit u ndalua në Jugosllavi për 11 vjet dhe atij nuk iu lejua hyrja në Slloveni, atëbotë republikë jugosllave. Veprat e tij u botuan në Slloveni tek në vitet 80-të.
Pahor ishte botues i revistës “Zaliv” në Trieste. Më 2007 presidenti francez Jacques Chirac e nderoi me titullin Kalorës i Legjionit të Nderit. Nga viti 2009 ai ishte anëtar i rregull i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Sllovenisë. Sot Boris Pahor vdiq në Prosecco afër Triestes në moshën 108-vjeçare.